Art & Kulturë

Si e organizoi Serbia vrasjen e Haxhi Zekës në vitin 1902

Shkruan Hasan Bello, historian

Një nga personalitetet më të rëndësishëm të Rilindjes Kombëtare në fund të shek. XIX-të deri në vitin 1902 kur ai u eleminua me kombinacion agjenturor nga Serbia ishte Haxhi Zeka. Ai gëzonte autoritet të madh në popull për shkak të trimërisë dhe mendjeprehtësisë, por edhe për kontributin për çështjen kombëtare, për të cilën nuk kishte kursyer as pasurinë. Kjo duke nisur që në Lidhjen e Prizrenit në vitin 1878, ku Haxhi Zeka kishte marrë pjesë si përfaqësues i Pejës.

Në dekadat e fundit të shek. XIX-të Haxhi Zeka ishte udhëheqës kryesor i kryengritjeve në vilajetin e Kosovës. Për këtë arsye, autoritetet osmane kërkuan që ai të dorëzohej dhe së bashku me një përfaqësi të vogël, në dhjetor të 1893 të nisej drejt Stambollit për tu takuar me sulltan Abdylhamidin II. Ky udhëtim u shfrytëzua nga qeveria osmane për ta mbajtur atë për dy vite në Stamboll.

Më 15 tetor 1895, Haxhi Zeka u lejua të rikthehej në Kosovë ku nga Shkupi deri në Pejë populli organizoi manifestime të shumta.

Rrethanat që u krijuan në vilajetin e Kosovës për shkak të sulmeve të bandave serbe, bullgare dhe malazeze shtruan nevojën për krijimin e një organizate politiko-ushtarake të ngjashme me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Në nëntor të 1897 në Pejë u organizua një takim ku merrnin pjesë 500 delegatë. Ata diskutuan mbi çështjen e reformave dhe mbrojtjen e territoreve shqiptare nga fqinjët. Për të diskutuar më me detaje këto probleme u vendos mbajtja e një Kongresi, i cili i zhvilloi punimet nga 26-30 janar 1899 ku morën pjesë 450 delegatë. Në këtë Kongres u vendos krijimi i lidhjes “Besa-Besë” ose “Besëlidhja e Pejës” e kryesuar nga Haxhi Zeka. Ajo miratoi një rezolutë, e cila megjithëse njihte pushtetin suprem të sulltanit, kishte disa pika që lidheshin drejtpërdrejtë me mbrojtjen dhe autonominë e territoreve shqiptare, si: krijimi i ushtrisë vullnetare që do të financohej nga pasanikët lokalë; furnizimi i saj nga depot e ushtrisë osmane; komandantët e këtyre njësive të ishin shqiptarë; ndalimin e gjakmarrjes etj.

Lidhja e Pejës bëri që popullariteti i Haxhi Zekës të rritej aq shumë saqë në relacionet e konsujve të huaj ai konsiderohej si guvernator i ardhshëm i vilajeteve të bashkuara shqiptare. Me ndërhyrjen e tij në Stamboll u ndërruan mytesarifët osmanë në Pejë, Prishtinë dhe Prizren si dhe valiu i Kosovës.

A ka pasur një marrëveshje mes Haxhi Zekës dhe qeverisë osmane kundër shteteve ballkanike? Gjasat janë të shumta. Por, ajo që ka rëndësi është përpjekja e Haxhi Zekës dhe e Lidhjes Shqiptare të Pejës për të penguar shtrirjen e influencës sllave në Kosovë.

Për këtë arsye, konsujt serbë, në relacionet e tyre për MPJ e prezantonin atë si njeri që punonte për krijimin e një Shqipërie të pavarur e që dëshironte t`ia bashkonte atë Austro-Hungarisë. Kjo e fundit bëhej për të amplifikuar rrezikshmërinë e tij, sepse, në kuvendin e Pejës ai kishte kritikuar politikën e Vjenës ndaj shqiptarëve.

Në shkurt të 1901, Haxhi Zeka organizoi një takim në tyrben e sulltan Muratit, ku parashtroi edhe një herë rrezikun e vendeve ballkanike. Kjo bëri që qeveria serbe të merrte masa për ta eleminuar Haxhi Zekën. Ajo e konsideroi atë si faktor pengues për ekspansionin e saj. Për realizimin e këtij plani, konsulli serb në Prishtinë, Sima Avramoviq kompromentoi me para kundërshtarin e njohur të Haxhi Zekës, gjakovarin Mehmed Zajmi. Ky i fundi nxiti të birin që punonte si xhandar osman, Adem Zajmin, për të vrarë Haxhi Zekën. Atentati u realizua më 20 shkurt 1902, në çarshin e Pejës. Vrasja ngjalli indinjatë të madhe në mesin e popullsisë, e cila kërkoi dënimin maksimal për autorin.

Në tekstin e Historisë së Popullit Shqiptar të para viteve 90-të shkruhej se Haxhi Zeka ishte eleminuar nga pushteti turk. Ndërsa dokumentacioni serb dhe ai austro-hungarez, flet hapur se organizatorë të vrasjes ishte konsulli dhe agjentura serbe në Kosovë. Kjo, siç kishin vepruar gjithmonë, me dorën e shqiptarëve.

Disa kohë më pas diplomacia serbe nëpërmjet përfaqësuesit të saj dhe ambasadorit rus në Stamboll arriti që të nxirrte nga autoritetet osmane një amnisti të posaçme për vrasësin e Haxhi Zekës.

Në vitin 1912, pas ndonjë kërkese për t`i plotësuar të gjitha premtimet, Adem Zajmi u zhduk pa gjurmë po nga serbët.

YouTube player