Shumica e madhe e evropianëve nuk e shohin më Amerikën si aleate
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk shihen më si aleat, por më shumë si “partner të domosdoshmëm” nga shumica e madhe e qytetarëve të Evropës. Sipas një ankete që ka bërë Komiteti Evropian për Politikë të jashtme (ECFR), një think tank me renome, vetëm 21 për qind e të anketuarve janë shprehur se SHBA-në e shohin si aleate. Ndërkohë 50 për qind mendojnë se Amerika është vetëm “partnere e domosdoshme”.
Këto shifra janë alarmante duke pasur parasysh rolin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës historikisht e kanë luajtur në çlirimin, mbrojtjen, zhvillimin dhe unifikimin e Evropës. Por kjo mund të jetë rezultat i fjalorit gjithnjë e më negativ që presidenti i posazgjedhur Amerikan, Donald Trump, po e përdor për aleatët evropianë, duke i qortuar si “shfrytëzues të Amerikës” dhe duke i kërcënuar me luftë tregtare.
Qëndrimi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më shumë “partner i domosdoshëm” sesa “aleat” dominon në të gjitha 14 vende evropiane ku janë bërë anketat me qytetarët, përfshirë edhe ato vende ku popullata ka qenë jashtëzakonisht proamerikane si në Poloni, Estoni dhe Danimarkë. Në Spanjë, Amerikën si aleate e shohin jo më shumë se 14 për qind e të anketuarve. Madje edhe në Britani të Madhe, aleatin tradicionalisht më të rëndësishëm që Amerika ka në Evropë, ka më shumë qytetarë që e shohin SHBA-në si “partner i domosdoshëm” sesa si një aleat.
Po ashtu, shumica e evropianëve nuk e shohin si “të dobishme” për paqen në botë zgjedhjen e Donald Trumpit si president. Më së shumti zgjedhjes së Trumpit për president i gëzohen mbështetësit e të djathtës ekstreme në Evropë. E në anën tjetër në vendet si Hungaria dhe Bullgaria shumica e shohin si “të dobishme” zgjedhjen e Trumpit ndërkohë që në Danimarkë dhe Gjermani shumica e madhe si “jo të dobishme”.
Rruga Press