Shtrenjtohen dhe kostot e ndërtimit
Rritja e çmimeve, krahas produkteve ushqimore po shtrihet dhe në sektorë të tjerë, duke përfshirë ndërtimin.
Kjo rritje ka ardhur kryesisht për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para, ku rolin kryesor e luan hekuri. Teksa ndërtimi po vuan për gjetjen e fuqisë punëtore, kompanitë janë detyruar të rritin dhe pagat për punonjësit, duke u renditur në faktorin e dytë që ka ndikuar në rritjen e kostove të ndërtimit. Transporti është një tjetër faktor që ka shtrenjtuar kostot.
INSTAT raportoi se Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e dytë 2021 arriti 101,5 kundrejt tremujorit të katërt 2020 si periudha bazë. Ndryshimi vjetor i Indeksit të Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e dytë 2021 është 1,3%, një vit më parë ky ndryshim ishte 0,4%.
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime materiale” dhe “Shpenzime për paga” me 2,0% secili, pasuar nga grupet “Kosto të tjera” me 1,8%, “Shpenzime transporti” me 1,4% dhe “Shpenzime makinerie” me 0,3%. Brenda grupit “ Shpenzime materiale”, indekset e nëngrupeve “Materiale ndërtimi” dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” shënuan rritjen më të lartë me 2,2% secili.
Ndryshimet tremujore të grupeve kryesore:
Indeksit i Kushtimit në Ndërtim shënoi rritje me 0,6% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021. Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime transporti” me 1,3%, pasuar nga grupet “Shpenzime materiale” me 0,9%, “Shpenzime makinerie” me 0,5%, “Shpenzime për paga” me 0,4%, “Kosto të tjera” me 0,2% dhe “Shpenzime energjie” me 0,1%.
Rruga Press