Shtatë vitet e fundit ishin më të nxehtët e regjistruar, zbulon raporti i ri i klimës
Programi i monitorimit të klimës i Bashkimit Evropian, ‘Copernicus’, ka publikuar një raport të ri të hënën që zbulon se shtatë vitet e fundit ishin më të nxehtët e regjistruar ndonjëherë.
Në nivel global, viti 2021 ishte 0.3 gradë Celsius më i lartë se temperatura mesatare midis viteve 1991 dhe 2020, dhe ishte gjithashtu 1.1 deri në 1.2 gradë mbi nivelin para-industrial të viteve 1850-1900.
Raporti gjithashtu vuri në dukje përqendrime rekord të gazeve serrë.
“2021 shfaqet si një vit shumë i nxehtë në renditjen tonë”, zbuloi Vincent-Henri Peuch, drejtor i Shërbimit të Monitorimit të Atmosferës ‘Copernicus’.
Në shtatë vitet e fundit, vetëm 2015 dhe 2018 ishin më të freskët. Shumë ekspertë tani janë të bindur se ngrohja globale po kontribuon në rritjen e numrit të fatkeqësive natyrore të vërejtura vitet e fundit: stuhi ekstreme, temperatura të pazakonta në Amerikën e Veriut, me gati 50 gradë Celsius të regjistruar në Kanada dhe ngjarje të tjera.
Vera e kaluar ishte gjithashtu më e nxehta e regjistruar në Evropë, me temperatura deri në 49 gradë Celsius në Sicili dhe një valë të nxehti që shkaktoi zjarre shkatërruese, veçanërisht në Evropën Jugore.
Ndryshimi i klimës nuk nënkupton vetëm temperatura më të larta, por gjithashtu shkakton ngjarje ekstreme të motit, si përmbytjet shkatërruese që ndodhën në Gjermani dhe pjesë të tjera të Evropës gjatë verës.
Nuk është për t’u habitur që shtatë vitet e fundit kanë treguar këtë prirje rritëse; emetimet e karbonit po rriten dhe për rrjedhojë edhe temperaturat.
Në samitin e fundit të klimës në Glasgow, pjesëmarrësit u zotuan të kufizojnë çdo rritje të temperaturës në 1.5 gradë Celsius mbi mesataren para-industriale, megjithëse përmbushja e këtij objektivi nuk është aspak e sigurt.
Rruga Press

