Shqiptari nga Ukraina: Jemi gati për luftë
Në emisionin SOT në Euronews Albania u diskutua për rolin e Shqipërisë në tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës.
I ftuar në studio, përmes një lidhje nga Ukraina ishte Aleksandër Dermentli, kreu i shoqatës “Bashkimi i Shqiptarëve të Ukrainës”.
Ai tha se shqiptarët në Ukrainë janë gati për luftë dhe se kanë nevojë për ndihmën e shtetit shqiptar.
“Uroj që nuk do të ketë. Jemi gati për luftë, kemi marre këshillimet. Kam biseduar me shokë shqiptarë dhe ushtarakë dhe kemi një plan për ditën që mund të jemi në luftë”, tha ai.
“Qyteti ka një plan për t’u organizuar bashkë. Kam shkruar letër Ministrisë së Jashtme, kemi nevojë për ndihmë. Duam të paktën që fëmijët të evakuohen në Shqipëri. Kemi plan që të vijmë ne Shqipëri nëse do të ketë luftë”, u shpreh Aleksandër Dermentli.
Shtetet e Bashkuara kanë shprehur frikën se grumbullimi i trupave ruse mund të çojë në pushtimin e Ukrainës. Uashingtoni ka thënë se një gjë e tillë mund të ndodhë në “çdo moment”.
Rusia ka grumbulluar mbi 130,000 trupa në afërsi të kufijve të Ukrainës. Moska ka hedhur poshtë se ka plane që ta pushtojë Ukrainën.
Kremlini, për të ndalur sulmin ndaj Ukrainës ka kërkuar nga Perëndimi që:
- Ukraina të mos pranohet në NATO
- NATO-ja t’i japë fund aktivitetit ushtarak në Evropën Lindore dhe të tërheqë trupat nga Polonia dhe republikat baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania
- Aleanca veriatlantike të mos pozicionojë raketa në shtetet afër apo në kufi me Rusinë
Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja janë përgjigjur duke thënë se Ukraina ka të drejtë të zgjedhë aleatët e vet, mirëpo i kanë ofruar Rusisë mundësinë e negocimit rreth raketave dhe çështjeve tjera.
Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014.
Ky vend po ashtu mbështet rebelët në konfliktet në rajonet lindore të Ukrainës, në të cilat kanë vdekur rreth 14,000 persona.
Rruga Press