Editorial

Shqiptarët nuk kanë pse të jenë bashkë vetëm në prani të serbëve

Editorial nga Rruga Press

Nisma serbe Open Ballkan është ide e serbëve. Këtu nis dallimi mes Ramës dhe Kurtit: 

  • Rama kërkon Ballkanin e hapur si qëllim të kombit shqipatr, si strategji të kombit shqiptar. 
  • Kurti kërkon integrimet evropiane si qëllim të kombit shqiptar dhe të shteteve shqiptare.  

Deklaratat që rrjedhin prej kësaj janë: 

  • Rama kërkon të hiqet dorë nga integrimet evropiane – meqë Evropa nuk na ka respektuar. Ai kërkon po ashtu një bashkim rajonal me çdo kusht, qoftë edhe vetëm tre shtete. 
  • Kurti thërret krijimin e Sefta-s në vend të Cefta-s, ndryshim i cili edhe ekonomikisht priret nga Evropa. Kurti kërkon gjithashtu që të shtrohet për zgjidhje anëtarësimi i njëkohshëm i gjahtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. 

Faktet që rrjedhin prej këtej janë: 

  • Për Ramën:  
  1. Takime të shpeshtë me Vuçiqin dhe Zaievin,  
  2. Presion dhe nguti për bashkëpunim ekonomik me Serbinë, 
  3. Presion mbi shtetin e Kosovës, kur ky nuk i ka zgjidhur problemet me Serbinë, 
  4. Mohim i Evropës si destin i shqiptarëve, por vajtje drejt lindjes, 
  5. Akuzë për Bullgarinë, e cila për momentin është një vend me të cilin mund të bashkëpunohet në të mirë të elementit shqiptar në Ballkan, 
  6. Presion mbi Bosnjë-Herzegovinën që e ka shtetin të kërcënuar prej republikës gjenocidale serbe, 
  7. Presion mbi politikën e brendshme të Kosovës në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar, gjë që nuk do t’i interesonte si shembull Tiranës para publikut të saj. 
  • Për Kurtin: 
  1. Takime sa më të kujdesshëm dhe me platformë e kushte të qartë me Serbinë, 
  2. Këto tryeza me implikimin sa më të madh dhe serioz të Brukselit dhe Washingtonit, 
  3. Reflektimi i një gjeopolitike rajonale ku pro shqiptarëve mund të qëndrojë aktualisht: Mali i Zi që po ndjen të kërcënohet dhe dëmtohet prej Serbisë; Kroacia e cila është shteti më serioz që implikohet drejtpërdrejt në marrëdhëniet mes sheteteve të Ballkanit Perëndimor; Bullgaria për hir të interesave të saj. 
  4. Realizimi i një shteti të qëndrueshëm e pa korrupsion për Kosovën, proces i cili kërkon kohën e vet, 
  5. Hyrja zhvillimore përmes Evropës dhe mërgatës shqiptare, dhe jo përmes varësisë ekonomike, financiare dhe tregtare prej shtetit të Serbisë. 

Parimisht ne zbulojmë se Edi Rama i duhet shumë Vuçiqit. Me Ramën ky i fundit ka për qëllim ta fusë në sanduiç Kosovën. Ky presion i bën punë Vuçiqit sepse i heq prej supesh humbjet në dialog dhe integrimin në Evropë. Kështu Rama po e çliron Vuçiqin nga përgjegjësia e integrimeve evropiane para publikut të vet serb. Duhet kuptuar se në këtë mënyra ai që po e kthen politikën e vet të brenshme në të jashtme nuk është Kurti – siç e deklaroi Rama –, por vetë Rama. Madje, ai po e sllavvizon politikën shqiptare me aq sa mundet. Pra në parim, konflikti qëndron në orientimin shtetëror të shqiptarëve. Qeveria e Tiranës po përpiqet ta vendosë Shqipërinë sërish në projektin jugosllav, kësaj here mini-jugosllav (gjithnjë projekt i serbëve për hegjemoni në Ballkan).  

Prishtina synon që shqiptarët në shtetin e Kosovës dhe në trevat e tjera ta kenë të lidhur jetën dhe garancinë e tyre me Evropën e Bashkuar, e sidomos më Shtetet e Bashkuara. Nëse me vendosjen e blloqeve, në 1945-n, Republika e Shqipërisë ra në lindje, po këtë qëllim po kërkon të realizojë sot Rama. Prishtina mendon se shqiptarët i takojnë qëndrimit konseguent në proceset evropianë, sado e gjatë të jetë lista e kërkesave të këtij procesi. Kushti bazë i integrimeve evropiane është lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjë të cilën Rama nuk e ka prioritet. Kushti bazë i integrimeve në minijugosllavinë e Vuçiqit është politika hegjemoniste, sa për korrupsionin, të tre shtetet që po bashkëveprojnë deri tani mes tyre janë të krimbur deri në skaj.  

Ndaj dhe për Prishtinën, para çdo projekti ballkanik, është i rëndësishëm bashkëpunimi sa më i gjerë dhe i pandërmjetësuar mes shteteve të shqiptarëve. Shqiptarët kanë nevojë për ndërmjetës evropianë kur takohen me serbët, kur takohen mes vedi, nuk kanë nevojë as për ndërmjetës evropian, amerikan e aq më tepër sllav serb. 

Çdo përpjekje që e vendos Prishtinën në projekte ku është edhe Serbia, para se kjo të ketë njohur përfundimisht Kosovën, është përpjekje kundër Kosovës. Prirja e Edi Ramës për ta detyruar Kosovën të vijë në tryeza ku zotër janë serbët, është përpjekje kundër Kosovës. Pyetja që i drejtohet Ramës prej gazetares mbi  prioritetin e njohjes së Kosovës prej Serbisë, Rama i përgjigjet se më e rëndësishme është të hiqen radhët kilometrike në kufirin e Morinës. Rama e thotë hapur se qarkullimi iishalqinjve i intereson më shumë se njohja e Kosovës. Rama nuk nguron edhe të gënjejë: ai thotë se fitore sot është që serbët të qëndrojnë në tryezë, sepse ata janë larguar gjithnjë prej saj. Përkundrazi, serbët kanë qëndruar në të gjitha tryezat nga ka fituar nënshkrimet që i interesonin. Edi Rama gënjen kur thotë se Gjermania është pro nismës serbe Ballkan i Hapur. Nisur nga kjo ai kritikon Procesin e Berlinit. Edi Rama gënjen kur thotë se Lajçak nuk e ka cilësuar të pandershme nismën serbe Ballkan i Hapur ndaj integrimeve evropianë. Rama e ka shprehur edhe herë të tjera se kushti për të qenë shqiptarët të bashkuar është prania e Beogradit, pra Serbisë. Ky është faji politik kombëtar i Ramës.  

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *