Shqiptarët e Vilajetit të Kosovës para 110 vjetëve/ Gënjeshtrat e mediave shtetërore (serbe) për shqiptarët (arnautët)
Tekst nga “Radničke novine”, 27 maj 1914 përktheu në shqip Nexha Gjema
Duke lexuar shtypin borgjez, i cili si me një zë dhe me udhëzime të veçanta shkruan për Shqiptarët (Arnautët) si një popull dembel dhe hajdut, një popull që është mësuar të jetojë nga djersa e të tjerëve, njeriu thjesht duhet të mbetet i shokuar kur të vijë personalisht në kontakt me këtë popull dhe të kalojë vendet ku ata jetojnë, dhe të bindet se gjithçka që shtypi ynë borgjez thotë për Shqiptarët (Arnautët) si komb, është e gjitha një gënjeshtër, dhe e kundërta është e vërtetë.
Nga verifikimet personale kam arritur në përfundimet:
Shqiptarët (Arnautët) janë një popull punëtor. Për t’u bindur për këtë, mjaftoi të udhëtoja, qoftë edhe me tren, përmes Grykës së Kaçanikut dhe të shihja rrugën moderne që është prerë nëpër grykë, përmes shkëmbinjve dhe që është bërë nga dora e atij populli “barbar”. Përveç kësaj, mjaftoi të shihja çdo copë toke, ku nuk është shkëmb dhe gur, dhe nëse është në kodër, e punuar dhe e mbjellë bukur. Nga stacioni hekurudhor ‘Vučji Do’ përmes Kaçanikut deri në Ferizaj, e gjithë zona është kryesisht e banuar nga kombi arnaut dhe askund, absolutisht askund, nuk pashë tokë të braktisur dhe të papunuar. Për më tepër, në terrenet e rrafshëta, arat janë lidhur me ishuj lumor dhe potokor, veçanërisht me kanale të drejtuara dhe të kryqëzuara nëpër arat, duke krijuar një sistem ujitjeje primitiv, por shumë të mirë, në mënyrë që edhe në rastin e mungesës më të gjatë të shiut, të korrat kanë mjaft lagështi.
Shqiptarët (Arnautët) në këtë pjesë të Kosovës janë edhe një popull i ndershëm. Këtë e dëshmon prania e dhjetëra tregtarëve serbë të pasur, të cilët edhe gjatë kohës së administratës turke mbanin gjithë tregun e Ferizajit në duart e tyre. Ferizaj është një qendër tregtare ku mblidhet gjithë importi dhe eksporti i Prizrenit, Gjakovës dhe Kaçanikut dhe megjithatë, përveç tre arnautëve katolikë, të tjerët janë vetëm tregtarë serbë. Nëse Shqiptarët (Arnautët) do të ishin ashtu siç i përshkruan shtypi ynë borgjez, asnjë tregtar serb nuk do të mund të mbijetonte, e aq më pak të kishte gjithë tregun në duart e tyre. Kjo është veçanërisht e vërtetë duke marrë parasysh faktin se në të gjithë këtë zonë jetojnë kryesisht Arnautë.
Që Shqiptarët (Arnautët) nuk janë hajdutë është dëshmia më e mirë rebelimi i Arnautëve dhe pushtimi i Shkupit, kur askujt nuk i mungoi jo vetëm koka ose një tufë flokësh nga koka, por asnjë kulaç nga furra. Në atë rebelim, sipas tregimeve të banorëve të Shkupit, kishte edhe Arnautë të varfër, madje edhe të zbathur, por asnjëri prej tyre nuk i mori asgjë askujt me forcë ose “rekvizim”.
Ndërkohë, me ardhjen e ushtrisë sonë dhe autoriteteve tona, gjërat qëndrojnë, por në dëm të tonë, shumë më keq.
Ndërsa nën administratën turke, serbët mund të zhvillonin lirisht tregtinë e tyre dhe të shisnin mallrat e tyre turqve dhe arnautëve për lirat e tyre të arta, autoritetet tona ushtarake me “rekvizim”, që nuk do të paguhet kurrë, u morën arnautëve gjithçka që mund të merrej, grurë, misër, bagëti, me një fjalë gjithçka që gjetën në fushë dhe në shtëpi.
Ndërsa nën turqit dhe te Shqiptarët (Arnautët) çdo serb mund të kryente çdo punë në komunë dhe në rreth për maksimumi 20 groshë, sot një arnaut nuk mund të hyjë në komunë ose rreth pa një medhjedie të artë. Se sa i ndershëm është puna e autoriteteve tona, dëshmia më e mirë është pasuria e Marko Despotoviqit, kryetarit të komunës, i cili në një vit e gjysmë, në mënyrë “të ndershme”, ka fituar më shumë pasuri se çdo arnaut në Ferizaj.
Ndërsa serbët paguanin turqve si taksa një të dhjetën e të gjitha të korrave, sot Shqiptarët (Arnautët) paguajnë mund të thuhet gjysmën, jo nga të korrat, por nga gjithë pasuria e tyre. Se kjo është e vërtetë dëshmia më e mirë është taksa e caktuar për fshatin Stari Kaçanik, pranë Ferizajit, ku asnjë fshatar nuk paguan më pak se 100 dinarë. Edhe pse në këtë fshat ka shumë familje që jashtë shtëpisë dhe oborrit nuk kanë asgjë tjetër dhe që mbahen me punë krahu, megjithatë nuk ka asnjë shtëpi të liruar nga taksa. Dhe a është atëherë çudi që shumë familje shesin pasuritë e tyre për 200-3000 dinarë dhe ikin nga vatrat e tyre.
Edhe pse mund të besoja se rebelimet e sotme sporadike të arnautëve janë rezultat i plaçkitjes dhe dhunës së pakufizuar, që mbi ta kryejnë “kulturëbërësit” tanë, gjithsesi u befasova kur këtë ma konfirmoi në tren edhe një toger i regjimentit të 18-të me këto fjalë:
“Nuk kalon as një javë që autoritetet komunale nga rrethet arnaute nuk na dërgojnë një raport: Shqiptarët (Arnautët) janë rebeluar, dërgoni një njësi ushtarake. Shkojmë me një ose dy kompani këmbësorie dhe me 2-3 topa në fshatin përkatës, por atje çdo gjë është e qetë. Thërrasim disa arnautë dhe ata na thonë përafërsisht kështu: Ka pasur disa të shtëna nga kjo dhe kjo shtëpi. Por banorët e shtëpisë kanë qëlluar ndaj disa rojeve dhe pylltarëve që donin të përdhunonin gratë. I pyesim: ku janë ata që kanë qëlluar, ata na përgjigjen: Kanë ikur në pyll, dhe në shtëpi kanë mbetur vetëm fëmijët dhe gratë. Shkojmë në ato shtëpi dhe bindemi për vërtetësinë e ankesave të arnautëve”.
[…]
Le t’u jepet Shqiptarëve (Arnautëve) dhe të gjithë qytetarëve të Serbisë së re një regjim kushtetues demokratik i drejtë, le t’u jepet vetëqeverisje e plotë komunale dhe liri e lëvizjes dhe e tregtisë, le të mos ngarkohen me taksa të ndryshme të rregullta dhe të parregullta; le t’u garantohet nderi i shtëpisë dhe siguria personale dhe pasurore nga rojet shtetërore dhe komunale zyrtare dhe jozyrtare të rendit, punës dhe ligjit, dhe shpejt do të bindet i gjithë bota se Shqiptarët (Arnautët) e sotëm “të egër” janë shumë më të ndershëm dhe më të kulturuar se pushtuesit dhe kulturëbërësit e tyre.
Tekst nga “Radničke novine”, 27 maj 1914.
Rruga Press