Lajme

Shqiptarët e Bujanocit ankohen për diskriminimin e tyre në punësim

Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi të premten ka organizuar një aksion simbolik para stacionit policor në Bujanoc. Ata kanë kërkuar respektim të neneve të Kushtetutës që parashohin punësim të pakicave. Nevzad Lutfiu, kryetar i Këshillit, ka thënë se shqiptarët janë përjashtuar dhe diskriminuar nga institucionet

Dy pankarta janë vendosur nga një grup shqiptarësh në mëngjesin e së premtes para stacionit policor në Bujanoc. Njëra në gjuhën shqipe e tjetra në atë serbe mbanin mbishkrimin “respektojeni Kushtetutën”, që ishte thirrje drejtuar Ministrisë së Brendshme që ta respektojë nenin që parasheh punësimin e pakicave.

Nevzad Lutfiu, kryetar i Këshillit, ka thënë se ndonëse ka kuadro profesionale, shqiptarët po përjashtohen dhe diskriminohen nga jeta institucionale në Serbi.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

“Në qytetin e Bujanocit dhe të Preshevës po vijnë qytetarë dhe kuadro nga qytetet e tjera të Serbisë dhe po anashkalohen kuadrot profesionale të Bujanocit dhe Preshevës. Në raport me Ministrinë e Brendshme po e ritheksoj se ekziston një marrëveshje mes qeverive, ku qytetarët duhet të punësohen në institucione shtetërore, por që ajo marrëveshje nuk është respektuar asnjëherë nga ana e Serbisë”, ka thënë Lutfiu.

Lutfiu ka shprehur shqetësimin se si pasojë e situatës aktuale është rritur edhe numri i emigrimit të popullsisë shqiptare nga Lugina.

“Është rast i vetëm në Evropë dhe shumë rrallë në botë, ku shteti e diskriminon një pakicë brenda territorit të vet, vetëm për shkak të përkatësisë etnike. Normalisht një qytetar ndihet totalisht i braktisur prej shtetit të vet, e ndihet edhe i pasigurt, nuk dëshiron që të ardhmen e vet ta shoh brenda këtij territori. Prandaj edhe e kemi nivelin e lartë të emigrimit. Për momentin janë duke emigruar të gjitha shtresat e shoqërisë dhe kemi një numër jashtëzakonisht të madh të njerëzve që po emigrojnë”, ka thënë Lutfiu.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

Lutfiu bëri thirrje që bashkësia ndërkombëtare të kthejë vëmendjen te shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe te politikat raciste të Serbisë.

Punësimi nuk është problemi i vetëm i shqiptarëve në Serbi. Telashe kryesore ata konsiderojnë pasivizimin e adresave. Nëpërmjet këtij procesi, sipas tyre, po synohet shpopullimi i Luginës nga shqiptarët.

Rruga Press

YouTube player