Shqipëria tronditet nga 2 atentate brenda javës, 4 të vrarë dhe 1 i plagosur, policia asnjë gjurmë nga autorët
Vendi ynë është tronditur nga dy atentate brenda një jave që lanë pas 4 të vrarë dhe 1 të plagosur rëndë.
Pasditen e 17 korrikut, 4 persona të paidentifikuar ekzekutuan me breshëri kallashnikovi tre të rinj në mbikalimin e Fushë-Krujës.
Viktima të atentatit mbetën Brilant Martinaj, që dyshohet se ishte dhe objektivi, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.
Tre viktimat ishin duke udhëtuar me një mjet “Volswagen Passat” nga Rinasi në drejtim të Laçit kur një makinë po “Volswagen Passat” i zuri pritë, 3 persona dolën nga mjeti dhe zbrazën breshërinë e kallashnikovit mbi ta.
Në foto 3 viktimat e atentatit në Fushë-Krujë, Besmir Hoxha, Diklen Vata, Brilant Martinaj
Nga breshëria e plumbave makina shpërtheu në flakë. Brilant Martinaj dhe Besmir Hoxha u shkrumbuan brenda Voslwagenit që u dogj. Ndërsa Diklen Vata, i cili ishte pasagjer në pjesën e pasme, mundi t’i shpëtonte plumbave dhe tentoi të largohej duke dalë nga mjeti. Kur autorët e panë që doli gjallë, u kthyen dhe u siguruan që të vdiste.
Vetëm 6 ditë pas masakrës me 3 të vrarë që tronditi Shqipërinë, krimi goditi sërish në Milot. Ylli Brahimi dhe Klisman Preçi u qëlluan me breshëri automatiku.
Preçi nuk mundi t’i mbijetojë plagëve dhe mbërriti në spital pa shenja jete.
Dy personat ishin duke qarkulluar me automjet dhe në Milot janë gjendur përballë breshërisë së armëve.
Preçi dhe Brahimi janë emra të njohur për policinë. Ata i kanë shpëtuar atentateve edhe më parë.
Brahimi ka qenë i përfshirë në biznesin e lojërave të fatit dhe i dënuar për trafik të lëndëve narkotike, ndërsa është marrë në pyetje dhe për vrasjen e ish-policit Xhelal Reçi. Ndërsa, Klisman Preçi është arrestuar për një tentativë grabitjeje me armë në Milot.
Si i shpëtoi Ylli Brahimi atentatit në janar të vitit 2021
Ylli Ibrahimi i ka shpëtuar një atentati të bërë në janar të vitit të shkuar. Atentatorët e biznesmenit, mbi të cilin u zbrazën plot 20 plumba nga automatiku ‘Scorpions’, ndoqën rrugën Tiranë-Milot e më pas u zhdukën drejt Burrelit, pa u ndaluar nga asnjë efektiv policie.
Dy personat, që u shfaqën me ‘Suzuki’ e me maskë në kokë në qendër të Milotit, janë nisur nga Tirana. Kamerat e aeroportit të Rinasit kanë pikasur dy të rinjtë e veshur me ngjyrë blu, që kalojnë pranë tij në drejtim të Milotit.
Pasi mbërrijnë në Milot, të rinjtë qëllojnë biznesmenin Ylli Ibrahimi, të cilin e kapën plot shtatë plumba në gjymtyrët e poshtme, e më pas u zhdukën. Edhe pse ngjarja ndodhi në orët e paradites, konkretisht në orën 11:57, dy autorët kanë përshkuar kilometra të tëra rrugë, të pashqetësuar.
Mos ndalimi i tyre nga uniformat blu ka bërë që të rinjtë të mbërrijnë në destinacionin të cilin e kishin paracaktuar për tu fshehur pas krimit, duke lënë pas misterin e identitetit të tyre dhe biznesmenin Ibrahimi të shtrirë në tokë. Vetë biznesmeni që ra pre e këtij atentati të ndodhur më 13 janar mohoi aso kohe të kishte konflikte dhe ishte shprehur se nuk e ka aspak idenë se kush qëndron pas sulmit të organizuar.
Më 14 maj të këtij viti, Blerim Preçi u qëllua me armë rreth orës 20:00 teksa lëvizte me një makinë tip “ML” në të cilën ishte pasagjer edhe kushëriri i tij Klisman Preçi. 28-vjeçari Blerim Preçi, dyshohet se është ndjekur për disa kohë dhe autorët i dinin lëvizjet e tij.
Autorët të cilët lëviznin me një makinë “Audi” raportohet se i janë afruar makinës së të riut nga Miloti duke dalë paralel dhe më pas kanë hapur zjarr ndaj tij. Sapo ka dëgjuar të shtënat Blerim Preçi ka frenuar makinën dhe më pas është hedhur në lëvizje e sipër. Makina ka vijuar të ecë dhe ka dalë jashtë rruge pas disa metrash.
Kush dyshohet se është objektivi
Gazetari Gjergji Figuri raporton se Ylli Brahimi dyshohet të jetë objektiv i atentatit, shkruan abcnews.al. Pas atentatit, një makinë e djegur u gjet në Borizanë. Dyshohet që makina e djegur të jetë përdorur nga autorët, dhe brenda saj u gjetën edhe dy armë zjarri kallashnikovë.
Pas atentatit, dyshohet se autorët janë larguar drejt Laçit. Policia ka ngritur postblloqe. Kontrolle po kryhen edhe në Kurbin, pasi ka dyshime se autorët të jenë nga kjo zonë.
Dinamika e ngjarjes
Është mësuar edhe dinamikën sesi janë ndjekur e më pas qëlluar me të paktën 100 plumba “shënjestrat” e kësaj tentative për ekzekutim, Klisman Preçi dhe Ylli Brahimi. Mësohet se automjeti i viktimave, një furoristradë tip “Toyota” e blinduar është ndjekur nga autorët nga pas. Këta të fundit kanë qenë duke lëvizur në Milot edhe para ngjarjes.
Pasi i bllokuan lëvizjen automjetit me targa të Shkupit, autorët që mbanin kapele në kokë kanë zbritur nga makina e tyre dhe kanë qëlluar në drejtim të fuoristradës ku ndodheshin Preçi dhe Brahimi. Pasi kanë parë se plumbat nuk po e përshkonin mjetin, një nga autorët e ka ndjekur dhe pasi është futur në rrugicë, ka qëlluar në hyrje të pallatit. Autorët mbeten ende të paidentifikuar.
Rruga Press