Shqipëria po plaket/ Më pak të rinj brenda territorit, më shumë 60 deri në 80 vjeçarë
Numri i fëmijëve deri në 14 vjeç në Shqipëri ka rënë ndjeshëm gjatë vitit të shkuar. Në të kundërt sipas INSTAT, brenda territorit janë më shumë të moshuar nga 60 deri në 80 vjeç. Në analizën e popullsisë bëhet e ditur se dhe numri i banorëve ka pësuar tkurrje të mëtejshme.
Shqipëria po shkon drejt plakjes së popullsisë me ritme të shpejta. Sipas INSTAT, në 1 janar të vitit 2021 brenda territorit kanë qenë 2 milion e 830 mijë banorë me një rënie prej 0.6 përqind.
Faktor kryesor mbetet emigracioni i lartë por dhe rënia e lindjeve. Sipas INSTAT, lindshmëria është në 1.3 për qind për grua.
Në vitin 2019 rezulton se 17.9 për qind e popullsisë ishin të moshës 0 deri në 14 vjeç, por aktualisht kjo shifër ka zbritur në 16.5 për qind.
Rënie ka edhe grupmosha deri në 59 vjeç dhe nga ana tjetër janë rritur ndjeshëm të moshuarit.
Në vitin 2019 grupmosha 60 deri në 79 vjeç përbënte 17.7 për qind të popullsisë, duke shkuar aktualisht në 18.9 për qind.
Edhe popullsia mbi 80 vjeç ka shkuar në 3 për qind.
Emigracioni mbetet një fenomen negativ për vendin dhe sipas të dhënave zyrtare të INSTAT në vitin 2020 janë kthyer 16 mijë shqiptarë më pak nga sa u larguan jashtë vendit.
Për shkak dhe të Covid-19 edhe treguesi i jetëgjatësisë ka pësuar një rënie tek të dy gjinitë, por rënia shihet me shumë tek meshkujt me 2 vite.
Rruga Press