KryesoreLajme

Shqipëria përmbytet, Edi Rama bën ironi nga zyra e tij në kryeministri

Situata nga përmbytjet vijon të jetë kritike në disa qarqe të vendit, pas reshjeve të dendura të shiut që nisën prej të martën dhe zgjatën gjatë gjithë natës. Pamjet nga terreni tregojnë makina të zhytura në ujë mes qendrave urbane që kaluan në kolaps për shkak të reshjeve të shumta. Rrugë të mbuluara nga balta dhe inertet, shtëpi dhe biznese nën ujë, automjete të shkatërruara, familje të evakuuara me urgjencë dhe zona të tëra të izoluara nga rrëshqitjet e dheut.

Në Durrës, bilanci paraprak flet për të paktën 800 banesa të përmbytura dhe mbi 300 persona të evakuuar. Edhe pse sot situata duket më e qetë, problemet mbeten të theksuara në periferi dhe veçanërisht në zonën e ish-Kënetës, ku uji ka hyrë në shtëpitë e banorëve.

Uji nuk është tërhequr ende, ndërsa në burgun e Durrësit oborri dhe kati i parë i godinës vijojnë të jenë nën ujë. Pamjet me gomone brenda institucionit flasin për një situatë të paprecedentë.

Gjirokastra paraqitet si një nga zonat më të goditura. Në lagjen “18 shtatori”, dhjetëra biznese, banesa dhe makina janë dëmtuar rëndë, ndërsa lumenjtë dhe përrenjtë kanë sjellë masivisht gurë dhe inerte në rrugë e dyqane, duke krijuar një situatë që banorët e përshkruajnë si apokaliptike. Akset rrugore drejt Kakavijës dhe Valarës janë bllokuar, duke izoluar zona të tëra.

Lexo më shumë  Apeli i GJKKO lë në fuqi masat e sigurisë për Belinda Ballukun dhe 2 vartësit e saj

Lezha dhe Kurbini kanë pasur një përmirësim relativ gjatë natës, por Laçi dhe disa fshatra vijojnë të jenë të rrethuar nga uji. Në Kukës, situata është edhe më e rëndë. Dhjetëra fshatra janë të bllokuara për shkak të rrëshqitjeve masive të dherave. Në njësinë administrative Zapot, të tre rrugët lidhëse me qytetin janë të pakalueshme.

Por kësaj situate të vështirë për mijëra shqiptarë, i është shtuar një reagim ironik nga kryeministri Edi Rama që ka vite që nuk del nga zyra në raste emergjencash. Duke shmangur përgjegjësinë nga vetja dhe administrata që ai drejton. Rama e krahasoi situatën në Shqipëri me përmbytjet në vende të tjera të rajonit dhe Europës, ku sipas tij, opozitat atje nuk akuzojnë qeveritë e tyre për menaxhimin e keq të situatës.

“Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua, qeverinë dhe bashkinë e Durrësit, për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë… Çudi e madhe opozitat andej, po të paktën të fajësonin qeveritë e tyre, po hiç, asnjë llaf”, shkruan Rama.

Për kryeministrin, përmbytjet janë një fenomen natyror që ndodhin kudo, edhe në vendet e tjera të rajonit, ndaj qeveria shqiptare nuk ka pse mban asnjë përgjegjësi. Sepse, nëse bie shi edhe në Itali apo Greqi, atëherë sipas Ramës gjithçka që ndodh në Shqipëri është e justifikuar.

Lexo më shumë  Priten edhe 3.185 pako të tjera nga votimi me postë për zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë

Por këtë Rama e ka kuptuar pasi mori pushtetin. Sepse në rrjet qarkullojnë filmime nga koha kur ishte në opozitë dhe atëhere fajësonte kanalizimet, urbanizimin pa plan, ndërtimet mbi lumenj e përrenj, mungesën e mirëmbajtjes së infrastrukturës dhe reagimin e dobët të institucioneve, përfshirë këtu edhe qeverinë. Video poshtë:

Asokohe, kryeministri e shihte problemin tërësisht tek njerëzit që ishin në pushtet, ndërsa sot kalon nga përgjegjësia te ironia.

Këtu nuk duhet lënë pa përmendur se në zgjedhjet e kaluara banorët e Durrësit i besuan Partisë Socialiste 8 mandate deputetësh dhe mbi 80 mijë vota, pas një fushate që i bëri durrsakët të ëndërrojnë me sy hapur për investime stratosferike që do ta shndërronin qytetin në lokomotivën e zhvillimit ekonomik të të gjithë Shqipërisë./Lapsi.al

Rruga Press

YouTube player