Shqipëria në luftë me skeptikët e vaksinave
Nuk ka pothuajse asnjë shtëpi në rrethin e Sukthit të Shqipërisë ku Ndriçim Rahi dhe Anila Shameti nuk i kanë injektuar dikujt vaksina ose nuk i kanë dhënë trajtime të tjera mjekësore gjatë 30 viteve të tyre si infermierë.
Megjithatë, pavarësisht kontakteve të tyre të thella lokale, ata dhe punonjësit e tjerë mjekësorë në vendin ballkanik në vështirësi ekonomike po e shohin sfidë të vështirë për t’iu kundërvënë besëtytnive, teorive të konspiracionit në televizion dhe mediat sociale, dhe skepticizmit të përgjithshëm të vaksinave në rajon dhe të bindin vendasit se tani, para dimrit, është koha për të marrë një vaksinë. Shqipëria ka nisur një fushatë mbarëkombëtare duke shkuar nëpër shtëpi për të vaksinuar njerëzit, shkruan Associated Press.
“Dyert janë të hapura kur të shkojmë tani, por nëse u kërkojmë të marrin vaksinën për COVID-19, jo të gjithë e pranojnë”, thotë Rahi.
“Ne insistojmë, bëjmë telefonata dhe i bindim shumë prej tyre”, shton Shameti.
“Janë besëtytnitë ose teoritë konspirative në të cilat ata besojnë ose i dëgjojnë, veçanërisht me rrjetet sociale sot”, thotë doktori Mirian Beu.
Ata me sëmundje kronike kontaktohen dhe binden përmes telefonit që të vaksinohen. Të tjerë tërhiqen kur vizitojnë qendrën mjekësore për probleme të tjera shëndetësore dhe rreth 1/3 e të vaksinuarve çdo ditë i marrin dozat në shtëpitë e tyre nga një ekip prej tre infermierësh.
“Me shëndetin tim, që vuaj nga diabeti dhe kush e di se çfarë tjetër në këtë moshë, vaksina është armë e fuqishme në trupin tim”, ka thënë 69-vjeçari Mezit Jahjolli teksa po merrte dozën përforcuese. Ende, thotë ai, pesë vëllezërit e tij refuzojnë të vaksinohen.
Shqipëria ishte në mesin e të parave në Ballkanin Perëndimor që nisi vaksinimin, por deri tash vetëm 1/3 e popullsisë ka marrë të dy dozat. Mbeten mbi 60 përqind e popullsisë të pavaksinuar.
Sfidat me të cilat përballen këta punonjës shëndetësorë janë të ndryshme. Ishte e detyrueshme për studentët të vaksinoheshin në fillim të vitit shkollor në tetor, por shumë pak e respektuan, duke shkaktuar tensione. Shqipëria ka ende një kufizim gjatë natës dhe maskën e detyrueshme për të mbajtur në ambiente të mbyllura, por i vetmi vend ku kjo zbatohet realisht është te bankat.
Psikologia Marvina Troka thotë se kjo është një gjë komplekse dhe duhet të punohet me secilin individ për ta bindur.
Imami Sali Hasa në fshatin Vadardhe thotë se çështja e vaksinave është tema kryesore pas lutjeve të së premtes./ap/koha