Shqipëria në 2024 shiti më pak prodhime shqiptare në tregjet ndërkombëtare ndërsa nga ana tjetër bleu më shumë mallra të huaja. Bizneset në prag falimentimi
Shqipëria në 2024 shiti më pak prodhime shqiptare në tregjet ndërkombëtare ndërsa nga ana tjetër bleu më shumë mallra të huaja.
Eksportet ranë përsëri në vlerë në vitin që lamë pas, në një total prej 372 miliardë lekë nga 440 miliardë që ishin në vitin 2023. Në muajin dhjetor bizneset shqiptare arritën të shesin 26 miliardë lekë produkte “Made in Albania”, vlera më e ulët në 2024.
“Një pjesë janë në prag falimentimi dhe kanë vështirësi në likujdimin e pagave, nënkontraktorëve dhe nëse do ketë një ndërhyrje do jetë vetëm largimi I këtij biznesi drejt Pakistanit Indisë pra vendeve të tjera. Shumë kompani investuan për vite me radhë në markat e veta por do jetë humbje madhe për vendin tone”, tha Filip Gjoka, eksportues.
Në rënien e eksporteve shqiptare ndikuan kryesisht materialet e ndërtimit, mineralet por dhe tekstilet.(grafik) Ndërsa blerja dhe furnizimi i tregjeve shqiptare me mallra të huaj kryesisht makineri pajisje, ushqime por dhe minerale, shënoi rekorde në 2024. 894 miliardë lekë produkte u importuan nga 872 miliardë lekë një vit më parë. Kulmi u shënua në muajt e verës por dhe në fundvit.
“Shpresojmë që meqenëse ka patur kërkesa për një pjesë të disa artikujve të cilat po i ruajmë se është mësuar tregu ndërkombëtar po luftojmë që mos të shkojmë poshtë nivelit të 2024. Pasi pak shanse kemi që euro të marrë veten. Do shohim që një pjesë e mire e produkteve në Shqipëri do jenë veç të huaja me këtë situatë të eksporteve që ne kemi”, u shpreh Gjoka.
Ndalur në gjeografinë tregtare Shqipëria shënoi ulje të eksporteve me Italinë, Kosovën e Greqinë, ndërsa rriti importet më tej me Kinën e Turqinë.
Për shkak të rënies së eksporteve dhe rritjes së importeve vitin e kaluar, u thellua dhe më tej deficiti tregtar, i cili arriti në 522 mld lekë./A2CNN
Rruga Press