Lajme

Shqipëria me lindjet në nivelin më të ulët historik, shtesa natyrore kthehet negative në 3-mujorin e parë

Popullsia e Shqipërisë po tkurret me shpejtësi nga rënia e lindjeve dhe emigracioni i lartë.

Të dhënat zyrtare të INSTAT referojnë se në 3-mujorin e parë të vitit 2024 numri i lindjeve ishte 5,056, duke shënuar një rënie me 6,8%, krahasuar me tremujorin e parë 2023. Lindjet në tremujorin e parë 2024 shënuan nivelin më të ulët historik me bazë tremujore së paku që nga viti 1990.

Ndërsa numri i vdekjeve është 5,537, duke shënuar një rënie prej 5,2%, krahasuar me tremujorin e parë 2023.

Shtesa natyrore e popullsisë, në tremujorin e parë 2024 regjistron 481 vdekje më shumë se sa lindje.

Në tremujorin e parë 2024, katër qarqe të vendit regjistrojnë shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në tetë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative.

Në tremujorin e parë 2024, qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 475 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 217 vdekje më shumë se sa lindje.

Lindjet, Korça me rritjen më të madhe, Kukësi më të ultën

Gjatë vitit 2023, tre qarqe të vendit shënuan rritje të numrit të lindjeve, ndërsa nëntë qarqe të tjera shënuan ulje, në krahasim me vitin 2022.

Qarku me numrin më të lartë të lindjeve ishte Tirana me 8.893 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët ishte Gjirokastra me 393 lindje. Rritjen më të madhe në përqindje të lindjeve, gjatë vitit 2023 krahasuar me vitin 2022 e kishte qarku i Korçës me 2,3%, ndërsa rënien më të madhe e kishte qarku i Kukësit me 14,5%.

Lexo më shumë  Kurti takon arkitektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Andrija Mutnjakoviq

Në tremujorin e parë 2024, të gjitha qarqet e vendit shënojnë ulje të numrit të lindjeve, në krahasim me tremujorin e parë 2023. Qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 1.929 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 74 lindje. Rënien më të vogël në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të parë 2024, krahasuar me tremujorin e parë 2023 e ka qarku i Elbasanit me 2,0%, ndërsa rënien më të madhe e ka qarku i Vlorës me 21,1%.

Vdekjet, më rënia në të gjitha qarqet

Gjatë vitit 2023, të gjitha qarqet e vendit shënuan ulje të numrit të vdekjeve, në krahasim me vitin 2022. Qarku me numrin më të lartë të vdekjeve ishte Tirana me 5.345 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të ulët ishte Kukësi me 521 vdekje. Rënien më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë vitit 2023, krahasuar me vitin 2022 e kishte qarku i Fierit me 15,4%, ndërsa rënien më të vogël e kishte qarku i Kukësit me 3,7%.

Në tremujorin e parë 2024, një qark i vendit shënoi rritje të numrit të vdekjeve, në një qark nuk kishte ndryshim, ndërsa dhjetë qarqe të tjera shënuan ulje, në krahasim me tremujorin e parë 2023. Qarku me numrin më të lartë të vdekjeve është Tirana me 1.454 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Kukësi me 139 vdekje.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

Rënien më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të parë 2024, krahasuar me tremujorin e parë 2023 e ka qarku i Gjirokastrës me 21,4%, ndërsa rënien më të vogël e ka qarku i Tiranës me 2,6%.

Në vitin 2023, shtesa natyrore e popullsisë rezulton pozitive me 2.331 lindje më shumë se sa vdekje, duke shënuar rritje krahasuar me vitin 2022, i cili regjistronte 690 lindje më shumë se sa vdekje. Gjatë vitit 2023 lindën 23.617 foshnja, duke shënuar një rënie me 4,3%, krahasuar me një vit më parë, ndërsa numri i vdekjeve ishte 21.286 persona, duke shënuar një rënie me 11,3%, krahasuar me një vit më parë.

Gjashtë qarqe të vendit shënuan shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në gjashtë qarqet e tjera shtesa natyrore e popullsisë ishte negative. Qarku me shtesën natyrore më të lartë ishte Tirana, me 3.548 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët ishte Korça, me 760 vdekje më shumë se sa lindje.

Rruga Press

YouTube player