KryesoreLajme

Shqipëria mbetet me pagën minimale më të ulët në Evropë edhe pas rritjes

Pavarësisht rritjes në muajin janar, nga 40 në 50 mijë lekë, paga minimale në Shqipëri ka vijuar të jetë më e ulëta në rajon dhe në Europë, pa përfshirë vendet e ish Bashkimit Sovjetik. Diferenca thellohet dhe më shumë kur matet sipas fuqisë blerëse, duke treguar një më rritje të shpejtë të çmimeve në raport me pagat.

Eurostat ka publikuar sot të dhënat e para për pagën minimale në shtetet e Europës që e zbatojnë këtë standarde.

Për Shqipërinë, paga minimale është 517 euro, nga 408 euro që ishte në tremujorin e mëparshëm. Vlera në euro favorizohet nga kursi i këmbimit. Sërish, ky është niveli më i ulët në rajon, teksa shtete si Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi kanë ecur më shpejt në drejtim të rritjes jo vetëm të pagës minimale, por edhe të pagës mesatare në përgjithësi.

Pagën minimale më të lartë në rajon e ka Serbia, në 744 euro. Pas saj renditet Mali i Zi, me 670 euro, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 586 euro. Të dhënat për Kosovën mungojnë, por edhe qeveria e këtij vendi ka vendosur ta rrisë pagën minimale me dy faza për të arritur në 500 euro në gjysmën e dytë të këtij viti.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se ndërsa diferenca mes pagave minimale në rajon mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera nuk është shumë e lartë, sidomos me Maqedoninë e Veriut, ajo thellohet në treguesin tjetër atë të pagës minimale sipas fuqisë blerëse, që krahason në terma fuqie reale blerëse (PPS), pra duke marrë parasysh sa shtrenjtë apo lirë janë çmimet në secilin vend.

Lexo më shumë  Mijaçiq: Serbia nuk mund të shpëtojë në rastin "Banjska"

Me fjalë të thjeshta, pagat janë korrigjuar me paritetin e fuqisë blerëse për vitin 2024, që krahasimi të tregojë sa mund të blejë realisht paga minimale në secilin vend, dhe jo vetëm sa është shuma në monedhë.

Për Shqipërinë ky tregues është 708 PPS, ndërkohë për Maqedoninë e Veriut është 1069 PPS. Pra, ndërsa paga minimale në Shqipëri është vetëm 11.7% më e ulët, e matur sipas fuqisë blerëse është 34% më e ulët. Kjo do të thotë se një shtetas maqedonas, jo vetëm e ka pagën më të lartë, por ai blen dhe shumë më tepër për njësi në krahasim me një punonjës shqiptar. Kjo tregon një rritje të çmimeve në Shqipëri me ritme shumë më të larta sesa pagat.

Në Serbi, paga minimale sipas fuqisë blerëse është 1105 PPS dhe në Mal të Zi, 1058 PPS.

Paga minimale në Europë

Sipas Eurostat, më 1 janar 2026, 22 nga 27 vendet e BE-së kishin paga minimale kombëtare, të gjitha përveç Danimarkës, Italisë, Austrisë, Finlandës dhe Suedisë.

Nga këto vende, 8 kishin paga minimale nën 1 000 euro në muaj: Bullgaria (620 euro), Letonia (780 euro), Rumania (795 euro), Hungaria (838 euro), Estonia (886 euro), Sllovakia (915 euro), Çekia (924 euro) dhe Malta (994 euro).

Në 8 vende të tjera, paga minimale varionte nga 1 000 deri në 1 500 euro në muaj: Greqia (1 027 euro), Kroacia (1 050 euro), Portugalia (1 073 euro), Qipro (1 088 euro), Polonia (1 139 euro), Lituania (1 153 euro), Sllovenia (1 278 euro) dhe Spanja (1 381 euro).

Lexo më shumë  Kosova dhe Gana synojnë thellimin e raporteve: Kurti mirëpret Apostullin Nyamekye në Prishtinë

Në 6 vendet e mbetura, paga minimale ishte mbi 1 500 euro në muaj: Franca (1 823 euro), Belgjika (2 112 euro), Holanda (2 295 euro), Gjermania (2 343 euro), Irlanda (2 391 euro) dhe Luksemburgu (2 704 euro).

Diferencat ngushtohen pasi eliminohen diferencat e nivelit të çmimeve

Të dhënat tregojnë se paga minimale më e lartë në vendet e BE-së ishte 4.4 herë më e madhe se më e ulëta. Megjithatë, diferencat mes pagave minimale në vende të ndryshme janë dukshëm më të vogla kur merren parasysh dallimet e nivelit të çmimeve. Kur shprehen në standard të fuqisë blerëse (PPS), pagat minimale në vendet e BE-së me nivele më të ulëta çmimesh rezultojnë më të larta krahasuar me ato në vendet me nivele më të larta çmimesh.

Pas përshtatjes për dallimet e çmimeve, pagat minimale varionin nga 886 PPS në muaj në Estoni deri në 2 157 PPS në Gjermani, që do të thotë se paga minimale më e lartë ishte 2.4 herë më e madhe se më e ulëta.

Në terma PPS, vendet e BE-së me pagë minimale kombëtare mund të klasifikohen në tre grupe të ndryshme:

paga minimale mbi 1 500 PPS në muaj: Gjermania, Luksemburgu, Holanda, Belgjika, Irlanda, Franca, Polonia dhe Spanja;
paga minimale nga 1 000 deri në 1 500 PPS në muaj: Sllovenia, Lituania, Kroacia, Rumania, Portugalia, Greqia, Qipro, Hungaria, Malta, Sllovakia, Bullgaria dhe Çekia;
paga minimale nën 1 000 PPS në muaj: Letonia dhe Estonia.

Krahasuar me janarin 2025, në vitin 2026 tre vende kanë ndryshuar grup: pagat minimale në Sllovaki, Bullgari dhe Çeki tani janë mbi 1 000 PPS në muaj./ Monitor

Image

Rruga Press

YouTube player