Shqipëria kundër Çekisë, Cikalleshi: Do të vuajmë për rezultatin, por jemi gati
Shqipëria ka nisur grumbullimin për dy ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Europian ndaj Çekisë më 7 shtator dhe 3 ditë më vonë ndaj Polonisë. Cikalleshi u shpreh se këto janë dy ndeshjet më të rëndësishme dhe theksoi se në dy takimet e kaluara, Kombëtarja ka bërë vetëm detyrën.
Grumbullimi më i rëndësishëm
“Është një nga grumbullimet më të rëndësishëm të kombëtares gjatë këtyre viteve. Unë e kam përjetuar një herë Europianin dhe nëse do ta përjetoja sërish, karriera ime do të kishte tjetër kuptim. Do të mundohemi të bëjmë diçka edhe jashtë fushe që të japim mesazhin e duhur te grupi që fokusimi dhe angazhimi të jetë maksimal”‘
Situata në repartin e sulmit
“Jemi në fillim sezoni. Të gjithë sulmuesit e kanë nisur mirë, me gola. Kemi marrë benefitet e fazës përgatitore. Janë pak ditë, por ne do të bëjmë maksimumin gjatë stërvitjes që në këto dy ndeshje të japim më të mirën, 100%, mund të arrijmë ato rezultate në këto dy ndeshje”.
Karriera personale
“Në Turqi ndihem mirë pasi jam në vitin e tetë aty. Unë vazhdoj të punoj çdo ditë me të njëjtin seriozitet dhe benefitet po i marr në fushën e lojës. Nuk mund të them se është viti im sepse është e vërtetë që e kam nisur mirë, por për të mbajtur vazhdimësinë duhet punuar edhe më shumë. Edhe në Kombëtare vetëm me seriozitetin e përditshmërisë dhe duke u marrë edhe me detajet, do të vazhdojë të bëjë diferencën. Nëse do të kënaqem vetëm me këtë fillim në Turqi do të bëjë gjënë e gabuar”.
“Do të vuajmë shumë në Çeki për rezultatin, por jemi gati”
“Këto dy ndeshje janë mjaft decizive. Më e mira do të shënonim sa më shumë dhe të merrnim 3 pikët, por Çekia nuk është një ekip i lehtë. Çekia ka shumë eksperiencë dhe nuk do të jetë e lehtë. Në dy ndeshjet e fundit ne vetëm kemi bërë detyrat pasi ishin dy kundërshtarë nën nivelin tonë dhe nuk duhet të kënaqemi. Ne do të vuajmë shumë për të marrë rezultatin pozitiv, por ne jemi gati”.
Rruga Press