Lajme

Shqipëria jashtë hartës së plazheve të pastra me “Flamur Blu”

Jo më shumë se 3 kilometra në vijë ajrore mes Velipojës dhe Malit të Zi ndodhet plazhi më i afërt i certifikuar me flamurin blu. Por Shqipëria nuk gjendet në hartën e vendeve që disponojnë simbolin “Blue flag” dhe që është treguesi ekologjik për bregdet me standart të lartë mjedisor, shkruan “Albanian Center for Quality Journalism”.

Dhjetëra vende të tjera e kanë “rrëmbyer” flamurin duke u kthyer në destinacionet më të sigurta për turistët.

Në 2008 artikulli i “Inter press Agency” paralajmëronte se cilësia e plazheve të pa cënuara të Shqipërisë së Jugut mund të marrë njohjen e standartit ekologjik. Por kushti ishte “nëse qeveria trajton problemet në rritje me trajtimin e ujërave të ngurta dhe të zeza në rajon. Statusi i Flamurit Blu është dhënë nga Fondacioni për Edukimin Mjedisor, një organizatë e pavarur jofitimprurëse me qendër në Kopenhagen, Danimarkë, plazheve që respektojnë kriteret strikte të cilësisë së ujit në kontinente të ndryshme. Shqipëria është i vetmi vend bregdetar në Evropë ku asnjë plazh nuk është shënuar me flamur blu”,shkruhej midis midis të tjerave në atë kohë. Megjithëse  kanë kaluar më shumë se 15 vite, Shqipëria vijon ende të mbetet vendi i vetëm bregdetar në kontinentin Europian, pa asnjë flamur blu në plazhet e saj.

Në Shqipëri, Flamuri Blu u prezantua në 2008, nga Banka Botërore dhe Kombet e Bashkuara si pjesë e projektit për turizmin bregdetar. Asnjë qeveri shqiptare nuk arriti të implementojë këtë element për ta vendosur Shqipërinë në hartën globale. “ Sinjalizo” iu drejtua Ministrisë së Turizmit me një kërkesë për reagim, nëse e ka përfshirë këtë certifikim në programet e saj për nxitjen e turizmit, por nuk u dha asnjë përgjigje.

Në vitin 2020, Organizata mëmë “Blue Flag” do të çertifikonte “Albanian Coast Lifeguards and Water Rescue Federation”, si përfaqësuesen e saj në Shqipëri dhe vetëm tre vite më pas, do të realizohej aplikimi i parë për të marrë  flamurin blu në një plazh shqiptar.

Për tu çertifikuar, një plazh duhet të përmbushen 33 kritere, të panegociueshme, të cilat ndahen në katër kategori kryesore që kanë të bëjnë me Edukimin dhe Informacionin Mjedisor, me Cilësinë e Ujit, Menaxhimin mjedisor dhe Sigurinë e Shërbimet.

“Nëse një plazh që ka çertifikimin e Flamurit Blu nuk përmbush kriteret, flamuri mund të tërhiqet përgjithmonë ose përkohësisht nga plazhi”, shprehet organizata “Blue Flag Albania”, duke shtuar se në të gjitha rastet e mospërmbushjes së kritereve, Operatori Kombëtar duhet të informojë menjëherë operatorin e plazhit për kriteret e mospërputhjes dhe se informacioni rreth arsyes së tërheqjes së flamurit duhet të postohen qartë në plazh.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

“Një pjesë e plazheve janë shumë shkëmbore, nuk mund të marrin kriterin e aksesueshmërisë, por një pjesë tjetër mund t’i plotësojnë kushtet”, thotë për “Sinjalizo”,  Eni Metaj, sekretare e Përgjithshme e Federatës Shqiptare “Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në ujë”, partnere e “Blue Flag Albania”. Metaj shton  se sfidë mbetet ende edhe sot informacioni në industrinë e turizmit vendas, që nuk ka njohuri se cfarë është  “blue flag”.

“Nga të gjitha bisedat që u kryen u kuptua se dy- tre resorte patën interes. Problemi që hasëm ishte se asnjë prej këtyre resorteve pavarësisht miliona eurove të investuara, nuk kishin rampa dhe ku i thuhej që duhen rampa thoshte që nuk mund të prish arkitekturën e plazhit tim”, tregon ekspertja.

Pas tre vitesh, Shqipëria shumë shpejt mund të ketë plazhin e parë të certifikuar me “Blue Flag”. “Këtë vit kemi një plazh në një resort që ka dorëzuar aplikimin dhe i ka plotësuar të gjitha kriteret”,  shton më tej Eni Metaj, duke theksuar se certifikimi me flamurin blu lidhet me gadishmërinë që plazhet kanë për të plotësuar kushtet e nevojshme. “Nuk është se kanë aplikuar 100 dhe nuk e ka marrë asnjë, ka vetëm një aplikim sivjet”, shpjegon Metaj .

Për eksperten, është e nevojshme që institucionet qofshin lokale, qofshin qëndrore duhet të jenë në mbështetje të fushatës për sensibilizimin që do të sillte përhapjen e  “blue flag” në Shqipëri.“Në Itali psh.,shteti, ministria dhe bashkitë, mblidheshin dhe bënin një ditë takimi informimi për “Blue Flag” dhe kjo është gjëja që ne na nevojitet.”,mbyll shpjegimet përfaqësuesja Metaj.

Lexo më shumë  ​27 vjet më parë nisën luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

Por “Flamuri Blu” nuk merret me ndotjen e lartë

Në plazhin pas kanalit në Durrës, ndotjen në bregun e Adriatikut mund ta ndiesh me shqisa. Mjafton të hedhës sytë nga kanali i betonit dhe mund të kuptohet mjaft qartë ndotja që shkarkohet në det. Vetëm pak metra më larg, gjatë muajve të nxehtë të verës qindra qytetarë pushojnë dhe notojnë në këtë plazh.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, në stacionin e monitorimit në Plepa pas kanalit, por edhe në Shkëmbin e Kavajës, ndotja ka rezultuar me vlera të larta gjatë 2022. Në raportin e publikuar në 2020 nga AKM, thuhet se në plazhet e Durrësit, 90.5% e tyre kanë një cilësi të shkëlqyer të ujit, ndërsa 9.5% një cilësi shumë të keqe.

Ndotjes në këtë bregdet, nuk i ka shpëtuar as “Shtëpia e Pushimit e Ushtarakëve”. Nga laboratori qëndror i Forcave të Armatosura, është monitoruar edhe ndotja e ujërave bregdetarë të larjes në “Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve në Durrës”. “Në pjesën jugore të saj derdhen ujërat e një kanali, direkt në det, pa përpunim paraprak. Bazuar në matjet e kryera gjatë vitit 2020 rezultoi se cilësia e ujërave bregdetarë të larjes në këtë Shtëpi Pushimi në masën 67% ishte e kategorisë D-cilësi e keqe”, theksohet në raportin e AKM-së.

Problemi i cilësisë së ujërave bregdetar është i përhapur edhe në zona të tjera të vendit. Nuk bën përjashtim nga kjo problematikë edhe qyteti i Sarandës.

“Në stacionin 6 të monitorimit (Kanali i Çukës), sipas rezultateve analitike u konstatua ndotje mikrobike në 4 fushata të mostrimit, ndërsa në pikën 3 të monitorimit (Plazhi i ri) u konstatua ndotje mikrobike në një fushatë të mostrimit”, përmend AKM.

Edhe këtë vit “Lifeguard” me mungesë në brigjet shqiptare

Në prag të celjes së sezonit veror, problematikat me sigurinë e plazheve në Shqipëri duket se fatkeqësisht do të jenë sërisht prezente. “Deri më sot kemi certifikuar 1300 vrojtues plazhi, ndërkohë që janë 2990 stacione plazhi, domethënë nuk kemi as gjysmën, jemi me mungesa”, shprehet sekretarja  e Përgjithshme e Federatës Shqiptare “Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në ujë”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *