Lajme

Shqipëria e fundit në Europë për mirëqenien më 2022, sipas Eurostat

Ndërsa Shqipëria është në një garë të ethshme me rajonin për rritjen e pagave, të dhënat e Eurostat tregojnë se edhe në vitin 2022, kjo garë ishte e humbur.

Shqipëria vijoi që të ishte e fundit në Europë, si për të ardhurat për frymë në raport me madhësinë e ekonomisë, ashtu dhe për të ardhurat në raport me fuqinë blerëse, me këtë të fundit që është një tregues i mirëqenies materiale të familjeve.

Të ardhurat për frymë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ishin sa 34% e mesatares së Bashkimit Europian. Ndonëse në rritje me dy pikë përqindje në raport me vitin e kaluar, sërish Shqipëria është e fundit në Europë (të dhënat për Kosovën nuk raportohen).

Nivelin më të lartë në rajon e ka Mali i Zi, me 50% të mesatares europiane, e ndjekur nga Serbia me 44%, Maqedonia e Veriut me 42% dhe Bosnjë-Hercegovina me 35%.

Përveçse me Bosnjën, diferenca në të ardhura me vendet e tjera të rajonit është thelluar, duke treguar për një zhvillim më të qëndrueshëm të shteteve fqinjë, që kanë arritur të përmirësojnë me ritme më të shpejta mirëqenien e qytetarëve të tyre.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

Edhe treguesi tjetër, ai i konsumit individual për frymë, që mat të ardhurat sipas fuqisë blerëse, apo mirëqenien e një familjeje e vendos Shqipërinë në fund, me diferencë të ndjeshme nga rajoni.

Ky tregues është për Shqipërinë sa 40% e mesatares europiane. Në Bosnjë-Hercegovinë raporti është 42%. Rekordin e mban Mali i Zi me 64%, Serbia me 53%, Maqedonia e Veriut me 51%.

Europa

Sipas Eurostat, Konsumi aktual individual (Actual Individual Consumption, AIC) përbëhet nga mallra dhe shërbime të konsumuara aktualisht nga familjet, pavarësisht nëse ato janë blerë dhe paguar nga familjet drejtpërdrejt, ose nga qeveria apo nga organizatat jofitimprurëse.

AIC për frymë mund të konsiderohet si një tregues i mirëqenies materiale të familjeve. Në vitin 2022, AIC për frymë e shprehur në standardet e fuqisë blerëse (Purchasing Poëer Standards, PPS), varionte nga 67% në 138% të mesatares së BE-së.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Në vitin 2022, nëntë vende të BE-së regjistruan AIC për frymë mbi mesataren e BE-së. Nivelet më të larta u regjistruan në Luksemburg (38% mbi mesataren e BE-së), Gjermani (19%) dhe Austri (18%).

Ndërkohë, 18 vende të BE-së shënuan AIC për frymë nën mesataren e BE-së, me nivelet më të ulëta të regjistruara në Bullgari (33% nën mesataren e BE), Hungari (28%) dhe Sllovaki (27%).

PBB për frymë varionte nga 59% e mesatares së BE-së në Bullgari në 261% në Luksemburg.

Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) për frymë, një masë e aktivitetit ekonomik, tregoi gjithashtu dallime thelbësore midis vendeve anëtare të BE-së.

PBB për frymë mbi mesataren e BE-së, u regjistrua në 11 vende. Më e larta ishte në Luksemburg (161% mbi mesataren e BE-së), Irlandë (133%) dhe Danimarkë (37%). Ndërkohë, më e ulëta ishte në Bullgari (41% nën mesataren e BE-së), Sllovaki dhe Greqi (të dyja 32%)./Monitor

Rruga Press

YouTube player