Lajme

Shqipëria dështoi në ristrukturimin e institucioneve! Ka agjensi jashtë programit

Vendet e Ballkanit Perëndimor shënuan një rritje dramatike të agjencive dhe entiteteve shtetërore gjatë tranzicionit ku në disa raste kishte dhe mbivendosje.

Por me kalimin e kohës u kuptua se numri mund të ulej, duke mos prekur eficencën apo dhënien e shërbimeve publike. Ndaj proceset e ristrukturimit u nisën në një pjesë të mirë të tyre. Shqipëria që nisi një proces të tillë në vitin 2017 duket se ka dështuar ose të paktën kështu lë të kuptohet një analizë e hartuar përmes iniciativës “Mbështetje për përmirësimin e qeverisjes dhe menaxhimit”(SIGMA) dhe me mbështetje të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) dhe Bashkimit Europian.

Autorët sjellin në vëmendje në punimin me titull “Organizimi i administratës publike: qeverisja e agjencive, autonomi dhe llogaridhënie” se Shqipëria dhe Kosova nisën projektet më ambicioze dhe gjithëpërfshirëse të ristrukturimit, por në të dyja rastet, ideja e racionalizimit të agjencive u përball me pengesa të mëdha organizative, teknike dhe politike.

Lexo më shumë  Dorëzohet Raporti Vjetor i BQK-së për vitin 2023

“Në vitin 2017, pas riorganizimit të ministrive, Qeveria e Shqipërisë nisi një projekt në shkallë të gjerë për ristrukturimin e agjencive shtetërore. U nis si shkrirje e institucioneve me funksione të ngjashme, duke përmirësuar administrimin territorial dhe duke prezantuar një tipologji të re të organeve administrative. Një Komitet Drejtues i nivelit të lartë u krijua për të udhëhequr reformat.

SIGMA ndihmoi qeverinë në zhvillimin e një metodologjie të detajuar për të drejtuar dhe për të ndjekur procesin ristrukturues dhe promovimin e reformave organizative të bazuara në të dhëna. Megjithatë, rezultatet e kësaj nisme janë mjaft të kufizuara dhe ambivalente” thuhet në raport.

Analiza thekson se për sa i përket uljes së numrit të agjencive, qeveria ia doli të konsolidonte një sërë organesh territoriale, p.sh. agjencitë rajonale të zhvillimit bujqësor dhe drejtoritë e arsimit, por nga ana tjetër u krijuan agjenci të tjera.

Lexo më shumë  Oficerë të FSK-së, diplomojnë në Akademinë Ushtarake kroate

“Në nivelin qendror, në mënyrë paradoksale, u krijuan disa agjenci të reja nga shkëputja e njësive ministrore. Krijimit të këtyre agjencive të reja i mungonte justifikimi substancial, analiza paraprake dhe mekanizmat e llogaridhënies ndaj ministrive, sa i takon performancës dhe rezultateve, nuk ishin të specifikuara qartë. Menaxhimi qendror i procesit të ristrukturimit ishte i dobët dhe ministrive të linjës nuk iu dhanë stimuj për të kontribuar në ristrukturimi i institucioneve të varësisë.

Një qasje e decentralizuar ndaj racionalizimit në thelb nuk minon efektivitetin e tij, për sa kohë sa ministritë e linjës marrin udhëzime të forta qendrore dhe ka pritshmëri të qarta të artikuluara në nivel qendror në lidhje me rezultatet e procesit. Ky nuk ishte rasti në Shqipëri. Procesi humbi shtysën e tij fillestare. Komiteti Drejtues nuk ka mbajtur asnjë mbledhje që nga viti 2019 dhe agjenci e reja krijohen ende jashtë procesit të ristrukturimit, pa kontroll rigoroz paraprak”, thuhet në raport.

MONITOR

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *