Shpallen koncesionarët e segmentit rrugor Lekaj-Konjat-Fier. Rruga bëhet me pagesë, tarifa deri në 2 euro
Bashkimi i tetë kompanive në një të vetme është shpallur fitues i koncesionit të projektimin, ndërtimit operimit, mirëmbajtjes, rehabilitimit dhe transferimit të segmentit rrugor Lekaj-Konjat-Fier.
Gara e hapur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë këtë verë u bë në të njëjtën ditë me dy koncesione të tjera që janë gjithashtu në proces.
Sipas publikimit në buletinin e Agjencisë ë Prokurimit Publik kompania e përbashkët ishte e vetmja që mori pjesë në procedurën e prokurimit dhe teksa qeveria llogariste që vlera e përafërt që do të ofrohej për këtë rrugë të ishte 317 milionë euro, kompania është shpallur fituese me një vlerë 320 milionë euro pa TVSH.
Nuk është e qartë se cila është oferta që ka bërë kompania e shpallur fituese pasi kjo do të shihet me nënshkrimin e kontratës mes palëve nëse do të bëhet publike por rruga në fjalë sipas dokumenteve parashikohet të ketë një gjatësi 46 kilometra.
Gjurma e kësaj rruge fillon pranë zonës së Luzit të vogël (Lekaj) me mbarimin e aksit Kashar – Lekaj dhe përfundon në fillimin e Bypassit të Fierit (pranë zonës së Mbrostarit).
Rruga do të jetë me pagesë, shteti do garantojë trafikun
Në dokumentet që shoqëronin procedurën qeveria përcaktonte se maksimalisht automjetet e lehta do të paguajnë 0,04065 eur/km që është niveli maksimal. Kompania fituese mbetet e paqartë sesa ka ofruar në propozimin e saj për tarifë.
Gjithsesi nëse i referohemi maksimumit të qeverisë një automjet i lehtë për të përshkruar rrugën duhet të paguajë rreth 2 euro. Ndërkohë që në varësi të kategorisë së automjetet tarifimi do të jetë i ndryshëm sikurse është praktika ndërkombëtare.
Ndërkohë që në koncesionin në fjalë shteti do të garantojë trafikun për koncesionarin. Kjo do të thotë që nëse ai nuk arrin parashikimin e dakordësuar në planin e biznesit atëherë shteti do të kompensojë diferencat.
Në çdo rast dokumentet përcaktonin se “Koncesionari (fituesi i procedurës se konkurimit) mund të mbështetet nga Shteti, deri në shumën (e Garancisë) përcaktuar në ofertën e tij. Koncesionari mund ta marrë këtë “shumë mbështetëse për garancinë” përgjatë periudhës se Koncesionit dhe mbulon nga viti i pare i operimit deri ne 2040 – vjetore. “Shuma totale për garancinë”’ nuk mund të tejkalojë vlerën 32.517.722 Euro”.
Duke marrë të mirëqenë që autostrada nis funksionimin nga viti 2025 skenari bazë është që të arrijë një nivel të ardhurash prej 23.6 milionë euro dhe shteti të garantojë 1.12 milionë euro.
Kjo skemë nis nga 2025 dhe mbyllet në vitin 2041 ku shteti vit pas viti nëse nuk arrihet plani të ardhurave sipas skenarit bazë vijon mbështetjen maksimalisht deri në 2.77 milionë euro deri në vitin e 17 të operimit./Monitor/
Rruga Press