‘Show’ me jetë njerëzish! Helmimi masiv në Krujë, u premtoi ujë, tani Rama hesht
KRUJË– Propaganda dhe “show” i qeverisë me investimet kanë kushtuar shumë kësaj here! Në Krujë, 320 persona, mes tyre dhe fëmijë, janë helmuar dhe kanë zënë shtratin, ndërsa paraprakisht dyshohet se e gjitha ka të bëjë me ujin e pijshëm.
Prej më shumë se dy ditësh spitali i Krujës është mbushur me pacientë që vuajnë me diarre, të vjella, dhimbje barku edhe temperaturë. Të sëmurët janë nga të gjitha fshatrat e Krujës, e ndërsa shkak kryesor dyshohet të jetë uji, në të gjithë zonën është ndërprerë menjëherë furnizimi.
Të gjithë sëmurët i bashkon vetëm një fakt, të gjithë kanë pirë ujë direkt nga rubineti dhe më pas kanë përfunduar në spital. Por ishte pikërisht ky ujë ku piu edhe kryeministri Edi Rama. Ai doli garant vetë në 5 gusht duke konsumuar ujë që pretendohej se ishte marrë nga burimi i ujësjellësit të ri të zonës.
Me shishe në dorë, me “të besuarit” e tij gjithmonë pranë Rama promovoi vetë investimin duke u bërë thirrje qytetarëve ta konsumojnë ujin sepse ishte i pijshëm.
“Uji i pijshëm i Krujës 24 orë. Gëzuar! Perfekt,”– u shpreh kryeministri Rama që me veprimin e tij u tregoi banorëve se mund ta pinin ujin direkt nga rubineti. Por në fakt e vërteta ishte krejt ndryshe. Vetëm pak minuta më vonë u zbulua se uji nga ku kishte pirë kreu i qeverisë ishte i sjellë që mëparë me zjarrfikësve, e nuk kishte lidhje me atë që do të konsumonin qytetarët.
U deshën vetëm disa muaj që investimi i bujshëm i qeverisë të çonte në fushatë qindra qytetarë të zonës. Ndërkohë që Rama hesht. Ndoshta Prokuroria do të zbulojë se kush ka gabuar nga zyrtarët e Ujësjellësit të Krujës, por asnjëherë nuk do të jetë kreu i qeverisë. Ai edhe kësaj here do ta gjejë mundësinë për t’u shfajsuar, ndërkohë që qytetarët vuajnë pasojat. Por kësaj herë “basti” është shumë lart…
Luhet në lojë shëndeti i tyre.
Rruga Press