Shormaz: Vuçiqi rrëshqet teksa mbron aferën “Safari Sniper”, zbulon rolin e tij
Shkrim autorial i Dragan Shormaz për The Geopost
Skena tashmë e tronditur politike e Serbisë këto ditë po goditet nga një skandal i ri, i cili po merr përmasa ndërkombëtare. Luftimet pothuajse të harruara të Aleksandar Vuçiqit të ri, në malet përreth Sarajevës në vitin 1992, janë rikthyer sërish në fokusin e mediave ndërkombëtare. Për gjithçka “fajtor” është skandali “Sarajevo safari”, që lidhet me vizitat turistike të të pasurve të huaj gjakatarë, të cilëve forcat serbe, për shuma të majme parash, u mundësonin që gjatë rrethimit të Sarajevës të shtinin mbi civilë për argëtim.
Edhe pse mbi këtë rast është realizuar dokumentari “Sarajevo safari” në vitin 2022, skandali është riaktualizuar pasi prokurorët në Milano kanë hapur një hetim për italianët që i kanë paguar shuma të mëdha parash forcave serbe, në mënyrë që gjatë luftës, gjatë rrethimit të Sarajevës, të mund të ishin “snajperistë të fundjavës” që vrisnin qytetarë për qejf.
Hetimi është hapur bazuar në kallëzimin e gazetarit dhe shkrimtarit italian Ezio Gavaceni, i cili, pas viteve të kërkimeve, i dorëzoi prokurorisë së Milanos dokumente dhe dëshmi.
Megjithatë, skandali arriti kulmin kur gazetari investigativ kroat Domagoj Margetiq bëri të ditur se kishte paraqitur kallëzim në Zyrën e Prokurorit Publik në Milano ndaj presidentit të Serbisë, në lidhje me hapjen e hetimit mbi akuzat për sjelljen e “snajperistëve të fundjavës”. Ditët e fundit, Margetiq ka publikuar materiale për të cilat pretendon se vërtetojnë praninë e Vuçiqit në njërën nga pozicionet më të kërkuara snajperike mbi qytet.
Ai, në postimet e tij të shumta në Instagram, ka pohuar ndër të tjera se Vuçiqi, në një intervistë për mediat e Beogradit në vitin 1994, kishte folur “se gjatë kohës së safarive njerëzore, në Sarajevë kishte qenë në Varrezat Hebraike, në njësinë e Slavko Aleksiqit”.
Margetiq më pas publikoi një incizim nga pozicioni në Varrezat Hebraike në Sarajevë, ku shfaqen krimineli i luftës Vojisllav Sheshelj dhe Vuçiqi. Ai shton se presidenti aktual i Serbisë shmangte kamerat sepse në dorë mbante një pushkë—gjë që Vuçiqi e mohon vazhdimisht, duke pretenduar se bëhej fjalë vetëm për një stativ kamere.
Megjithatë, vendndodhja dhe njësia në të cilën Vuçiqi ushtronte atë që e quante “gazetari lufte” përputhen pikërisht me zonën ku silleshin turistët e ndaluar. Në mbrojtjen e tij publike, Vuçiq e përkeqësoi edhe më shumë situatën. Duke u përpjekur të bindë opinionin se veprimtaria e tij ka qenë thjesht gazetareske, ai zbuloi se në atë kohë ishte i vetmi ndër serbët rebelë të zonës që fliste anglisht—çka e bënte atë kandidat ideal për udhërrëfyes dhe njeri kontakti me “snajperistët e fundjavës” të ardhur nga jashtë.
Vuçiqi, i cili zakonisht nuk praktikonte ngritjen e padive ndaj mediave që shkruanin çfarëdo për të, tani papritur ka vendosur të ndryshojë qasje, duke paralajmëruar padi milionëshe kundër mediave perëndimore që e kanë lidhur në çfarëdo mënyre me “aferën safari”. Një reagim i tillë nervoz, megjithatë, ngre më shumë dyshime sesa i heq ato! Dhe fakti që për këtë skandal po raportojnë media botërore të njohura, si The Telegraph, The Guardian, Bild dhe BBC, u jep akuzave një peshë shtesë.
Pavarësisht nga baza faktike dhe juridike e akuzave të Margetiqit, vëmendja mediatike që ato kanë marrë kërcënon të shkatërrojë edhe ato pak mbetje të reputacionit të Vuçiqit dhe ta izolojë plotësisht atë në skenën politike ndërkombëtare.
Nga pikëpamja politike, Vuçiç po përballet me efektin bumerang të këmbënguljes së tij për të mos u ballafaquar me të kaluarën e vet politike dhe me përpjekjet e vazhdueshme për të rehabilituar politikën kriminale të Slobodan Millosheviqit dhe Vojisllav Sheshelit, të cilëve u ka shërbyer me besnikëri dhe bindje të verbër gjatë viteve ’90.
Në vend që të përballet me krimet e kryera nga individë me emër dhe mbiemër, Vuçiç mohimin e përgjegjësisë për krimet e bëra e ka shpallur si interesin më të lartë kombëtar. Këtë e ka treguar vazhdimisht në paraqitjet e tij publike, përmes përçmimit ironik ndaj Ëilly Brandt-it, kancelarit më të madh gjerman pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe me gjestet teatrale si mbështjellja me flamurin serb gjatë votimit për rezolutën e gjenocidit të Srebrenicës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Refuzimi i Vuçiçit për të përballur shoqërinë serbe me krimet e viteve ’90 – dhe për t’i liruar gjeneratat e ardhshme nga barra e rëndë e së kaluarës – shihet edhe në faktin që Serbia ende refuzon t’i dorëzojë Kroacisë trupat e 328 viktimave të vrara gjatë rrethimit dhe pushtimit të Vukovarit nga JNA (Armata Popullore e Jugosllavisë) dhe formacionet lokale paraushtarake serbe. Është tronditëse që madje edhe Hamasi, një organizatë terroriste, ka arritur brenda një muaji t’i kthejë pothuajse të gjitha trupat e pengjeve të vrara, ndërsa një shtet evropian – kandidat për anëtarësim në BE – nuk ka arritur ta bëjë këtë as pas 34 vjetësh nga përfundimi i luftimeve në këtë qytet.
Brengosja e përditshme e mediave të Vuçiçit për gjendjen shëndetësore të kriminelit Ratko Mladiq, lartësimi që Lompar i bën poezisë së Radovan Karaxhiqit, apo varrimi me nderime i gjeneralit Pavkoviq – i cili i humbi të gjitha betejat – në Alean e Qytetarëve të Merituar, janë shembuj që tregojnë qartë synimin e presidentit të Serbisë për të rehabilituar vitet ’90, pjesën më të errët të historisë serbe, dhe për t’i paraqitur kriminelët dhe humbësit si heronj dhe martirë. Çdo person i arsyeshëm duhet t’i refuzojë idetë e “botës serbe”, “Serbisë së madhe” apo “integralizmit serb”, të cilat janë ide të errësirës, të së keqes dhe të turpit, të prodhuara nga mendje të mbetura në shekullin XIX.
Edhe nëse Vuçiç nuk ka pasur ndonjë rol konkret në sjelljen e “snajperistëve safari” në kodrat rreth Sarajevës, e kaluara e tij dhe mungesa e distancimit të vërtetë nga ajo e dobësojnë shumë aftësinë e tij për t’u mbrojtur në momentet kur ndodhet nën llupën e mediave botërore. Një Vuçiç i tillë jo vetëm që bëhet barrë edhe më e rëndë për shtetin e Serbisë, por edhe për të ardhmen e saj evropiane dhe politike në tërësi./The Geopost/
Rruga Press

