Opinion/Aktualitet

Shormaz: Regjimi i Vuçiqit rehabilitoi krimet e kryera gjatë viteve të 90-ta

Shkruan Dragan Shormaz

Me kalimin e kohës, brenda lëvizjes studentore të protestës po forcohet gjithnjë e më shumë përplasja midis grupeve të ndryshme dhe individëve më me ndikim për të vendosur kontrollin e tyre mbi përbërjen e listës së ardhshme zgjedhore. Kjo betejë zhvillohet si për imponimin e narrativit dhe objektivave programore, ashtu edhe për zgjidhjet e ardhshme kadrovike dhe emrat që do të përfshihen në listën zgjedhore parlamentare.

Pikërisht në këto momente bëhen më të dukshme kufizimet dhe mangësitë e shumta që me gjasë do të thellohen brenda këtij opsioni politik – ose, më saktë, brenda disa të tillëve. Që nga fillimi i majit, kur për herë të parë u paraqit zyrtarisht kërkesa për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, protestat studentore zyrtarisht u bënë politike. Që nga ai çast, filluan spekulimet se si mund të dukej lista e ardhshme studentore, ndonëse forumet studentore që në fillim u deklaruan se do të formonin dhe do të mbështesnin një listë të caktuar, por se vetë studentët nuk do të ishin pjesë e saj.

Ndërkohë, ndodhi tubimi i madh i Vidovdanit, gjatë të cilit u prezantuan idetë e para programore dhe u kristalizuan emrat e parë të mundshëm të liderëve të një opsioni të ri politik në Serbi.

Përveç rektorit të Universitetit të Beogradit, Vladan Đokić, i cili mbajti një fjalim të zbehtë dhe politikisht të paqartë, të pranishmëve iu drejtua edhe profesori Milo Lompar, i njohur prej kohësh si admirues i figurës dhe veprës së Radovan Karaxhiçit, liderit të parë të Republikës Srpska dhe të dënuar me vendim të formës së prerë për krime lufte. Pikërisht atëherë u paraqit edhe korniza e parë politike që përmblidhet në politikën e “integralizmit serb”, të bazuar në mitologji mashtruese për interesat e Serbisë në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe Mal të Zi. Po ashtu, këtij koncepti iu shtuan mesazhe kundër projektit të shfrytëzimit të litiumit, kundër “neokolonializmit” të Serbisë në raport me BE-në dhe për rikthimin tek vlerat tradicionale të shoqërisë serbe. Me fjalë të tjera, masës së mbledhur, kryesisht e përbërë nga të rinj që jetojnë në shekullin XXI, iu ofrua një program politik i shekullit XIX.

Edhe pse turma reagoi me emocione të përziera ndaj fjalës së Lomparit, që nga ai moment, lëvizja studentore ra gjithnjë e më shumë nën ndikimin e grupeve nacionaliste pro-ruse, të cilat shfrytëzuan bazën apolitike të studentëve dhe mungesën e një vizioni të qartë të nevojshëm për krijimin e një alternative të vërtetë ndaj regjimit të Vuçiqit. Për këtë arsye, konflikti aktual politik në Serbi gjithnjë e më shumë ngjan me garën mes dy fraksioneve të radikalëve të Sheshelit – njëra besnike Vuçiqit, ndërsa tjetra e zhgënjyer nga ajo që e konsideron si tradhti të tij ndaj interesave kombëtare të përcaktuara në programin e “Serbisë së Madhe”, të ricikluara sot si ideologjia e “botës serbe” e Vulin-it ose “integralizmit serb” të Lomparit.

Lexo më shumë  Narrativa “pro-amerikane” e opozitës: një analizë e diskursit politik, perceptimeve publike dhe faktorëve strukturorë

Zgjedhja e Lomparit si folësi që do të vendoste udhëzimet vlerore dhe ideologjike të listës së ardhshme studentore nuk ka qenë aspak rastësore. Këtë e dëshmojnë shumë shenja që tregojnë se kjo lëvizje ka marrë drejtimin e konservatorizmit patrimonial, të mbështetur te kisha, narrativi kundër BE-së, aleanca me Rusinë e Putinit dhe nacionalizmi i shekullit XIX. Fakti që në protestat në Serbi, ndryshe nga ato në Gjeorgji, nuk kishte flamuj të Bashkimit Evropian, tregoi qartë se mes “studentëve” nuk ekziston një distancim i vërtetë vleror nga themelet e sistemit të Vuçiqit. Pra, ekziston ambicia për ta zëvendësuar atë në pushtet, por jo edhe vullneti për të modernizuar realisht shtetin dhe shoqërinë. Kjo prirje shoqërohet edhe me një orientim gjeopolitik që nuk largohet nga politika e neutralitetit dhe lëkundjes mbi “katër shtyllat”, politikë që e ka çuar Serbinë në një qorrsokak strategjik.

Edhe sa i përket praktikimit të procedurave demokratike, zëdhënësit e vetëshpallur të protestave nuk janë treguar shumë të ndryshëm nga përfaqësuesit e regjimit. Këtë e dëshmoi së fundmi Alek Kavçić, një nga personat i cili, falë fuqisë së tij financiare, ka ndikim të madh te mbështetësit e listës studentore. Në një debat me gazetaren Suzana Trninić, Kavçić demonstroi jo vetëm paaftësi për të zhvilluar një dialog politik civilizuar, por edhe prirje drejt dhunës politike dhe presionit ndaj gazetarëve dhe mediave. Heshtja e habitshme dhe mungesa e një dënimi të njëzëshëm të fyerjeve dhe kërcënimeve të tij ndaj gazetares së njohur serbe—e cila e kujtoi vetëm për angazhimin e tij të mëparshëm politik në listën “Mjaft më”—është po aq shqetësuese.

Përveç kësaj, ka edhe shumë dëshmi të tjera që tregojnë qartë se lista studentore nuk ka kapacitetin për të bërë hapa thelbësorë në pozicionimin strategjik të vendit për dekadat që vijnë. Situata aktuale duket më tepër si një përpjekje inxhinierimi për të zëvendësuar regjimin e Vuçiqit me njerëz të tjerë, pa ndryshuar vetë sistemin. Dhe kjo e zhyt Serbinë edhe më thellë në llumin e iluzioneve dhe miteve, me të cilat shoqëria e saj nuk do të mund të ecë paralel me shoqëritë moderne evropiane.

Tani është bërë e dukshme edhe përzgjedhja e temave me të cilat merret lëvizja studentore. Arsimi nuk është më në fokusin e tyre. Tragjedia në Novi Sad, që nisi indinjatën qytetare, përmendet vetëm herë pas here, ashtu si edhe sundimi i ligjit. Vëmendja është përqendruar te Vuçiqi dhe zgjedhjet e parakohshme. Tema që ushqejnë narrativin anti-perëndimor pranohen menjëherë dhe me zë të lartë—si rasti i çështjes së litiumit. Menjëherë fillon propagandimi i ideve të kota për BE-në që paska për qëllim të shndërrojë Serbinë në koloni minerare, edhe pse interesin për hapjen e minierës e ka shprehur një kompani australiane ndaj së cilës askush nuk mund të vendosë se në cilin treg do të shesë produktet e saj. Ndërkohë, kompanitë kineze shfrytëzojnë në qetësi bakër dhe ar pa asnjë standard ekologjik, presin pyje pa kontroll dhe eksportojnë trungje në Kinë për çmime të ulëta.

Lexo më shumë  Narrativa “pro-amerikane” e opozitës: një analizë e diskursit politik, perceptimeve publike dhe faktorëve strukturorë

Shembulli i dytë është rasti i “Shtabit Gjeneral”, të cilin lëvizja studentore e përdor për të ringjallur narrativet, por edhe emocionet e periudhës së Millosheviqit! Flitet për luftën në Kosovë, për pushtues në territorin e Serbisë dhe për tradhtarë të kombit serb që duan të zëvendësojnë ndërtesën e rrënuar të Shtabit të Përgjithshëm me një hotel amerikan! Ky narrativ, ato emocione dhe vendimet që u morën nën hijen e tyre i kushtuan shtrenjtë Serbisë. Nga një shtet dikur i respektuar dhe fisnik, ajo u shndërrua në një shtet që prodhon luftëra dhe krime! Prandaj, e keqja më e madhe që regjimi i Vuçiqit i ka bërë Serbisë është rehabilitimi i krimeve të kryera në vitet ’90, ndërsa të rinjtë—ata fëmijë që sot luftojnë kundër tij—janë pikërisht produkt i propagandës së tij dhe asaj ruse. Ata po kthehen drejt periudhës më të errët të historisë sonë, në vend që të shikojnë drejt shekullit XXI, integrimeve, demokracisë dhe bashkëpunimit me fqinjët!

Dëshmi për përfshirjen ruse në protestat studentore nuk janë vetëm Lompari apo Kavçiçi, por sidomos heshtja e tyre për situatën rreth NIS-it të sanksionuar! Lëvizja që pretendon të fitojë zgjedhjet e ardhshme nuk thotë asnjë fjalë për çështjen më të rëndësishme në Serbi, çështjen nga e cila varet stabiliteti energjetik i vendit dhe e ardhmja ekonomike e tij! Pse heshtin?! Sepse zgjidhja e kësaj çështjeje domosdoshmërisht do ta largonte Serbinë nga Rusia dhe do të çonte drejt vendimit të pashmangshëm për të sanksionuar regjimin kriminal të Moskës!

Prandaj këto ditë Serbia ka pësuar një humbje kaq të madhe, sa që përmirësimi në shoqërinë tonë nuk do të ndihej edhe sikur Vuçiqi të humbte pushtetin së shpejti. Pas tij do të mbetet aq shumë baltë dhe ndotje radikale e rusofile, sa do të na duhen shumë kohë, guxim dhe mençuri për ta pastruar.

Por ky pastrim mund të arrihet! Është e nevojshme që si shtet t’i drejtohemi fqinjëve tanë dhe së bashku, dorë për dore, të nisim rrugën drejt integrimeve euro-atlantike! Po, kjo do të thotë rrugë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO! Duhet të përpiqemi t’u shpjegojmë fëmijëve tanë se krimet dhe kriminelët e viteve ’90 nuk duhen madhëruar, se midis veteranëve nuk ka heronj—vetëm të humbur… se ato ishin vitet e humbjeve serbe! Të ndërtojmë një Serbi demokratike dhe të lirë, që është pjesë e organizatave evropiane dhe euro-atlantike—kjo është ATDHEDASHURI! /thegeopost/

YouTube player