Bota

Shormaz: Perëndimi vendos vijat e kuqe, Serbia drejt izolimit

Shkrim autorial i Dragan Shormaz për The Geopost

Arrestimi i pilotit të Forcave Ajrore të Kroacisë dhe të dashurës së tij, një serbe nga Mitrovica e Veriut, për spiunazh, përfaqëson aferën e dytë të këtij lloji gjatë muajve të fundit. Rasti i parë ishte arrestimi i një funksionari të Zyrës për Kosovë të Serbisë, të cilit iu gjetën në telefon materiale komprometuese nga bisedimet teknike në Bruksel, të cilat i kishte regjistruar rregullisht dhe i kishte dërguar në agjencinë serbe të kundërzbulimit BIA.

Rasti i pilotit kroat gjithashtu çon drejt shërbimeve serbe përmes Listës Serbe, së cilës i shpërndante të dhëna mbi lëvizjet e KFOR-it. Ajo që është veçanërisht problematike në këto raste është fakti që tani është dokumentuar se shërbimet serbe merren aktivisht me spiunimin e procesit negociator në Bruksel dhe të misionit të KFOR-it, i cili është i vetmi që mbron sigurinë e serbëve në Kosovë, gjë që tregon për qëllimet destruktive dhe destabilizuese të Beogradit në Kosovë.

Gjithashtu, momenti në të cilin u zbuluan këto afera tregon për mesazhin e komunitetit perëndimor të inteligjencës ndaj Beogradit, se aktivitetet e tij destruktive nuk janë aspak sekret për Brukselin dhe kryeqytetet perëndimore, të cilat vendosin vijat e kuqe të cilat Serbia nuk do të lejohet t’i kalojë.

Vërejtjet që mori regjimi në Beograd treguan qartë se kush e dikton dinamikën e proceseve rajonale dhe kush do të ketë rolin udhëheqës në to në periudhën e ardhshme – deri te zgjerimi i madh i BE-së në vitin 2030, i cili e shqetëson veçanërisht regjimin e AleksandarVuçiqit. Një simbolikë e veçantë është edhe fakti që aferat e spiunazhit u zbuluan formalisht nga shërbimet e Kosovës dhe Kroacisë, gjë që përbën një lloj poshtërimi për Beogradin që përpiqet të paraqitet si faktor kryesor në rajon. Serbia nën Vuçiqinpo humb njëra pas tjetrës pozitat që i kishte. Përveç humbjeve në fushën e inteligjencës, projekti ‘Ballkani i Hapur’ nuk ekziston më, në procesin e integrimit evropian Serbia tani ka mbetur prapa madje edhe nga Bosnja dhe Hercegovina, ekonomikisht është në rënie, me një rritje ekonomike prej vetëm 2% dhe inflacion që tejkalon 5%, ka çmimet më të larta të produkteve bazë në rajon dhe fuqinë blerëse më të ulët të popullatës! Ekonomia është pranë kolapsit dhe nuk ka investime të reja, sidomos nga perëndimi. ‘Hendeku’ në buxhet po rritet gjithnjë e më shumë.

Lexo më shumë  Protestat në Iran - ShBA-ja tërheq trupat nga bazat kryesore ushtarake në Lindjen e Mesme

Tani situata bëhet plotësisht e qartë. BE-ja dhe vendet e saj kryesore nuk do t’i lejojnë regjimit në Beograd, as mentorëve të tij në Moskë, të pengojnë zgjerimin e paralajmëruar dhe planet e BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Bosnja dhe Hercegovina do të bëhet pjesë e BE-së, pavarësisht dhe përkundër kundërshtimit të regjimit kleptokratik të Milorad Dodikut dhe mbështetjes së pavullnetshme që në këtë drejtim i jep Aleksandar Vuçiq dhe qeveria e tij. E njëjta gjë vlen edhe për rastin e Malit të Zi dhe Kosovës.

Deklarata e Marta Kos në Bled se Mali i Zi dhe Shqipëria mund të bëhen anëtare të BE-së edhe para vitit 2030, konfirmon pretendimet e mia të mëparshme se Brukseli është i vendosur fort që viti 2030 të jetë viti i zgjerimit të madh të bashkësisë! Këtë e vërteton edhe më shumë festa e fundit e Ditës së Pavarësisë në Moldavi, ku morën pjesë Macron, Scholz dhe Tusk, gjë që nuk ka ndodhur kurrë në Ballkanin Perëndimor. Serbia mund të zgjedhë një objektiv vetëvrasës, të bëhet një vrimë e zezë mbi qilimin evropian, por nuk mund t’i fusë fqinjët dhe gjithë rajonin në politikën e saj të errët dhe pa perspektivë.
Të gjithëve duhet t’u bëhet e qartë se këto afera spiunazhi, ashtu si akti terrorist në Banjskë, sulmi ndaj KFOR-it në maj 2023, braktisja e institucioneve të Kosovës në veri… janë arsye për izolim të plotë politik të ‘Listës Serbe’. Me ta tashmë askush në Kosovë nuk dëshiron të bashkëpunojë, madje as partitë e komuniteteve të tjera pakicë!

Lexo më shumë  Qindra traktorë në rrugët e Parisit, në shenjë proteste kundër marrëveshjes BE-Mercosur

Prandaj, serbët e Kosovës duhet sa më shpejt të vijnë në vete dhe në zgjedhjet e ardhshme lokale, e ndoshta edhe parlamentare, t’i japin besimin partive të tjera, sepse me Vuçiqin dhe ‘Listën Serbe’ ata do të jenë viktima të një politike të gabuar, e cila e fut Serbinë në izolim, ndërsa regjimi do t’i vazhdojë të shfrytëzojë për retorikën nacionaliste që e mban atë në pushtet! Serbët nga Kosova duhet t’u ndihmojnë qytetarëve të Serbisë që të çlirohen nga ky regjim shkatërrimtar, në mënyrë që së bashku, më në fund, të hyjmë të gjithë në ujëra të qeta!/The Geopost/

YouTube player