Shoqatat e Transportit: Bashkia na premtoi 1 mln euro fond subvencioni
Shoqatat e transportit urban takuan sot kryebashkiakun Erion Veliaj. Pas 1 orë bisedimesh, ata i thanë Euronews Albania se kishin gjetur mbështetjen e Veliajt për kërkesat e tyre.
Brenda ditës presin përgjigjen e bashkisë për dhënien e një fondi ndihme për transportin publik prej 1 milion eurosh. Ata kërkojnë gjithashtu nga qeveria të ulë TVSH-në për naftën, heqjen e akcizës dhe taksën e qarkullimit.
“E rëndësishme nga takimi i sotëm është se ne gjetëm dakordësinë e plotë të problematikave që ne i kemi parashtruar prej vitesh, të kryetarit të bashkisë. Brenda ditës së sotme jemi në pritje prei tij të një fondi si subvencion të shërbimit, që ne të kemi mundësi të veprojmë normalisht. Është folur për një fond prej 1 mln eurosh, por duhet të shohim si do të jetë i shtrirë dhe si do të jenë modalitetet e përdorimin të tij”, tha për Euronews Albania Rixhin Qosja, kreu i Shoqatës së Transportit Qytetas.
Prej 1 jave transporti publik në Tiranë po funksionon me gjysmën e flotës së autobusëve, duke krijuar kaos në lëvizje.
Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat në fillim të javës, përfaqësuesit e Unionit të Transportit Publik me dije se shkak për këtë vendim është bërë kriza që po kalon ky sektor, fillimisht prej pandemisë e më tej me rritjen e çmimit të naftës, largimi i stafit dhe mosreagimi nga institucionet përgjegjëse për plotësimin e kërkesave ekonomike të premtuara./euronews/