Shoferi i linjës Korçë-Tiranë me 36 pasagjerë në gjendje të DEHUR! Kryente manovra të rrezikshme, qytetarët lajmërojnë policinë, arrestohet në flagrancë
Qytetarët kanë mundur të shmangin një tragjedi! Pasagjerët e linjes Korçë-Tiranë janë përballur me një situatë të rëndë. Teksa ishin duke udhëtuar drejt destinacionit të tyre, kanë vënë re se shoferi i mjetit ishte në gjendje të dehur dhe po kryente manovra të rrezikshme që mund të çonin në një aksident të mundshëm.
Disa prej tyre kanë lajmëruar policinë duke raportuar për gjendjen e shoferit. Në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë vendit të quajtur Qafë Plloçë, mjetin autobus, i cili transportonte 36 udhëtarë nga Korça në drejtim të Tiranës, me drejtues shtetasin A. M u ndalua nga efektivët.
Pas kontrollit të dokumentacionit dhe kryerjes së testit të alkoolit drejtuesit të mjetit, shoferi rezultoi se drejtonte autobusin nën efektin e pijeve alkoolike në masën 0.75 mg/l. Policia bëri menjëherë arrestimin e shoferit.
NJOFTIMI I POLICISË:
Bashkëpunimi me komunitetin parandalon një ngjarje të mundshme rrugore me pasoja. Vihet në pranga shoferi i autobusit të linjës Korçë-Tiranë, i cili drejtonte mjetin në gjendje të dehur me 36 pasagjerë brenda. Pas marrjes së një telefonate në Sallën Operative se një shofer i linjës Korçë-Tiranë, po kryente manovra të rrezikshme në rrugë, specialistët e Sektorit për Policinë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, kanë ndaluar në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë vendit të quajtur Qafë Plloçë, mjetin autobus, i cili transportonte 36 udhëtarë nga Korça në drejtim të Tiranës, me drejtues shtetasin A. M. Pas kontrollit të dokumentacionit dhe kryerjes së testit të alkoolit drejtuesit të mjetit, ky shtetas rezultoi se drejtonte autobusin nën efektin e pijeve alkoolike në masën 0.75 mg/l. Në vijim të veprimeve procedurale, nga strukturat e lartpërmendura u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., 56 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme. Drejtoria Vendore e Policisë Korçë falënderon qytetarët që besojnë te Policia dhe denoncojnë shkeljet e rregullave të qarkullimit, duke kontribuuar në rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë. Njëkohësisht, Policia e Shtetit apelon për zbatim të rregullave të qarkullimit dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.
Rruga Press