Shmanget greva që do të godiste produksionet e Hollywoodit
Pas negociatave maratonëshe për disa ditë përfaqësues të Aleancës Ndërkombëtare e Punonjësve të Skenës Teatrore (International Alliance of Theatrical Stage Employees – ITSE) me ata nga studiot dhe kompanitë argëtuese që i punësojnë arritën një marrëveshjen trevjeçare para grevës së paralajmëruar për të hënën, duke shmangur kështu një pengesë serioze për një industri që sapo ishte rikthyer për të punuar pas mbylljeve të gjata për shkak të pandemisë
Pas negociatave 11-orëshe të shtunën është arritur një marrëveshje që ka shmangur një grevë të ekipit të filmit dhe të televizionit, e cila do të bënte që rreth 60 mijë punëtorë që punojnë në prapaskenë të largoheshin nga puna e tyre duke vënë në pauzë kështu prodhimet në Hollywood dhe në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas negociatave maratonëshe për disa ditë përfaqësues të Aleancës Ndërkombëtare e Punonjësve të Skenës Teatrore (International Alliance of Theatrical Stage Employees – ITSE) me ata nga studiot dhe kompanitë argëtuese që i punësojnë arritën një marrëveshjen trevjeçare, para grevës së paralajmëruar për të hënën, duke shmangur kështu një pengesë serioze për një industri që sapo ishte rikthyer për të punuar pas mbylljeve të gjata për shkak të pandemisë.
“Ky është një fund i Hollywoodit“, ka thënë presidenti i sindikatës Matthew Loeb. “Anëtarët tanë ishin të vendosur”.
Punëtorët ende duhet të votojnë për ta miratuar marrëveshjen, por greva është anuluar me dakordim paraprak. Shumë njerëz në Hollywood kanë festuar për këtë lajm.
“Shumë mirë për IATSE-në që po qëndron e palëkundur. Dhe mos harroni se keni mbështetjen tonë kurdo që keni nevojë për ne”, ka shkruar në Twitter komediani, aktori dhe shkrimtari Patton Oswalt.
Një tjetër aktore dhe shkrimtare, Yvette Nicole Brown, ka shkruar Twitter “#FuqiSindikatës!” së bashku me një vjegëz që dërgon te lajmi për marrëveshjen.
“Urime vëllezërit dhe motrat të IATSE-së!”, ka thënë Jennifer Garner në Instagram.
Efektet e grevës do të kishin qenë të menjëhershme me ekipet jo vetëm në produksione afatgjata, por me seritë e përditshme, përfshirë shfaqjet e diskutimet nëpër rrjete sociale që do të largoheshin nga puna. Edhe produksionet si telenovelat gjithashtu do të kishin ndier efekte të menjëhershme.
Sindikata përfaqëson kinematografët, operatorët e kamerës, skenografët, marangozët, artistët e flokëve dhe grimit dhe shumë të tjerë.
Anëtarët e sindikatës kanë thënë se kontratat e mëparshme ua lejonin punëdhënësve të tyre që t’i detyronin ata të punojnë me orar të zgjatur dhe t’ua mohonin pushimet mes vakteve dhe kohën që duhet të kalojë mes orareve. Udhëheqësit kanë thënë se zanatet më të paguara po merrnin rroga me të cilat veç mbijetojnë dhe platformat, duke përfshirë “Netflix”, “Apple” dhe “Amazon”, i bënin të punonin edhe më shumë për më pak para.
Në deklaratat e lëshuara nga IATSE të shtunën është shkruar se marrëveshja “adreson çështjet kryesore, duke përfshirë periudhat e arsyeshme të pushimit; pushimet për ushqim, një pagë të denjë për ata që janë në fund të nivelit të pagës; dhe rritje të konsiderueshme të kompensimit që do të paguhet nga kompanitë e mediave të reja”.
Sindikata raportoi më 4 tetor se anëtarët e saj kishin votuar me shumicë dërrmuese për të autorizuar një grevë, duke shkaktuar frikë në të gjithë industrinë, por bisedimet rifilluan menjëherë midis IATSE-së dhe Aleancës së Produksioneve të Filmit dhe Televizionit, e cila përfaqëson studiot dhe kompanitë e tjera.
“Kemi shkuar dhëmb për dhëmb me disa nga kompanitë më të pasura dhe më të fuqishme të argëtimit dhe teknologjisë në botë, dhe tani kemi arritur një marrëveshje me AMPTP-në që plotëson nevojat e anëtarëve tanë”, ka thënë Loeb.
Zëdhënësi i AMPTP-së, Jarryd Gonzales, konfirmoi se marrëveshja ishte arritur.
Do të kishte qenë greva e parë mbarëkombëtare në historinë 128-vjeçare të IATSE-së dhe do të kishte prekur jo vetëm zonën e Los Angelesit dhe New Yorkun, por edhe qendrat e produksionit në rritje si ato në Gjeorgjia, New Mexico dhe Colorado./koha/