Shkencëtarët që zbuluan receptorët e nxehtësisë dhe prekjes fitojnë Çmimin Nobel
Shkencëtarët që zbuluan se si trupat tonë ndjejnë ngrohtësinë e diellit apo të përqafimit të të dashurve tanë kanë fituar Çmimin Nobel për Mjekësi apo Fiziologji, raporton BBC.
David Julius dhe Ardem Patapoutian, nga SHBA-ja, kanë ndarë Çmimin Nobel për punën e tyre për ndjesinë e prekjes apo temperaturës.
Ata kanë zbuluar se si trupi ynë konverton ndjesitë fizike në mesazhe elektrike në sistemin nervor.
Gjetjet e tyre mund të çojnë te trajtimet e reja për dhimbjet.
Nxehtësia, të ftohtit dhe prekja janë vendimtare për të përjetuar botën rreth nesh dhe për mbijetesën tonë.
Por si e bëjnë trupat tanë këtë në të vërtetë kishte qenë një nga misteret më të mëdha të biologjisë.
“Ishte një zbulim shumë i rëndësishëm dhe i thellë”, ka thënë Thomas Perlman, nga Komiteti i Çmimit Nobel.
Profesori David Julius, nga Universiteti i San Franciscos, kishte përparuar në këtë zbulim duke hetuar ndjenjën e djegies që e kemi pasi hamë spec të djegës.
Ai eksperimentoi me burimin e nxehtësisë së specit – kapsaicinën kimike.
Zbuloi llojin e receptorit (një pjesë e qelizave tona që zbulon botën rreth tyre) që i përgjigjej kapsaicinës.
Testet e mëtejshme treguan se receptori i përgjigjej nxehtësisë dhe reagon në temperatura të dhimbshme. Kjo është ajo që ndodh, si shembull, nëse merrni djegie në dorë duke kapur një filxhan me kafe.
Zbulimi çoi në një seri të zbulimeve të sensorëve tjerë të temperaturës. Profesori Julius dhe Ardem Patapoutian gjetën një gjë që mund të zbulonte të ftohtin.
Këto eksperimente çuan në zbulimin e një tipi tjetër të receptorit që aktivizohet në reagim ndaj forcës mekanike apo prekjes.
Kur ec në plazh apo ndjenë rërën poshtë këmbëve – janë ata receptorë që dërgojnë sinjale në tru.
Këta sensorë të prekjes dhe temperaturës është dëshmuar se kanë role të gjëra në trup dhe edhe në disa sëmundje.
Receptori i nxehtësisë (i quajtur TRPV1) është i përfshirë në dhembjen kronike dhe se si trupi ynë rregullon temperaturën bazë. Receptori i prekjes (PIEZ02) ka role të shumëfishta, nga urinimi e deri te presioni i gjakut.
Dy shkencëtarët do të ndajnë çmimin prej afro 1 milionë euro./koha/