Shëndetësi

Shkencëtarët britanikë nisin “gërmimin arkeologjik” të kancerit

Shkencëtarët në Mbretërinë e Bashkuar kanë ndërmarrë një “gërmim arkeologjik” të madh të kancerit, duke analizuar përbërjen e plotë gjenetike, ose sekuencën e plotë të gjenomit të tumoreve nga rreth 12.000 pacientë.

Anëtarët e ekipit thonë se sasia e paprecedentë e të dhënave i lejon ata të zbulojnë lloje të reja në ADN-në e kancerit, raportoi BBC-ja të enjten.

Sipas tyre, të dhënat gjenetike përfundimisht do të ndihmojnë në përmirësimin e diagnozës dhe trajtimit të kësaj sëmundje vdekjeprurëse.

Një pjesë e hulumtimit është publikuar në revistën prestigjioze “Science”.

Kanceri mund të konsiderohet si një version i korruptuar i qelizave të shëndetshme, kur mutacionet në ADN ndryshojnë qelizat, derisa ato përfundimisht rriten dhe ndahen në mënyrë të pakontrolluar.

Tradicionalisht shumë kancere janë kategorizuar nga mjekët në bazë të vendit ku ndodhen në trup dhe llojit të qelizave të përfshira – por sekuenca e të gjithë gjenomit mund të sigurojë informacione të tjera.

Hulumtuesja kryesore, profesoresha Serena Nik-Zainal, një konsulente në spitalet universitare të Kembrixhit, tha për BBC-në se studimi ishte si një “gërmim arkeologjik” i kancerit të njerëzve.

“Ne mund të shohim modelet ose gjurmët në fushën e kancerit të tyre. Dhe kanceri i të gjithëve është i ndryshëm. Të dimë se mund të personalizojmë raportin e kancerit të çdo personi do të thotë se jemi një hap më afër personalizimit të trajtimit për ta”, ka thënë ajo.

Udhëhequr nga Universiteti i Kembrixhit, ekipi hulumtues analizoi të dhënat e ADN-së të ofruara nga “Projekti 100.000 gjenome”.

Studiuesit ishin në gjendje të zbulonin kombinime specifike të ndryshimeve gjenetike, të ashtuquajturat “nënshkrime mutacionale” – që mund të jenë çelësi për zhvillimin e kancerit.

Duke krahasuar të dhënat me projekte të tjera ndërkombëtare të kancerit gjenetik, ata konfirmuan lloje që tashmë janë të njohura dhe zbuluan 58 të reja.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *