Shkelje protokolli në prodhim, OBSH ndërpret procesin e aprovimit për vaksinën Sputnik V
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka pezulluar procesin e aprovimit për vaksinën ruse anti-covid, Sputnik V. Vendimi erdhi pas verifikimit të një sërë shkeljesh gjatë prodhimit të dozave.
Këto u zbuluan gjatë një inspektimi në Rusi më herët këtë vit. OBSH rekomandon kryerjen e një inspektimi të ri në qendrat e prodhimit të vaksinave Sputnik V, përpara se të merret një vendim për aprovimin për përdorim emergjent.
Përpara se kjo të ndodhë, organizata rekomandon Rusinë që të bëjë ndryshmet e nevojshme, në mënyrë që të përmbushen standardet e nevojshme. Ndër shqetësimet kryesore të ekspertëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë kishin të bënin me “implementimin e masave adekuate për të eliminuar rreziqet e kontaminimit të tërthortë”.
Fabrika e prodhimit të vaksinës ruse në qytetin Ufa, tha se I ka adresuar këto shqetësime. Ndërkohë, Sputnik V aplikoi për aprovim në OBSH dhe Agjencinë Europiane të Barnave në shkurt të këtij viti. Rezultatet e testeve klinike, të publikuara në revistën prestigjioze mjekësore The Lancet, treguan një efektshmëri 91.6 përqind ndaj Covid-19 dhe e përcaktoi atë të sigurtë për përdorim. Pavarësisht mungesës së aprovimit, vaksina ruse përdoret nga një sërë shtetesh të botës, përfshirë Shqipërinë.
Rruga Press