Shitja e Shën Naumit prapaskenë e fuqive të mëdha, para vitit 1917
Shkruan Vepror Hasani
Rastësisht na ra në dorë një material i shkruar nga D. J. Tushemishti, i botuar te “Ylli i Mëngjezit”, më 15 gusht të vitit 1917, i cili flet posaçërisht për Shën Naumin. Autori, ndërsa flet për bukurinë magjepse të këtij vendi, ku përshkruan gjithçka me një mjeshtëri të lartë, shpreh edhe shqetësimin e tij të madh për rrëmbimin e këtij vendi të shenjtë nga Serbia, me ndihmën e fuqive të mëdha. Me sa kuptohet ai është në dijeni të ngjarjeve dhe prapaskenave që po ndodhnin dhe që do të ndodhnin në vijim. Zotit Tushemishti nuk ia do shpirti, humbjen e Shën Naumit, por thellë-thellë ai e ndjen që shqiptarët do të humbin një nga vendet më të magjishme të tyre. E thotë këtë, sepse siç shprehet ai: “Në kohën që ju dha nota Serbisë për të lëshuar viset tona, nga Shenjt Naumi nuku e hoqi ushtrinë”. Pra Serbia nuk ishte tërhequr vetëm nga Shën Naumi. Për këtë arsye, përmes këtij artikulli të botur të “Ylli i Mëngjesit ai u bën thirrje nga thëllësia e zemrës së tij që shqiptarët të bëjnë të gjitha përpjekjet për ta mbajtur përjetë këtë vend të bekuar. Në këtë material do të gjeni të vërtetat e mëdha të Shën Naumit, të cilin e kopjuam tekstualisht siç është në botim, ndërsa nëntitujt u vendosën nga ana jonë.

Shkrimi i Tushemishtit për Shën Naumin
“Ndofta këndonjësit e dashur dyke parë këtë titull, do të pandehin se shkruanj për jetën e Shënt-Naumit me të vërtet; po unë nuku munt të shkruaj jetën e një shenjti; do të shënoj aqë sa munt vëndin dhe gjendjen e Manastirit që i thonë Shent-Naum. Është një mekat i math se nuku mbesonj të ketë një histori të plotë ky Manastir si, dhe në ç’kohë është themeluar. Gjendet një orë e gjysmë lark në lindje të Pogradecit 15 minuta në lindje të Tushemishtit, 8 orë në veri të Korçës, dhe 5 orë në jugë të Ohrisë. Ndërtesa e kishës dhe mjeshtëria e saj tregojnë që janë ndërtuarë prej qindra vjetësh të shkuara. Përbrenda kisha është bërë me një mjeshtëri të veçantë, si nga pllani ashtu dhe zugrafitë e çuditçme. Ata që e kanë parë edhe e dinë mirë këtë vënt çudtiten me bukurinë e tij dhe pënda ime nuku është e mundur të përshkruanjë pamjen edhe panoramën e çkëlqyer naturale. Kisha qendron në mes. Rrotull saj ndërtesa të mbëdha dhe shumë të bukura; rrethuarë an’e mb’anë me avlli. Ka tri portëra të mëdha nga lindja, perëndimi dhe tjatërnë nga juga. Kur vete njeriu në kohën e prentverës do të marrë një erë të bukur prej çfarëdolloj lulesh dhe drurë; prej kopshtravet dhe plot me lule dhe pemë që e qarkojnë.

Pamje të magjishme
Kur të ngjitesh në dhomat nga an’e veriut dhe të hedhësh një vështrim tatëpjetë shikon si kur je në liqen, liqeni me famë i Ohrisë. Dhomat janë ndërtuar më shkemp prej guri; mëndja e njeriut habitet si janë ndërtuarë në ato kohëra të vjetra në vendet tona. Që këtu do të shikosh an’mb’anë liqene, fshatra rotull dhe ca më tepër Ohrinë. Ujët e kaltër duket si flori. Guriçkat e rumbulla dhe shuri i ndriçmë, kur është koh’e kthjellëtë të vrasin sytë nga çkëlqimi. Pishqit të mbëdhenj dhe të vegjël nëpër ujët të çuditin me lëvizjet e tyre; veçanërisht shpesët, si roas të egra, pata, guza, nore, nosite dhe shumë të tjera. Kur vetë në dhomat nga lindja, të çfaqet një tjatër pamje e bukur. Do shikosh prapë një çip të liqenit që kaltëron, po ajo që të çudit është lumi mjaft i thellë dhe i gjerë. Ky lumë nis jo më shumë se një gjysmë ore lark, nga jugë-lindja dhe gjer rrieth në liqen bënet kaqe i math; se tërë mali anës mburon ujë të shumtë. Anës lumit plot shelgje, sëlvira, plepa dhe shumë drurë të tjerë të bukur. Në mest të lumit një (nisi) ujdhesë mjaft e gjerë. Ah! bukuri naturale e veçantë! Ah! o vënde të bukura të Shqipërisë! Kur i kujton njeriu këtu në mërgim i dridhen mishrat, e mer të qarit dhe thotë: “Ku je, o fat! Kur do të shikonj edhe një herë këto bukurira?

Mrekullira
Përmi lumët një urë e gurtë mjaft e gjerë, ndërtuar me mjeshtëri prej shumë vjetësh të shkuara. Pranë urës do të shikosh një ndërtesë nja 50 metro të lartë. Në këtë është vënë maqina e ujit, e cila dyke punuar me një dollap me fuqinë e lumit shpie ujën me qyngje përpara kishës; e cila i jep një bukuri të veçantë, edhe që atje e shpie më poshtë në lëmenjtë për të pirë ujë bagëtia në kohën e ligë të dimrit. Që në këto dhoma do shikosh Lubanishtin fshat afëron 50 shtëpi, që është pothuaj një orë lark; i cili në fushë dhe gjithësej është i Shenjt Naumit. Që këtu shikon fushën e gjerë dhe pjellore, e cila po të punohet me sistem bën mijëra killë drithë. Në kohën e të korrurave dhe të vielave, tërë njerëzia të Krishterë e Myslimanë bënë për ndimë që korrin e vielin. Që këtu shikon edhe Mal’ e Thatë (Galicien) me gjithë bukuritë e ti. Në dhomat nga an’e jugës do të shikosh të dy lëmenjtë e mbëdhej, që në kohën e të shirave, një muaj të tërë ditë e natë nuku pushojnë së punuari grurë, rraspall, kutruli, urelp, tërshërë dyke vënë në vrat 7-8 kuaj me 400-500 duaj si cilido vra.
Çfarë shikon të tjera
Shikon mal’ e tij të veshur me drurë, vreshtat e gjëra me rrrusht’ e bukur që bejnë dhe verën e butevet të verës, kazanët për të nxjerë rakinë dhe shumë gjërra të tjera. Në të tjera dhoma shikon prapë një çip të gjolit, vreshta të tjera dhe mal’e bukur. Nënë dhomat nga an’e veriut janë qilaret e tjera dhe gjella-xhiana. Sapo të hysh në këto çuditesh se si janë ndërtuar me kaq mjeshtëri. Këtu janë magazerat e gjalprave, djathrave, verrave, vajrave dhe shumë të tjera. Në jug-lindje dhe pothuaj që atje ku nis të rrjedhë lumi, ka mullinë për të bluar. Ky mulli punon me fuqinë e ujit, po ka dy maqina të modhës së re, të sjella nga Selaniku bluajnë 60-70 killë, (një killë në viset tona ka 50 okë) më 24 orë. Bagëtitë të mbëdha e të vogla lopë, kuaj, dhen, dhi janë të panumurta. Në behar shurdhonet njeriu me tingëllimin e zileve dhe këmborëve. Blegërimet e shqerrave dhe të kecërve, dyke bashkuar me zën’e bukur të shpesëve bëjnë një mellodhi të mallëngjyershmë. Po të veç nëpër stanet stopanet përveshur duartë punojnë qumështin dhe nxjerrin djathrat dhe gjalprat. Duhet të jesh një shkronjës i fortë që të mundish të përmbledhish të gjitha sa ka, Shenjët Naumi. Kur vete si cilido në Shenjt Naum në behar duket sikur ndodhet në parajsë. Era e bukur, e lehtë dhe e paqme, buçitja e burimeve që rrjedhin, dhe mellodhi e bukur e shpesve dhe të vdekurin e ngjallin prej varrit, këjo bukuri pothuajse është dhe në dimër, se ujërat e shuma dhe veçanërisht liqeni e bëjnë të mos mbajë dëborën vëndi.

Meraku për Shën Naumin
Në veri-lindje, një orë e ca lark më këmbë ose me lundër, ka fshatnë e tij Tërpezicen me 40 shtëpi, me fushën dhe vreshtat e tij. Peshku është i dëgjuar dhe i shumë si më i miri në botë që nxjerr. Vajtja prej Tushemishtit në Shenjt Naum është e shkurtër po plot bukuri. Uja e gjolit çkëlqen po si flori, mburimet me shamatën e tyre, era e bukur në kohë behari të bëjnë jo sikur ecën po sikur fluturon. Më vjen të lëvdonj vëndin tim, vendin e Shqipërisë; po vallë a do të ketë në botë bukuri të tillë? Nuk e mbesonj. Ah! sa herë e kujtonj mallëngjehem, dhe sytë lotojnë pa dashur! Shenjt-Naumi është shumë i pasur edhe po të jetë ndën vështrimin e Qeverrisë me të ardhurat e tij munt të përmbanjë një shkollë Normale edhe një Spital me 60-70 shtrate. Jam i sigurtë se në shkollën që të jetë këtu, gjithe djemtë do të jenë shumë të shëndeçim nga klima e’ bukur dhe era e paqme. Spitali që do të jetë këtu, do të shëronjë më një kohë të shkurtër të sëmurët. Përpara luftës Ballkanike bëhej ç’do panair i math, sa munt të themi m’i madhi panair në gjithë Shqipërinë. Dita e shënuar është më 23 Dhjetor po me që qëllon në dimër bëhet më 20 qershor. Shumica që vjen në këtë panair vjen për të shitur mall, gjë të gjallë, edhe për të blerë; të tjerë për dëfrime. Shumica që mblidhen kapërxen 3000-4000 shpirt, edhe mban afron një javë. Shenjt -Naumi ishte nën kajmekamllëkun e Ohrisë, edhe qeverrisej prej grekërve të atij qyteti, të cilët s’ishin tjatër po vetëm bullgarë dhe rumunë të grekosur. Këta nuk përkujdeseshin as për gjë po vetëm për të rrëmbyer. Mbante në Zgumen, tre Priftërinj, edhe dy mësonjës për fshatrat rrotull. Përmbantej më shumë se 60 shpirt, si bujqër, mjeshtër, furrxhinj, gjellëbërës, qilarxhinj, hekurxhinj, dhenarë etj, etj. Në furrë gatuhen për ditë 100-150 bukë, të cilat përdoren për punëtorët dhe vizitorët.

Të gjithë e donin Shën Naumin!
Pasi na kanë rrëfyer pleqtë, në kohrat e vjetra bëheshin trubulli të mëdha midis Bullgarve dhe Grekërve, se Bullgarët deshin të zotëronin; po u mposhtën se shumica dhe gjithë fshatrat rrotull janë Shqiptarë, po në ato kohëra mbanin emrin e Grekërvet. Në këto zihje mernin pjesë dhe Muahmedanët Shqiptarë, të cilët bashkë me të Krishterët e mpronin nga zotërimi i Bullgarve. Thuhet se dhe dhespotilerët’ e Korçës janë përpjekur t’a merrnin ndënë kujdesjen e tyre: po më kot se nuku deshnin fshatrat. Në kohën e fundit edhe dhespoti i Durrësit u përpoq gjithë për këtë qëllim po nuku mundi nga shkaku që nëmëruam më sipër. Në Shënjt-Naum sillnin shumë të sëmurë nga mendja ose të prishur mënç për të shëruar, dhe si për çudi shumica shëroheshin. Të kremtevet të mbëdha venë nga të gjitha anët si të Krishterë ashtu edhe Myslimanë. Këtë manastir e kanë vizituar edhe shumë njerës të huaj Evropjanë dhe kanë marrë shumë shënime e fotografi.
Këto dhe shumë të tjera janë në këtë vakëf që folëm më sipër; po dora ime nuku munt t’përshkruajë të gjitha.
Pyetja që lëndonte shpirtin: A do të na e lënë Shën naumin?!
Pyetja jonë edhe ajo që na lëndon shpirtin, zemrën dhe që na trondit mish’e kockë është cili e prêt Shenjt-Naumin? Mendja kurrë nuku na shkon që ky vënt t’i çkëputet Shqipërisë sindëkur për vise të tjera që na i rrëmbyen në konferencën e Londrës dhe për të cilat kemi nga një plagë, ashtu edhe për këtë vënt të bukur të pasur edhe historik jemi në dyshim gjersa të sigurohemi. Ndofta shkelësit barbarë e grabitnë edhe rrëmbyen sa muntnë, po ay vënt pasurohet vetiu. Në kohën që ju dha nota Serbisë për të lëshuar viset tona, nga Shenjt Naumi nuku e hoqi ushtrinë. Pas mapës që shikonim mbetej jashtë kufirit tonë me gjithë që nuk na vjen mirë të besojmë. Po me shpresë se në kohën e pritme të paqes do të kemi jo vetëm këtë vënt, po edhe Ohrinë. Atdhetarët e çkëlyer që përpiqen për fatin e Shqipërisë duhet të kenë ndërmënt këtë çështje edhe të përpiqen ta mprojnë se ndenjësit rreth e për qark janë të gjithë Shqiptarë edhe të na japin këshilla ç’duhet të bëjmë. Ca më shumë kjo barrë i ngarkohet atdhetarit shtrenjtë Dr. Gjerq Pekmezit, i cili është lindur në ato vise edhe e di punën fare mire”.
Shpresohej mos-humbja e Shën Naumit
Megjithatë autori Tushemishti ende shpreson: “Shpresojmë dhe na vjen mirë të mbesojmë se dhiplomatët që do të mblidhen rreth tyryezës së gjelbër në kohën e paqes nuk do të lënë asnjë plagë të hapur për gjithë kombet dhe kështu edhe për Shqipërisë do t’i japin gjithë vendet e saj që i bien kombësisht dhe gjeografisht. Le të shpresojmë!”
Përshkrimi i mësipërm na tregon se Shën Naumi ishte shituar para vitit 1917
(Ylli i Mëngjezit, Vol. 2 Boston, Mass., Wednesday, August 15, 1917, Nr. 3)
Rruga Press

