Lajme

Shfaqja ka mbaruar/ Luizës nuk ka kush t’i përgjigjet

9 minuta, 11 sekonda dhe 31 milisekonda është koha që iu desh Luiza Gegës për të thyer një rekord të kampionatit europian. Por, për të kuptuar se kremtimet me të cilat e pritën në Tiranë pas rekordi ishin thjesht një farsë, iu deshën 1 vit, 4 muaj dhe 21 ditë.

Kur e kuptoi ka shkruar një mesazh në rrjetet sociale, gjithnjë e përmbajtur për frustrimin që i shkakton mungesa e shpërblimeve financiare, por edhe tallja e madhe që iu bë në mes të Tiranës.

“E di çfarë më vjen keq? Që kam gjithë jetën time që investoj dhe vetëm dy vitet e fundit me ndryshimet e (VKM) kam arritur të marr diçka, sigurisht me djersën time asgjë po asgjë të falur. Edhe këtu gjithmonë gjejnë formë për të bezdisur.

Aq më tepër që jam në vitin më të rëndësishëm, vitin Olimpik. Por për fat të keq askush nuk e kupton rëndësinë e këtij viti. Unë nga institucionet përkatëse për të më thënë “Bravo”, kam nevojë që të më japin atë që më takon dhe të përpiqen më shumë për sportin. Faleminderit & nuk do ta lë me kaq” ka shkruar Gega në rrjetet sociale.

Mesazhi ishte i përmbajtur, por Gega e ka të qartë se duke thyer heshtjen ka ngritur një akuzë ndaj falsitetit të qeverisë.

Shumëkush e kujton ceremoninë pompoze me të cilën ajo u prit në Tiranë, pasi u shpall kampione e Europës në finalen e 3000 metrave me pengesa në Mynih.

Inskenimet në bulevardin Dëshmorët e Kombit atë mesditë të nxehtë gushti kishin diçka komike, të ngjashme me lojën e aktorëve të filmit “Historiani dhe kameleonët”.

Një turmë e madhe njerëzish u shfaq para kryeministrisë për të pritur kampionen në 23 Gusht të vitit 2022, megjithëse nuk kishte pasur njoftim publik për mbërritjen e saj. Burra, gra, të moshuar dhe fëmijë mbanin në duar flamuj të vegjël kuqezi dhe kishin bllokuar bulevardin.

Dielli i gushtit po bëhej gjithnjë e më i padurueshëm në mesditë, prandaj të gjithë u gëzuan kur më në fund një varg makinash dhe njerëzish me uniforma nisën të lëvizin nga ura e Lanës drej kryeministrisë.

Bashkë me marshimin, nisi edhe filmimi që transmetohej direkt në televizionet informative.

Të veshur me kostume të kuq, muzikantët udhëhiqnin në krye të delegacionit zhurmues. Këpucët e tyre përplaseshin në bulevard, nën ritmet e marshit që luanin me veglat muzikore. Instiktivisht, turma që priste para kryeministrisë krijoi një çarje mikpritëse në mes.

Pas muzikantëve, afroheshin ngadalë disa makina të policisë bashkiake me sirenat e alarmit ndezur.

Dhe në fund, të kortezhit zhurmues shfaqet një Cadillac i kuq, që rrëshqet triumfues mes grumbullit të njerëzve.

Në vendin e parë të Cadillac-ut, e shijon xhiron me makinë Evis Kushi, atëherë ministre e Arsimit. Në sediljet e pasme, ulur ylli i ditës: Luiza Gega. Në krah të saj, trajneri dhe bashkëshorti, Taulant Stërmasi.

Lexo më shumë  Flamuri bashkon shqiptarët, qytetarët e Kosovës rezervojnë në Shqipëri për festat e nëntorit

Ceremonia kishte një deja vu. Disa vite më parë kombëtares së futbollit, iu bë një pritje e ngjashme kur u kualifikua në europianin e 2016. Para se të merrnin veten nga ndeshja në Jerevan, futbollistëve të kombëtares iu desh të respektonin më parë kryeministrin Edi Rama.

Salltanetet dhe tapeti i kuq që i kishin shtruar, ia shumëfishuan emocionet Luiza Gegës.

Ajo shihet e prekur nga brohorimat dhe thirrjet e qindra njerëzve që i kishin mbledhur ta presin në pikun e vapës. I mirëpret duart që zgjaten dhe urimet nga cilido nga turma, që tund flamujt e vegjël kuqezi.

Se sa e ndërgjegjshme ishte Luiza Gega se kjo ishte një turmë false, aspak spontane, e mbledhur para kryeministrisë me urdhër dhe jo me dëshirë, këtë s’kemi nga ta dimë.

Por sigurisht që kur ka parë kryeministrin Edi Rama të përulet dhe t’i puthë duart në shkallët e kryeministrisë, emocionet duhet të kenë pushtuar Luiza Gegën në një mënyrë të papërmbajtshme.

Pak sportistë e kishin shijuar një respekt të tillë. Përulja pa turp e Evis Kushit që i bënte xhiro me Cadillac; njerëzit e mbledhur para kryeministrisë për ta uruar, brohorimat, urimet, flamujt që valëviteshin kudo; puthja e duarve nga kryeministri Edi Rama dhe sigurisht, lëvdatat e ministrave.

“Rezultati i Luizës është falë edhe këtyre ligjeve që qeveria shqiptare dhe parlamenti shqiptar i ka bërë dhe sportistët nuk marrin më rrugët për të bërë për flamujt e tjerë” e hapi siparin e propagandës live kreu i KOKSH, Fidel Ylli.

Stafetën e elozheve e kapi ministrja e fëmijëve, Bora Muzhaqi që tha se Luiza Gega u ngjit në majë për lartësuar kombin.

Erjon Veliaj bëri një krahasim të çuditshëm mes historisë së Luiza Gegës dhe bashkëshortit të saj, Taulant Stërmasit me historinë e marrëdhënies së tij me Edi Ramën, pastaj nuk mungoi as Evis Kushi që foli për buxhetin dhe shpërblimet financiare për sportistët dhe në fund Edi Rama, që për të përshkruar historinë e Luiza Gegës mori citimet e Winston Churchill.

Në fund, ceremonia në Sallën e Hartave u kurorëzua me Kordonin e madh me Yll të Mirënjohjes Publike dhe premtimin personal të Edi Ramës për shpërblimet financiare.

“Nuk ka shpërblim financiar, nuk ka medalje që mund të kompensojë sfilitjen, gjakun, lotët dhe djersën” – u shpreh Rama, që disa ditë më pas do ta përforconte më tej faktin se Luiza Gega do të shpërblehej financiarisht nga qeveria

Ceremonia pompoze dhe ftesa që Rama i bëri Luiza Gegës në kryeministri provokoi një debat të madh. Në qendër të vëmëndjes ishte braktisja e Luiza Gegës nga shteti.

Kritikët shkruanin se qeveria nuk kishte asnjë meritë për fitoret e Luiza Gegës dhe i gjithë organizimi i ngjante një “pengmarrjeje” për të vjedhur suksesin e kampiones së Europës.

Lexo më shumë  Rikonstruksioni i komisariateve/ SPAK çon në gjykatë një tjetër deputet të Ramës, Plarent Ndrecën

Kryeministri Edi Rama kërkoi të kundërpërgjigjej me fakte. Në një shënim të gjatë të publikuar në rrjetet sociale, ai shkruante se po i kundërviheshin me keqdashje nëpërmjet “lajmeve të rreme, fabrikimit të fakteve alternative, gjobave mediatike e sulmeve politike”.

Kryeministri tha se “nuk ka më protagonistë të braktisur të sportit, po ka sistem shpërblimesh për protagonistët, miratuar me vendim qeverie kohë më parë”. Pasi dha shifra të sportistëve që kishin marrë shpërblim, Rama siguroi se “nuk ka më as harresa, për të paguar detyrimet që burojnë nga vendimi përkatës i qeverisë”.

Edhe vetë Luiza Gega u detyrua t’i hedhë poshtë interpretimet, sipas të cilëve po përdorej politikisht nga Edi Rama. Ajo mohoi publikisht se pritja që iu bë ishte thjesht dhe vetëm një shfaqje propagandistike. Në një intervistë për mediat Luiza Gega do ta shfajësonte Edi Ramën.

“Jo, nuk jam ndjerë e përdorur. Shiko, në të gjithë botën po ta shikoni sportistët kur arrijnë medalje të mëdha priten si heronj dhe unë thjesht kam qenë shumë e lumtur që kjo gjë po ndodh më në fund dhe te ne. Mendoj që gjithmonë do të ketë njerëz që ngatërrojnë bindjet e tyre politike me një vlerësim që duhet t’i bëhet një sportisti nga kushdo parti që është në pushtet”, iu përgjigj ajo kritikëve të qeverisë.

Ka kaluar rreth një vit e gjysëm. Gega ka pasur plot kohë për të kuptuar se e kanë gënjyer. Shpërblimet financiare që ia kishin premtuar nuk janë dhënë. Ministrja Kushi ka ikur. Zyrtarët e tjerë ngurrojnë të firmosin, sepse vendimi i Këshillit të Ministrave lë hapësira për interpretim.

Në media ka rrëfyer për një moment, kur gjeti rastin dhe ia tha kryeministrit Rama se nuk i kishte marrë shpërblimet e premtuara. Ai ka thirrur Evis Kushin dhe ia ka lënë porosi se duhet t’i jepte zgjidhje ankesës së kampiones. Por fjalët e Ramës i ka marrë era, ndërsa Luiza s’ka marrë asnjë lek.

Për garat e Lojërave Olimpike dhe Kampionatin Europian po stërvitet në Kenia. Nuk ka guxim të thotë se Rama e ka përcjellë duke e gënjyer, deri në tallje. Nëse do të thoshte fjalën e fundit, qindra miliona lekë mund të mos i shohë kurrë.

Ndaj, edhe pse është e gënjyer, e papaguar dhe e tallur kufizohet kur përmend Edi Ramën, me shpresë se ai do ta mbajë fjalën. “Dua ta falënderoj, sepse jam ndjerë shumë e vlerësuar. Por kjo nuk ka të bëjë me kryeministrin, sepse nuk është ai personi që duhet të merret me shpërblimet e mia”.

Por tani është shumë vonë. Shfaqja ka marrë fund dhe Luizës nuk ka kush t’i përgjigjet./Lapsi.al

YouTube player