Shërbimi sekret: “Kokaina në banane, të përfshirë grupe e zyrtarë”. Kë po “mbron” SPAK?
Nga BoldNews.al
Në Janar 2018, në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda, mbërrin një informacion nga institucionet ligjzbatuese, me të paktën tre elementë; (1) një grup personash, shqiptarë e të huaj, po organizojnë kryerjen e trafikut të narkotikëve nga Amerika Latine drejt vendit tonë, (2) nëpërmjet kontenierëve që sjellin banane për kompani të caktuara, (3) në bashkëpunim me punonjës shtetërorë.
“Kemi marrë informacion se një grup personash, shtetas shqiptarë e të huaj, po përgatiten për trafikimin e lëndëve narkotike nga vendet e Afrikës dhe Amerikës Latine për në Shqipëri. Mënyra e trafikimit është shfrytëzimi i subjekteve që merren me aktivitet, tregtimin e frutave exotike, të cilat kanë si destinacion vendin tonë. Sipas informacionit, kjo lëndë narkotike do përdoret në vendin tonë, si dhe do trafikohet në vendet e Europës”, thuhej në informacionin e strukturave ligjzbatuese.
Materiali përmbante gjithashtu edhe emrat e kompanisë/kompanive, me kontenierët e të cilave dyshohej se kryhej trafiku i kokainës, si edhe të dhëna të tjera me interes për autoritetet.
Hetimi i këtij materiali, pati fillimisht një lloj suksesi, nën drejtimin e ish-Prokurorisë për Krime të Rënda. Më pas, kur dosjet i kaluan prokurorisë së re, SPAK-ut, gjithçka ka mbetur thjesht në identifikimin e pronarëve të kompanive të bananeve.
Prej më shumë se tre vitesh hetim, nuk rezulton i identifikuar asnjë grup porositës dhe, gjithashtu, as bashkëpunëtorë të mundshëm të trafikantëve në radhët e zyrtarëve publikë.
Suksesi fillestar
Hetimi nis menjëherë dhe rezultatet e para ishin shumë domethënëse. Në fund të shkurtit të atij viti, Policia sekuestron sasinë gjigande prej 613 kilogramë kokainë, në ngarkesën me banane të porositur nga kompania “Arbi Garden”.
Veprimet në terren ishin brenda normalitetit hetimor. U pikasën kontenierët me banane, brenda të cilëve ishte lënda narkotike, u shoqëruan deri në magazinat e kompanisë, me shpresë për të identifikuar porositësit.
Shqetësimi se ndoshta lënda narkotike mund të humbiste, nxiti forcat policore që të ndërhynin dhe të zbulonin sasinë gjigande të narkotikëve në kontenierin e mbërritur në ambjentet e “Arbi Garden”. Por, nuk u arrit të shkohej më tej.
Tashmë, pronari i shoqërisë, Arbër Çekaj, është dënuar me 14 vjet burgim, megjithëse ai e ka mohuar gjithnjë që është porositësi i kokainës.
Në Shtator 2019, po në kuadër të të njëjtin hetim, i zhvilluar në bashkëpunim edhe me autoritetet ndërkombëtare, u zbulua një sasi prej 137 kilogramë kokainë në portin grek të Pireut, në kontenierët me banane të kompanisë shqiptare “Alba Exotic Fruit”.
Sasia e narkotikëve u zëvendësua me pluhur orizi dhe u lejua të vijonte udhëtimin drejt Shqipërisë, me synin zbulimin e porositësve.
Veprimet policore në terren arritën të pikasnin tre personave që morën në portin e Durrësit “kokainën-oriz”, i ndoqën dhe arrestuan dy prej tyre. Megjithatë, ende nuk janë zbuluar porositësit.
Kjo ishte hera e fundit që hetimi u shoqërua me ndjekje në terren. Në fund të vitit 2019, vendin e Prokurorisë për Krime të Rënda e mori Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK).
Prej atij momenti, janë zbuluar sasi të ndryshme kokainë në kontenierët e bananeve. Angazhimi kryesor i SPAK-ut ka qenë vetëm identifikimi dhe arrestimi i pronarëve të kompanive, duke anashkaluar tërësisht dy elementët e tjerë; porositësit dhe bashkëpunëtorët e grupit/grupeve kriminale në radhët e zyrtarëve shtetërorë.
SPAK, veprime të ngathta
Pak ditë më parë, SPAK njoftoi vendosjen nën sekuestro preventive të kompanisë “Alba Exotic Fruit”.
Gjatë 6 muajve të fundit të vitit 2021, në kontenierët me banane të porositur nga kjo kompani, janë zbuluar sasi të ndryshme kokainë, e cila varion nga 10-15 kilogramë.
Pronari i kompanisë, Eduard Dauti është shpallur në kërkim, si i dyshuar për “trafik narkotikësh”, ndërkohë që vëllai i tij, Bajron Gumeni prej disa muajsh është i arrestuar.
Kompania “Alba Exotic Fruit”, nëpërmjet mbrojtësit ligjor, ka mohuar përfshirjen në trafik narkotikësh, duke theksuar se porosia është vetëm banane dhe nuk mbajnë përgjegjësi për atë se çfarë mund të gjendet në kontenierët që mbërrijnë nga Ekuadori për llogari të tyre.
Në Prill 2021, autoritetet policore zbuluan një sasi prej rreth 114 kilogramë kokainë në kontenierët me banane që vinin nga Ekuadori për llogari të një tjetër kompanie në Shqipëri, “Masabi Fruit”.
Edhe në këtë rast, prokurorët e SPAK-ut arrestuan dy administratorët e kompanisë, Erjon Peti dhe Klajdi Xibraku.
Këta dy persona vijojnë të jenë në paraburgim, megjithëse edhe ata vijojnë të mohojnë përfshirjen në trafik narkotikësh.
Ndërkohë, hetimet e deritanishme të Prokurorisë Speciale, ende nuk kanë arritur të zbulojnë nëse ka persona-porositës, si edhe ndonjë bashkëpunim të mundshëm me zyrtarë lokalë të Portit të Durrësit apo edhe më tej.
Rikthehemi sërish në fillim të vitit 2018. Informacioni i mbërritur në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda, duket se ka qenë i saktë.
Njëri prej elementëve të tyre, pra trafiku i kokainës nga Amerika Latine nëpërmjet kontenierëve të bananeve, ka qenë i saktë. Kjo, e vërtetuar me veprimet në vend, në portin e Durrësit.
Gjithçka tjetër ka mbetur mister.
SPAK-u ende nuk ka treguar se cilët janë “grupet shqiptarë e të huaj” që kryejnë trafikun e narkotikëve me kontenierët e bananeve dhe “personat që kanë detyra konkrete zyrtare, të cilët dyshohet se krijojnë kushtet dhe lehtësirat për kryerjen e procedurave të daljes nga porti të këtyre kontenierëve”.