Shëngjergji, krahina e “kërcënuar” me harresë historike dhe arkeologjike
Nga Luan Shtëpani
Ngjarje e fakte
Në vijim të rrugës për të çliruar Krujën, në 1443, Skënderbeu vjen në Shëngjergj. Pasi i spjegon qëllimet e ardhjes kunatit të tij Vladan Aranitit, kryepari në Shëngjergj, merr edhe shëngjergjas me vete bashkë me nipin nga e motra Muzakën e Angjelinës e realizon planin e famshëm të tij, çlirimin e Krujës. Që nga ky takim Shëngjergji lidhet me Skënderbeun në luftën për liri. Shëngjergjasit luftojnë nën komandën e tij nga ku dalin dhe ushtarakë të shquar. Për të ruajtuar befasinë dhe për të siguruar përkrahjen politike, ekonomike dhe ushtarake GJ.K. Skënderbeu erdhi tek Vladan Araniti, vëllai i Gjergj Aranitit, të cilët qenë të fortë, me influencë, të pasur e krushq të Gjon Kastriotit. Shëngjergjasit e presin mirë, u japin ç’duhet për luftën dhe i qëndrojnë besnik edhe pas vdekjes Skënderbeut duke luftuar në male edhe 10-12 vjet të tjera. Nga Shëngjergji dolën shumë kapedanë që luftuan nën komandën e Skënderbeut, të cilët ishin: Muzaka i Angjelinës, Pal e Gjin Manishi etj. Në fillim të viteve 1800 pati një tentativë nga osmanët për t’u futur dhe për të krijuar bazë në krahinën e Shëngjergjit. Kjo tentativë dështoi.
Abdyl Frashëri në Shëngjergj Janar- Shkurt 1881
Abdyl Frashëri pasi kryen punë në Dibër, në vazhdim të rrugës për në Tiranë qëndron pak ditë në Shëngjergj. Në Shëngjergj Abdyl Frashëri ka ardhur i shoqëruar nga baballarë të Teqes së Martaneshit, pavarësisht se nuk ishin të besimit “Bektashi”, por ishin fqinj, kishin miqësi e krushqi me martaneshasit. Shëngjergji mori pjesë në të gjitha kryengritjet kundër pushtuesve osmanë dhe në Lidhjen e Prizrenit.
Kryengritja e vitit 1902, kundër pushtuesve turq
Kontributi i krahinës së Shëngjergjit të Tiranës ka qenë i pranishëm direkt dhe indirekt në të gjitha ngjarjet më të rëndësishme që ka kaluar Shqipëria. Duke qenë se historianët me ose pa dashje nuk e kanë bërë si duhet punën për pasqyrimin e ngjarjeve të vitit 1902, është me vend të sjellim me fakte të pakundërshtueshme kryengritjen e popullsisë së Shëngjergjit kundër pushtuesve turq.
Pavarësisht se kanë kaluar vite e vite, raportimet e diplomatëve austriakë të kohës na e sjellin të qartë ngjarjen. Po ashtu dhe dëshmitarët e këtyre ngjarjeve nuk reshtën së treguari, duke na e bërë më të lehtë të tregojmë se çfarë ndodhi në Shëngjergj në korrik të vitit 1902. Si rezultat i punës së madhe që bënë patriotët e organizuar në klubet përparimtare të kohës, në drejtim të inkurajimit dhe të nxitjes së urrejtjes për pushtuesin, e të dashurisë për lirinë, indipendencën, gjuhën, kulturën e zakonet, populli i Shëngjergjit bëhet përkrahës i flaktë duke u hedhur me armë në dorë kundër okupatorit dhe tradhëtarëve të vendit. Pikërisht më 11 korrik 1902, ushtarë turq dhe bashkëpunëtorë të tyre në mënyrë të befasishme shkojnë në Shëngjergj të Tiranës, pozicionohen në vende dominuese dhe në të njëjtën kohë kryejnë edhe punime fortifikuese.
Qëllimi ishte i qartë: të ndëshkoheshin të gjithë ata që nuk zbatonin ligjin e mobilizimit ushtarak, nuk paguanin taksat dhe padyshim goditja e atyre që përkrahnin idetë e rilindasave dhe vendimet e Lidhjes se Prizrenit. Në atë periudhë, në Shëngjergj shumë patriotë të kësaj krahine po bashkëpunonin me organizatat patriotike kundër Turqisë për liri dhe mësimin e gjuhës shqipe. Në dëshmitë e kohës, të cilat janë të arshivuara, diplomatët austriakë janë shprehur se krahina e Shëngjergjit nuk i përfillte masat e qeverisë turke. Pra, e vetmja rrugë për turqit ishte ta shuanin qëndresën e kësaj krahine me anë të raprezaljeve. Por, rezistenca e detyroi Valiun e Shkodrës të urdhëronte largimin e forcave turke nga Shëngjergji.
Shkolla e parë shqipe në rrethin e Tiranës
Mësimi i gjuhës shqipe në Shëngjergj të Tiranës, ka filluar para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Këtë fakt e përforcojnë shumë dëshmi të cilat hedhin dritë mbi kohën ku filloi mësimi në gjuhën shqipe. Historia nis me normalistin e Elbasanit i cili në vitin 1910 largohet nga ky qytet për shkak të një incidenti. Me anë të ndërmjetësve ai shkon në Shëngjergj, ku fillon t’u mësojë të rinjëve dhe të moshuarve A, B, C. Ata që mësuan me këtë normalist, lanë kujtimet e tyre për këtë periudhë e cila mund të quhet si fillesa e mësimit në gjuhën shqipe në qarkun e Tiranës. Ndërsa shkolla e parë shqipe (ilegale) ka filluar në fund të vitit 1911 me ardhjen në Shëngjergj të mësuesit Ramiz Hatibi. Në vitin 1913, mësimi i gjuhës filloi të bëhej legalisht.
Ngritja e Flamurit në Tiranë dhe shpallja e Pavarësisë në Vlorë
Më 25-26 nëntor 1912 shumë shëngjergjas dhe nga krahina e Bendës, të armatosur, marrin pjesë në ngritjen e flamurit kombëtar, shpalljen e lirisë më 26 nëntor 1912 në Tiranë. Mëngjesin e 25 nëntorit u kërkuan urgjent nga Abdi Toptani dhe të tjerë 300 vetë në Tiranë për të ngritur flamurin. Meqenëse pjesa e gjallë luftarake, rinia, ishte në kurbet e me bagëtitë fushave, u bë e mundur që 130 vetë të arrijnë për gjithë natën në Tiranë, ku zunë pozicionet në pjesën lindore të Tiranës. Ndërkohë në ceremoninë e ngritjes së flamurit 20 vetë të armatosur ruanin parinë e Tiranës. Gjithashtu në Vlorë më 28 nëntor 1912, ishin të pranishëm dhe shëngjergjas.
Bajram Curri në Shëngjergj
Heroi i Popullit, Bajram Curri me malësorë nga Tropoja dhe Kosova në vijim të udhëtimit për në Vlorë në nëntor 1912, qëndron në Shëngjergj dy ditë. Shëngjergjasit e pritën me shumë entusiazëm shpalljen e pavarësisë në Vlorë, duke u bërë përkrahësit më të flaktë të qeverisë së Vlorës. Krerët e lëvizjes për çlirim kombëtar Aqif Pashë Elbasani, Abdi e Murat Toptani, forca ushtarake dhe besnike të sigurta kishin ato të krahinës së Shëngjergjit dhe të Çermenikës. Në maj të vitit 1914, rreth 250 vetë nga Shëngjergji dhe nga Bastari (Benda) me kërkesën e qeverisë së Vlorës formojnë një batalion. Ata nisen me armatim, municion dhe bukë me vete për tre ditë, për të luftuar për mbrojtjen e kufijve të jugut nga sulmet dhe pretendimet e grekëve. Ata u nisën për në Durrës ku më pas do të udhëtonin me barkë për në drejtim të Vlorës. Por, u sulmuan befasisht tek Ura e Limuthit. Propaganda e gënjeshtër esadiste bëri që ata të ktheheshin përsëri në Tiranë. Sipas kësaj propaganda të gënjeshtër, çeshtja në jug kishte filluar të zgjidhej me marrëveshje dhe në rrugë diplomatike nga fuqitë e mëdha. Në tetor 1915 patrioti Murat Toptani vjen në Shëngjergj ku atje qe vendosur një garnizon austro- hungarez. Gjatë qëndrimit të tij ai i përgëzoi shëngjergjasit për qëndresën e tyre dhe i kërkoi ta vazhdojnë atë për të ruajtur flamurin, shkollën dhe lirinë. Në nëntor 1917 shëngjergjasit refuzuan kërkesën e Esat Pashë Toptanit për të dërguar luftëtarë në Durrës që të luftonin për interesat e tij. I zemëruar pa masë nga kjo sfidë ai arreston shumë shëngjergjas dhe i internon në Itali. Ndërkohë nuk dihet dhe sot e kësaj dite fati i tyre.
Shëngjergjasit në mbrojtje të punimeve të Kongresit të Lushnjes
Gjatë kohës që zhvillonte punimet Kongresi i Lushnjes shumë shëngjergjas ishin të pranishëm në Lushnje. Me ardhjen e Këshillit të Naltë dhe Qeverisë në Tiranë, rreth 20 shëngjergjas, po aq dhe martaneshas u thirrën nga krerët e lëvizjes kombëtare për të bërë sigurimin e udhëheqjes. Ata shërbyen me besnikëri duke mos pranuar grada dhe rrogë. Por, me dëshirë si atdhetarë të bënin sigurimin e këshillit të naltë të Qeverisë derisa të gjendeshin njerëz të tjerë.
Beslidhja e Shëngjergjit
Më 22 shkurt 1920 në vendin e quajtur “Dyqani i Domit” mblidhen burrat e krahinës së Shëngjergjit e lidhën besën se do të përkrahin qeverinë e Kongresit të Lushnjës e programin e saj. Do të luftojnë kundërshtarët në çdo mënyrë, do të kapin dhe dorëzojnë të gjithë të arratisurit që përkrahin “Qeverinë e Durrësit”, do të mbrojnë nga lindja Tiranën me çdo kusht. Dokumentin e beslidhjes e nënshkruajnë me vulë pleq e pari nga krahinat dhe ja dërgojnë nënprefekturës së Tiranës e Prefekturës së Durrësit nga vareshin në atë kohë. Me përpikmëri i gjithë populli i zbatoi të gjitha zotimet ku brenda pak ditëve u vendos qetësia dhe rregulli në krahinë duke zbatuar kërkesat e qeverisë. U formua krahinaria e re me qendër në Shëngjergj, po ashtu u krijua dhe nënreparti i xhandarmërisë. Ndërkohë u dëbuan nga Shëngjergji me luftë reaksionarët e përkrahur nga jugosllavët.
Kontribut madhor kundër coptimit të Shqipërisë
Në Bizë të Shëngjergjit në qershor 1920 forcat vendase luftojnë kundër forcave reaksionarë të mbështetura nga ushtria jugosllave. Qëllimi i tyre ishte që pasi të mobilizoheshin forcat në krahinën e Shëngjergjit të sulmonin Tiranën. Bashkë me forca të tjera të qeverisë që erdhën në ndihmë nga Tirana e Durrësi shpartallohen këto forca mercenare duke u ndjekur deri në thellësi të kufirit. Eleminimi i forcave serbe në Bizë të Shëngjergjit shpëtoi nga rrëzimi dhe eleminimi qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjes. Nuk u realizua coptimi i Shqipërisë ku jugun ta merrte greku dhe veriun serbi. Në qershor 1921 xhandar dhe vullnetarë të krahinës së Shëngjergjit përkrah forcave qeveritare të udhëhequra nga Bajram Curri i përgjigjen thirrjes për të shtypur rebelimin në Mirditë.
Këto forca në vijim të detyrës u morën me popullsinë e Mirditës e shpejt të dy palët qenë bërë miq, kjo në saj të besës që i kishin dhënë njëri- tjetrit dhe mirëkuptimit atdhetar. Populli i Shëngjergjit voton dhe mbron anën përparimtare. Përkrahu me të gjitha forcat qeverinë e F. S Nolit. Shëngjergjasit refuzuan komplotistët që erdhën në Shëngjergj për të përgatitur terrenin për grusht shteti. Ata e kishin provuar dhe A. Zogun kur ishte ministër i punëve të brendshme. Ai i largoi një nga një shëngjergjasit përparimtarë nga detyra, fakt ky i dokumentuar. Do të shkonte dhe më tej hakmarrja e tij. Burg dhe vrasje.
Në tetor 1938 populli i Shëngjergjit kundërshtoi përpjekjet e qeverisë dhe prefekturës për ndryshimin e kufirit verior të fshatit. Populli ishte përgatitur dhe për konfrontim. Megjithëse nuk u zbatua ndryshimi i kufijve, 18 vetë arrestohen. Popullsia sërish deklarohet për revoltë nëse ato nuk lihen të lirë. Me urdhër të prefekturës të arrestuarit u liruan dhe u gjykuan në gjendje të lirë.
“Kuvendi i Shëngjergjit” më 7 prill 1939
Shëngjergjasit dënojnë pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Nëpërmjet fletushkave të hedhura nga avioni ata mësuan atë ditë pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Puna në Shëngjergj u ndërpre, mësimi po ashtu. Bisedohej në sheshe dhe në oda, për të luftuar kundër pushtuesve. Mbërrijnë në Shëngjergj të deleguarit e parë, për të organizuar LANÇ, ndërkohë filloi në mënyrë të organizuar puna agjitative dhe propagandistike. Dalngadalë u zgjerua rrethi i antifashistëve me burra e gra, të rinj dhe të reja. Më 15 gusht 1942, krijohet Këshilli Nacionalçlirimtar për gjithë fshatin ( Shëngjergji kishte 4 lagje me 4 kryepleq). Në dhjetor krijohen këshilla nacionalçlirimtare në fshatrat e Shëngjergjit, në janar- mars në fshatrat e tjerë. Më 5 dhjetor 1942, krijohet në Shëngjergj njësiti i parë ilegal partizan që shërbeu si bazë e bërthamë për formimin e çetës partizane të Shëngjergjit. Me zgjerimin e aktivitetit të lëvizjes në Shëngjergj e në krahina fqinje lindi nevoja të kryeshin shërbime në krahina të tjera, me persona të armatosur. Kështu krijohet në Shëngjergj njësiti partizan. Shumë ngjarje të dokumentuara. Pasi u ngritën këshillat nacionalçlirimtare e lëvizja ishte shtrirë edhe në fshatrat e tjera të krahinës, më 10 maj 1943, formohet çeta partizane e Shëngjergjit.
Më 15 qershor 1943 dëbohen nga Shëngjergji komuna dhe posta e xhandarmërisë. Shëngjergji u bë zonë e lire. Qeverisja e vendit bëhej nga Këshillat Nacionalçlirimtare. Gjatë kësaj periudhe mbizotëroi rregulli dhe qetësia. Më 23-28 gusht 1943 të deleguarit e popullit bashkë me çetën e Shëngjergjit ishin pjesëmarrës në takimin e Fushë- Gurrës në një kuvend në shkallë qarku për të forcuar unitetin si dhe për të gjetur rrugë dhe shtigje të tjera për një pjesëmarrje sa më masive në luftë. Më 30-31 gusht 1943 të ashtëquajturit “baballarë të kombit” (krerë të Komitetit të Ballit Kombëtar) erdhën në Shëngjergj me shpresë se do të gjenin përkrahje dhe mbështetje. Pas debateve dhe demaskimesh nga populli ato u larguan me dështim të plotë dhe pa zhurmë nga fshati. Tetor 1943, rreth 200 burra, shumica të moshuar nisen për në Priskë për të luftuar armikun. Pas 2-3 orëve që erdhi njoftimi, burrat që u ndodhën në fshat morën armë dhe bukë me vete dhe u nisën për në Priskë. Një natë më parë në Priskë sipas kërkesës së batalionit “Dajti” kishte shkuar çeta partizane e Shëngjergjit. Forcat gjermane u thyen.
Shëngjergj/ 28 Nëntor 1943, festa e flamurit dhe e Brigadës së 2-të Sulmuese
Festë madhështore. Dy ngjarje të mëdha festohen në një ditë. “Dita e Flamurit” dhe inagurimi i “Brigadës së 2-të”. Morën pjesë populli i krahinës së Shëngjergjit, nxënës shkollash, çeta partizane, anëtar të këshillit dhe shtabit të përgjithshëm të UNÇ. Historia e Brigadës II Sulmuese është historia e luftës dhe e përpjekjeve të atyre bijve dhe bijave shqiptarë që erdhën në gjirin e kësaj njësie nga zona dhe krahina të ndryshme të Tiranës, Elbasanit, Gjirokastrës, Mallakastrës, Kurveleshit, Kolonjës, Librazhdit etj. Brigada II Sulmuese është një nga formacionet e para e më të mëdha partizane. Në ditën e inagurimit, pjesëmarrja e gjithë popullit dha mesazhe shumë domethënëse. Këngë dhe valle pas ceremonisë.
Më 7 dhjetor 1943 organizohet në Shëngjergj përballja e kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar me Abaz Kupin anëtar i këtij Këshilli. Ngjarje e përshkruar në dokumenta për ndarjen përfundimtare me Abaz Kupin. Më 23 dhjetor 1943 një pjesë e çetës partizane të Shëngjergjit rrethohet në mes të fshatit nga forca të shumta gjermane. Pas luftimeve të ashpra për 3-4 orë çahet rrethimi, humbje nga të dy palët. Çeta ishte ngarkuar me detyrë që të bënte ndërlidhjen mes brigadës së 2-të, të 3-të me Tiranën, për të marrë informata lidhur me gjendjen në krahinë si dhe për të bërë ndonjë furnizim për shtabin e këshillin e përgjithshëm NCL Për hakmarrje atë ditë gjermanët dogjën lagjen Kasallë, arrestuan mbi 30 burra dhe i mbajtjën për tre javë në burgje. Në janar 1944 ku ende nuk kishte marrë fund operacioni i dimrit komanda e grupit të qarkut të Elbasanit që ishte në Çermenikë vendoset në Shëngjergj.
Më 5 mars 1944 priten në Shëngjergj si shokë armësh dhe lufte tre batalione të Brigadës së Parë Sulmuese të cilët bëjnë një inkursion në veri për të zbatuar një detyrë të ngarkuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UNÇ. Në Shëngjergj qëndruan 17 partizanë të sëmurë që e kishin të pamundur të ndiqnin brigadën. Forca të brigadës së 2-të dhe të 3-të, çeta e Shëngjergjit, batalioni i Çermenikës shpartallojnë forcat e ballit të cilët kishin planifikuar të kalonin në operacion në Shëngjergj. Forcat e Divizionit I dhe Brigadës së 5-të vendosen në Shëngjergj. Mjaft shëngjergjas ndër to dhe partizanë të çetës së Shëngjergjit inkuadrohen vullnetarisht në brigadën e 5 sulmuese. Pak më vonë në Bizë të Shëngjergjit, vendoset përkohësisht dhe shtabi i Divizionit të 2-të sulmues.
Pas Shtabit të Përgjithshëm, në Shëngjergj punuan dhe vendosën shtabet e tyre disa brigada dhe batalione të ushtrisë NÇL ( Br. 1,2,3,4,5,6,7 dhe batalionet e Çermenikës, Martaneshit, Dajtit, Matit, Dibrës, etj. Më 28 korrik 1944 forca të ballit, mbi 400, të ardhur nga Tirana me objekt sulmi Shëngjergjin sulmuan në befasi fshatin Shënmëri. Ata kishin si qëllim final Bizën. Popullsia, një pjesë e çetës së Shëngjergjit të mbështetur nga një mortaje e brigadës së 3- të i kundërpërgjigjen forcave balliste, i ndjekin këmba-këmbës duke i shpartalluar plotësisht. Pas korrikut deri në ditën e çlirimit, populli i Shëngjergjit e realizoi më së miri detyrën për atdheun.
Sot i madh dhe i vogël flet për Shëngjergjin.
Ndër vite kronikanë vendas apo dhe të huaj, kanë lënë shumë shkrime apo dhe dorëshkrime për këtë krahinë. Shëngjergji sot përmendet për bukuritë e natyrës. Kjo është mëse e vërtetë. Në fakt kjo krahinë ka një pjesë shumë të rëndësishme, historinë. Turizmi nuk mund të zhvillohet pa historinë. Pavarësisht kërkesave të shumta, nuk ka një muze të krahinës. Nga ana tjetër, kjo krahinë
është lënë tërësisht në harresë nga arkeologjia. Duke filluar nga Kalaja e Skënderbeut në fshatin Shëngjin të Shëngjergjit. Kjo kala është një objekt fortifikimi i lashtë. Studiuesit duke u mbështetur në faktin se qeramika e gjendur në brendi të vendit të rrethimit përbëhet kryesisht prej tjegullash që datohen në shekullin IV-VI të erës sonë, arrijnë në përfundimin se kemi të bëjmë me një vendbanim të lashtë dhe më një kështjellë të ndërtuar në shek. IV-VI. Deri tani për këtë kala është shkruar fare pak. Po ashtu, ende nuk janë bërë gërmime arkeologjike. Kalaja me qytezat pranë saj janë objekte me shumë rëndësi. Eshtë shumë trishtuese që deri më tani nuk është paraqitur interes, pavarësisht vlerave të veçanta që ka. Po ashtu, në Shëngjergj sipas shkrimeve të kohës dhe gojëdhënave ka shumë gjurmë të tjera për arkeologjinë.
Rruga Press