Shemben banesat te ‘5 Maji’, IKMT nis aksionin 3 orë më herët
Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit ka nisur mëngjesin e sotëm shembjen e banesave te lagjia ‘5 Maji’ në Tiranë. Shembja e banesave po kryhet në kuadër të procesit të rindërtimit. Shembja e tyre ishte paralajmëruar që të niste në orën 10:00, mirëpo fadromat e IKMT kanë mbërritur 3 orë më herët për të kryer punën e tyre.
Në total do të preken 430 ndërtesa, ndërsa faza e parë është me 120 banesa. Banorët kanë protestuar që prej 19 janarit kundër shembjes, duke argumentuar se ka paqartësi për masën dhe periudhën e dëmshpërblimit. Sot ata nuk kanë dalë për të protestuar, mirëpo nuk dihet nëse do të mblidhen më vonë për të shprehur revoltën e tyre, siç e kanë treguar në ditët e kaluara.
SI KA NISUR PROTESTA E BANORËVE?
Protestat e banorëve kanë nisur prej disa muajsh, por më 19 janar të këtij viti, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ndërmori aksionin për prishjen e banesave në zonën e 5 majit në Tiranë duke i hapur rrugën procesit të rindërtimit. Shembja e banesave u shoqërua me kundërshtinë e banorëve, të cilët u përplasën me efektivët e Policisë. Banorët pretendojnë se në të këtë zonë do të ndërtohen edhe kulla dhjetra-katëshe me njësi biznesi dhe qendra tregtare. Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK, kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë Tiranë për shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera, teksa akuzojnë se në këtë zonë do të ndërtojë Anton Gjinaj alias Pashk Rapi, person me rekorde të rënda kriminale. Banorët kërkojnë shpronësimin sipas rregullave, duke marrë parasysh se një pjesë e tyre kanë certifikatë pronësie, ndërsa pjesa tjetër janë në proces legalizimi në pritje të marrjes se statusit të plotë të pronësisë.
Rruga Press