LajmeUncategorized

Shehu: Më 23 maj në OKB, Shqipëria të jetë determinuese edhe për Kosovën

Shkruan: Tritan Shehu

Më 23 maj, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të diskutojë – shpresoj të miratojë – Rezolutën për njohjen e dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë, të paraqitur nga Gjermania e Ruanda e të mbështetur nga disa vende, midis të cilëve edhe Shqipëria.

Në këtë kontekst pritet të caktohet data 11 korrik si Dita Botërore e Kujtesës për këtë gjenocid. Një iniciative kjo, jo thjesht simbolike, por tejet e rëndësishme për stabilitetin e Rajonit, bashkëpunimit të vërtetë rajonal, procesit të integrimit evropian të tij. Sepse, pa njohjen e krimeve monstruoze, pa dënuar ato dhe pa insistimin që përgjegjësit të kërkojnë së paku falje, nuk mund të ketë garanci për standarde të tilla, që duhet të realizojë rajoni ynë, për paqe e për t’u bërë pjesë e Evropës.

Dhe, shembujt për domosdoshmërinë e këtyre proceseve “katarsi” janë aktuale në Evropë. Koha tregoi se vetëm në atë mënyrë realizohet bashkëpunimi e konsolidohet e ardhmja e përbashkët. Shembulli më i mirë i kësaj është krijimi i BE-së, mbi gërmadhat e krimet e Luftës së Dytë Botërore. E ardhmja nuk u ndërtua mbi fshehjen e të vërtetës e krimeve, përkundrazi mbi zbulim e tyre, njohjen, dënimin e kërkimin ndjesë, siç veproi e veprojnë Qeveritë gjermane që në realitet nuk i lidh asgjë me nazizmin. Kurse, në Serbi, tabloja është shumë më e komplikuar se reminishencat fizike apo ideologjike të Millosheviqit, që drejtojnë atë vend, bëjnë çdo përpjekje për të fshehur atë çfarë ndodhi, gjë që nuk jep garanci për të ardhmen. Në këtë kontekst, çdo veprim i qartë do të ndihmonte edhe një formë vetëshpëlarje të Serbisë, do forconte opozitën demokratike e evropeiste aty. Dhe, kjo nuk vlen vetëm për gjenocidin në Srebrenicë, por edhe për atë në Kosovë.

Fatkeqësisht, jetojmë në një kohë kur retë e zeza po lëvizin përsëri mbi kokat tona. Koha po tregon se dhe në kontekstin e ri, gjërat nuk janë aq rozë sa menduam. Kosova vërtet është e pavarur. Por, akoma larg njohjes së plotë ndërkombëtare. Bosnja kërcënohet në ekzistencën e saj nëpërmjet Republika Sërbska e lidhur me Serbinë e Rusinë më tej. Ata që krijuan atë gjenocid e pastrim etnik në vitet 1990 në rajon, në Srebrenicë, Bosnje, Kosovë, po drejtojnë Serbinë e janë akoma të vendosur si faktor destabilizues, antiperëndim, për të qëndruar me Rusinë e Lindjen, për të vazhduar në realizimin e ëndrrave të tyre nacionaliste. Prandaj, së fundmi kërkojnë transformimin e të vërtetave historike, edhe para organizmave si KS e OKB.

Ajo që ndodh, në KS, për të njollosur ndërhyrjen e NATO në Kosovë, për të mbrojtur krimet serbe aty, është tejet shqetësuese. Pra, jemi në një fazë të re të sulmit të forcave të dikurshme, jo thjesht në mospranimin e atyre krimeve e mos kërkimit ndjesë për ato, si një garanci, por edhe të një ofensive politike a më shumë për të certifikuar gënjeshtrën, akuzuar viktimat, Bosnjën, Kosovën, UÇK etj. Këtu dua të përmend ato që tha më 25 mars ambasadori rus në OKB kur cilësoi luftëtarët e UÇK-së si bandë kriminale. Apo atë çfarë kërcënoi Daçiqi ndaj votimit të 23 majit për Rezolutën e Srebrenicës: Ai votim do të tregojë miqtë e armiqtë e Serbisë.

Prandaj, ai diskutim e votim ndaj gjenocidit serb në Srebrenicë, caktimi i një dite përkujtimore për atë, është moment historik jo vetëm për Bosnjën, por edhe për rajonin e shumë më gjerë. Është moment ndriçimi i fakteve historike, mbi të cilat duhen përcaktuar rrugëtimet e së ardhmes drejt paqes, bashkëpunimit e integrimit. Është një moment historik edhe për Kosovën, jo vetëm si pësuese e një gjenocidi të ngjashëm mbi veten e saj, por dhe si “viktimë” aktuale e provokacioneve serbe, ruse, të lidhura me mohimin e transformimin nga këta të të vërtetave historike. Prandaj, ai debat e ajo iniciativë duhet të zgjerohet nga përfaqësuesit tanë në OKB edhe drejt paraqitjes e sensibilizimit për gjenocidin serb në Kosovë, një e vërtetë kjo e pamohueshme. Në këtë kontekst, unë e konsideroj të domosdoshme rritjen e përfaqësimit tonë për atë procedurë, së paku në nivel ministri të Jashtëm.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

Sepse, aktet janë të lidhura, në kohë e metoda. Gjatë periudhës 1998-1999, forcat serbe kryen në Kosovë rreth 100 masakra kolektive ndaj popullsisë civile në Kosovë. U shkatërruan dhe u kthyen në gërmadhë, vendbanime u vranë në mënyrë barbare fëmijë, gra dhe të moshuar, shpesh duke i djegur të gjallë, duke i groposur në puse.

Krimet e kryera nga forcat e armatosura serbe të Republikës Federale të Jugosllavisë, gjatë fushatës së programuar, të planifikuar dhe të institucionalizuar shtetërore, kishin si qëllim shfarosjen e shqiptarëve dhe ndryshimin e dhunshëm të përbërjes etnike të Kosovës, duke dëbuar rreth një milion njerëz nga trojet e veta, duke vrarë më shumë se 13 mijë shqiptarë të pambrojtur. U vranë mizorisht 1432 fëmijë, mbi 800 prej tyre nën moshën pesëvjeçare dhe 1739 gra.

Forcat serbe ushtruan dhunë seksuale ndaj rreth 20 mijë personave, kryesisht gra e vajza shqiptare. Krimet mizore serbe në Kosovë janë gjenocid ndaj popullatës shqiptare. Qëllimi i Serbisë ishte t’i shfaroste shqiptarët dhe ta kthente Kosovën në tokë të djegur. Gjenocidi sipas së drejtës ndërkombëtare përkufizohet dhe përfshin sulme të dhunshme me qëllim specifik për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar. Këtë e bëri Serbia dhe Millosheviqi në Kosovë. Filozofi Elie Wiezel e krahasoi spastrimin etnik serb në Kosovë me Holokaustin hebrenj kur foli në Shtëpinë e Bardhë për Kosovën më 12 prill 1999, kur lufta në Kosovë po zhvillohej në përmasa gjenocidi. “Unë u betova të mos hesht kurrë kurdo dhe kudo që qeniet njerëzore durojnë vuajtje dhe poshtërim” – ka thënë ai. Studiuesja amerikane Samantha Power ia kushtoi një kapitull gjenocidit në Kosovë, në librin e saj për gjenocidet e shekullit me titull “Problemi nga Ferri” .

Dhe kjo ndodhi mbas gjenocidit në Srebrenicë, nga e njëjta makinë ushtarake, me ngjashmëri si dy binjake. Masakra e Srebrenicës dhe krimet kundër njerëzimit në Kosovë kanë tipare ekskluzive të gjenocidit serb bazuar në të gjitha përcaktimet e dokumenteve ndërkombëtare dhe duhet të dënohen nga organizatat ndërkombëtare si OKB. Kjo, sepse mbi 8300 myslimanët e masakruar në Srebrenicë nuk janë rast krimesh lufte. Janë masakër në emër të zhdukjes së tyre për shkak se dallojnë nga serbët. Sepse, 1432 fëmijët nga mosha disamuajshe deri 14 vjeç të asgjësuar e masakruar në Kosovë nuk mund të akuzoheshin për asnjë veprimtari kriminale. Ata u asgjësuan se kishin lindur nga nëna shqiptare.

Të 13 mijë të tjerët të vrarë e të masakruar ishin njerëz të paarmatosur e të pambrojtur. Të mbi 20 mijë gratë e vajzat e përdhunuara dëshmojnë për urrejtje etnike të policëve, ushtarëve dhe paraushtarakëve serbë. Djegia e banesave, pasurisë publike e private, shkatërrimi i objekteve historike e të trashëgimisë kulturore ishte përpjekje për të zhdukur gjurmët e kësaj trashëgimie, të boshnjakëve dhe të shqiptarëve. Masakrimi dhe deportimi i kufomave në Serbi të rreth 4000 shqiptarëve të vrarë në Kosovë u bë për të zhdukur gjurmët e krimit dhe është gjithashtu provë e pakundërshtueshme e gjenocidit serb në Kosovë. Dëbimi i miliona myslimanëve në Bosnje dhe rreth një milion shqiptarëve nga shtëpitë e tyre me qëllim spastrimin etnik të Bosnjës dhe Kosovës është akt terrori gjenocidi.

Çdo gjë që ka ndodhur në Srebrenicë dhe në Kosovë është gjenocid i parashikuar në Konventën e OKB-së dhe në rezoluta e pafund të kësaj organizate, të provuara në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi. Prandaj, natyrshëm del pyetja, si ne mund të njohim e dënojmë gjenocidin serb në Bosnje dhe jo atë në Kosove? Kjo është një pyetje e madhe, që rëndon mbi shpatullat e secilit nga ata që nuk e pranojnë, qoftë dhe duke bllokuar Parlamentin shqiptar për daljen me atë rezolutë, që në mënyrë të qartë të njohë atë gjenocid, ta dënojë atë, t’u kërkojë përgjegjësve të kërkojnë falje dhe të orientojë Qeverinë e Shqipërisë ta asistojë Kosovën në rrugën e përgatitjes të asaj dosje të vështirë, voluminoze për të vazhduar me tej me procesin e njohjes e dënimit ndërkombëtar. Kjo do të ishte në nderin tonë e të drejtën historike. Dhe këtë duhet ta bëjmë përpara se ndonjë vend tjetër i Rajonit ta marrë mbi vete këtë rol asistence ndaj Kosovës.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Në fakt, është e paimagjinueshme që Kuvendi i Shqipërisë si pasojë e Rilindjes të bjerë në një dështim historik në sensin më negativ kjo, për të nxjerrë një Rezolutë të tillë, gjë që do të ishte shumë e rëndësishme edhe në mbështetje të rezolutës së Kuvendit të Kosovës, që kërkon solidaritet së pari nga ne. Çdo gjë që deri tashti ka realizuar Kuvendi ynë është një frazë e mjegullte në Rezolutën çalamane për gjenocidin serb në Srebrenicë. Me këtë dështim ne dëmtojmë rëndë Kosovën, vëmë pikëpyetje mbi ndërhyrjen e aleatëve tanë aty. Kështu, me një formë a tjetër vihemi në shërbim të grupit Serbi-Rusi-Kinë, që kërkojnë të mohojnë realitetin e të vendosin nën akuzë atë ndërhyrje shpëtimtare. Por, jo vetëm kaq, me këtë dështim ne kemi njollosur ndërgjegjen tonë kombëtare. Historia jonë nuk do ta harrojë këtë akt kaq të thellë antikombëtar e antirajonal, që po luhet në Parlamentin e Shqipërisë. Sepse historia nuk i merr parasysh aspektet politike, historia do të shkruajë se Shqipëria dështoi, nuk e bëri rezolutën që duhej realizuar.

Kosova luftoi heroikisht kundër pushtimit serb, Shqipëria në shumë plane e mbështeti, NATO ndërhyri për të shpëtuar Kosovën, Shqipërinë e rajonin. Ajo luftë na afroi fort me Kosovën. Tashmë ne duhet të bëjmë hapa konkrete, edhe duke miratuar atë rezolutë, apo denoncuar kudo gjenocidin serb aty, që ajo çfarë u konsolidua në ato periudha të zhvillohet më tej.

Ky do të ishte edhe një rast, një mundësi e mirë për të shkrirë akullin që ka ngrirë marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë. Krizë kjo në marrëdhëniet tona e krijuar artificialisht nga ju e kjo qeveri, krizë kjo nga vendosja prioritare e marrëdhënieve Serbi-Shqipëri, me lëshimet e kompromiset antikombëtare ndaj Serbisë. Duke lënë në plan të dytë, në fakt duke i sakrifikuar për hir të atyre, jo vetëm marrëdhëniet me Kosovën, por edhe interesat e saj, që janë dhe tonat e të rajonit. Do të ishte gjithashtu dhe një mbështetje reale edhe ndaj atyre luftëtarëve të UÇK-së, që mbahen të mbyllur nën akuza krimesh, kur në të vërtetë ata veçse mbrojtën popullin e tyre përballe gjenocidit serb. Pikërisht për të filluar më shumë vonesë kthesën, pranuar të vërtetat historike, ndihmuar në sqarimin e transparencën e realitetit ballkanik, jo vetëm për hir të dijeve, por si elemente thelbësore për përballimin e sfidave të ardhshme këto, është e domosdoshme që kjo qeveri të vihet menjëherë në lëvizje. Atë që kjo maxhorancë kreu duke bllokuar Kuvendin tonë nën trysninë e Vuçiç kur deklaroi se, “do të bëjmë të gjitha përpjekjet që Parlamentet e vendeve miq të mos njohin gjenocidin në Kosovë”, të fillojë ta “shlyejë” me një qëndrim aktiv në OKB, për të sensibilizuar aty për gjenocidin në Kosovë, gjatë diskutimeve për Srebrenicën.

Prandaj, gjatë debatit që do të mbahet në Asamblenë e OKB për Rezolutën për Srebrenicën, duhen realizuar të gjitha përpjekjet për të barazuar atë gjenocid me krimet në Kosovë. Kjo është mënyrë më racionale për të ndihmuar edhe në normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë, gjë për të cilën ne dhe Rajoni në tërësi jemi të interesuar. Sepse, ky normalizim nuk mund të avancojë pa u pranuar nga serbët krimet e së kaluarës, kërkuar së paku ndjesë për ato. Koha kërkon që të evidentohet e vërteta tragjike e atyre viteve për rajonin, dënuar ajo dhe nga institucionet ndërkombëtare. Ky duhet të jetë një aksion i gjerë politik. Pjesëmarrja në këtë aksion do të ishte i një rëndësie të pamatshme kombëtare e rajonale. Do të jetë pikërisht kjo që në fund të fundit do të nxisë, detyrojë, shtyjë dhe përgjegjësit e atyre tragjedive t’i pranojnë ato, gjë që do t’i bëjë ata më të qetë e forcojë stabilitetin rajonal. Prandaj, 23 maji është një moment e mundësi historike!

Rruga Press

YouTube player