BallinaLajme

Shefi i Urgjencës Kombëtare Brataj: Spitalet rajonale do të hapen kur të jenë drejt ezaurimit kapacitetet e Covid 4, izolimi total do të frenonte përhapjen e virusit


Shefi i Urgjencës Kombëtare Brataj: Spitalet rajonale do të hapen
Spitalet rajonale do të hapen kur të jenë drejt ezaurimit kapacitetet e spitalit Covid 4. Kështu deklaroi ditën e djeshme shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj në një intervistë për media. Ai u shpreh se me rritjen e numrit të rasteve nga Covid do të shtohen edhe kapacitetet spitalore, ndërsa tha se në varësi të situatës do të merren të gjithë masat e nevojshme për parandalimin e përhapjes së infeksionit. Ndër të tjera Brataj u shpreh se të gjithë pacientët do të trajtohen dhe se sipas tij askujt nuk do t’i mungojë trajtimi. “Vetëm në 24 orët e fundit kemi pasur 129 thirrje. Numri i të infektuarve është mbi 32 mijë ndërsa i atyre aktivë është afërsisht 18 mijë. Kohët e fundit u hap reparti i tretë i Covid 3 ndërsa mbrëmë u hap dhe Covid 4. Ka një kapacitet prej 100 shtretër që në ditët në vijim do të shtohen dhe 50 të tjerë. Do të aktivizohen spitalet rajonalë përpara se të ezaurohet Covid 4. Kemi plotësuar kapacitetet spitalore. Shumë herë keqinterpretohen thëniet tona. Ne nuk do shkojmë në hotele dhe stadiume. Pacientit do t’i shërbehet kudo në varësi të situatës. Kemi dhe një moment që do të bllokohet infeksioni me alternimin e mësimit si dhe me pjesën e pushimeve dimërore. Nëse do ezaurohen kapacitetet. Çfarëdolloj skenari të vijë, ne do i trajtojmë si të kemi mundësi. Askujt nuk do t’i mungojë trajtimi”, tha Brataj. Teksa foli lidhur me një mbyllje të shkollave ai u shpreh se kjo masë duhet shoqëruar me një izolim të vendit. Brataj theksoi se mbyllja e shkollave do të sjellë grumbullime të fëmijëve në ambientet jashtë, një masë e cila nuk do të ndihmonte në ndalimin e përhapjes së infeksionit. “Është thënë disa herë që masat fillojnë nga ato më të lehta deri tek më të ashpra. A funksionojnë këto masa? Ashpërsimi i tyre do të ishte më efektiv për ndalimin e virusit. Por nëse do të mbyllim shkollat, atëherë fëmijët do të dalin jashtë nëpër lulishte. Nëse do të kemi një izolim total do frenohej përhapja e virusit. Ndaj nuk e mbyll mundësinë e infeksionit. Mendoj se me ardhjen e festave të fundvitit, njëfarë mase do kontrollojë infeksionin”, tha Brataj. I pyetur nëse do të ketë mbyllje të aktiviteteve pasi janë cilësuar shpesh si vatra infeksioni, Brataj u shpreh se të gjitha këto aktivitete janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe mbyllja e njërës prej tyre do të sillte vështirësi në funksionimin e tjetrës. “Aktivitetet nuk mund t’i ndërpresësh dot për shkak se janë të ndërthurura me njëra-tjetrën. Nëse do mbyllësh njërën pjesë atëherë duhet t’i mbyllësh të gjitha por kjo do të sjellë ndikim shumë të madh negativ”, theksoi Brataj.

Lexo më shumë  Kryeministri australian pranon me krenari rrënjët arbëreshe: Kam lidhje me Shqipërinë

YouTube player