SHBA sanksionon personat e lidhur me prodhimin e dronëve të Iranit
Shtetet e Bashkuara sanksionuan të premten, më 6 janar, individë të lidhur me prodhimin e dronëve iranianë që, sipas Uashingtonit, u përdorën nga forcat ruse në luftën në Ukrainë.
Sanksionet u referohen gjashtë personave të lidhur me kompaninë iraniane “Quds Aviation Industries” (QAI), e cila është e angazhuar në projektimin dhe prodhimin e mjeteve ajrore pa pilot.
Sanksionet janë vendosur ndaj drejtorëve ekzekutivë dhe anëtarëve të bordeve drejtuese të dy kompanive. Departamenti amerikan i Thesarit pretendon se ata janë të përfshirë në prodhimin e dronëve iranianë, të cilët Teherani i transferoi për përdorim në pushtimin rus të Ukrainës.
Në mesin e të sanksionuarve është kreu i QAI-t dhe një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes të Iranit, Seyed Hojatollah Ghoreishi.
“Ai udhëhoqi përpjekjet e kërkimit dhe zhvillimit ushtarak të Iranit dhe ishte përgjegjës për marrëveshjen e Iranit me Rusinë për furnizimin me dronë iranian të luftës së Rusisë në Ukrainë”, ka thwnw Departamenti amerikan i Thesarit.
Gjithashtu, është sanksionuar edhe një person i lidhur me Organizatën iraniane të Industrisë së Aviacionit.
Departamenti amerikan i Thesarit e përshkroi Qods Aviation Industries (QAI), e cila ka qenë nën sanksionet e SHBA që nga viti 2013, si një prodhues kyç iranian përgjegjës për projektimin dhe prodhimin e dronëve.
“Ne do të vazhdojmë të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion për t’i shkurtuar mundwsinw presidentit rus Vladimir Putin qw tw ketë armët që ai po përdor për të zhvilluar një luftë barbare kundër Ukrainës”, tha Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen.
Ukraina ka akuzuar Iranin se ka furnizuar Rusinë me dronë “kamikazë” që u përdorën në një seri sulmesh që vranë të paktën tetë persona, më 17 tetor të vitit të kaluar.
Irani, pasi e mohoi këtë, më vonë pranoi se kishte dërguar një “numër të kufizuar” dronësh në Rusi “shumë muaj” përpara luftës në Ukrainë.
Moska ka mohuar se forcat e saj kanë përdorur dronë iranian kundër Ukrainës.
Rruga Press