SHBA: Rusia po shkel traktatin e kontrollit të armëve bërthamore
Rusia po shkel një marrëveshje kyçe për kontrollin e armëve bërthamore me Shtetet e Bashkuara dhe po vazhdon të refuzojë të lejojë inspektimet e objekteve të saj bërthamore, tha të martën një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
“Rusia nuk është në përputhje me detyrimin e saj sipas Traktatit të Ri START për të lehtësuar aktivitetet e inspektimit në territorin e saj. Refuzimi i Rusisë për të lehtësuar aktivitetet e inspektimit i pengon Shtetet e Bashkuara të ushtrojnë të drejta të rëndësishme sipas traktatit dhe kërcënon qëndrueshmërinë e kontrollit të armëve bërthamore amerikano-ruse”, tha zëdhënësi në deklaratë.
“Rusia gjithashtu ka dështuar të përmbushë detyrimin e Traktatit të Ri START për të thirrur një sesion të Komisionit Konsultativ Dypalësh në përputhje me afatin kohor të mandatuar nga traktati”- shtoi ndër të tjera ai.
Njoftimi i SHBA ka të ngjarë të rrisë tensionet me marrëdhëniet midis dy vendeve në acarim, ndërsa Moska vazhdon luftën e saj kundër Ukrainës.
Rruga Press