SHBA miraton dozën e tretë të vaksinës së Covid për 12 vjeçarët
Autoritetet shëndetësore në Shtetet e Bashkuara kanë miratuar injektimin e dozës së tretë për fëmijët mbi 12 vjeç dhe reduktuan nga 6 në pesë muaj kohën e marrjes së dy dozave të para dhe asaj përforcuese.
Vendimi i Agjencisë së Ushqimit dhe Barnave vjen pasi pandemia është përhapur si pasojë edhe e variantit Omicron, ndërsa miliona nxënës rikthehen nëpër shkolla pas periudhës së pushimeve.
Agjencia tha se vendimi për vaksinimin e fëmijëve vjen pas eksperiencës së Izraelit ku mijëra fëmijë të moshës 12 deri në 15 vjeç kanë marrë tashmë dozën përforcuese.
Në SHBA, një 14-vjeçar tha pasi mori vaksinën Pfizer se është e vetmja mënyrë se si mund të shpëtohet bota.
“Kjo është mënyra se si grupmosha ime mund të ndihmojë botën të kthehet në gjendjen e mëparshme. Kështu që ne jemi duke e çuar drejt asaj, pas 2 vjetësh jemi në rrugën e duhur. Ky është drejtimi më i mirë për t’u rikthyer atje ku ishim.”
Shefi i sëmundjeve epidemiologjike, Dr. Ulysses Wu në Hartford Healthcare tha se këta janë fëmijë inteligjentë që e kanë kuptuar se vaksinimi është gjëja e duhur që duhet të bëjnë.
“Nuk dua t’i quaj fëmijë të guximshëm, sepse nuk ka asgjë për guxim, por unë do t’i quaj fëmijë tepër inteligjentë dhe të pjekur që e kanë kuptuar se kjo është gjëja e duhur që duhet të bëjnë, jo vetëm për të mbrojtur veten, por për të mbrojtur të dashurit dhe të tjerët rreth tyre.”
SHBA-të kanë regjistruar shifra rekorde ditët e fundit, ku infektimet mesatare janë 400 000 raste të reja në ditë.
Në rritje janë edhe shtrimet nëpër spitale, e sidomos të fëmijëve me norma vaksinimi të ulëta.
Rruga Press