Rasti i tokës së Manastirit të Deçanit e ndalimi i dinarit serb, Bislimi: S’ka logjikë që në një rast të kërkohet zbatimi i Kushtetutës e në tjetrin jo
Shtetet e Bashkuara i kanë bërë më parë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e autoriteteve financiare për paratë e gatshme, ku është përmendur edhe dinari serb.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar mbi deklaratën, ndërsa tha se Kushtetuta duhet të zbatohet në tërësi.
Bislimi tha se nuk ka logjikë që në një rast të ketë insistim të bashkësisë ndërkombëtare që Kushtetuta të zbatohet në rast tjetër të mos zbatohet.
Në një konferencë për media me Ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak, Bislimi ka insistuar në zbatim të Kushtetutës në të gjitha rastet.
“Kur është fjala te neni 11 i Kushtetutës, që thotë ka vetëm një monedhë në qarkullim në Kosovë, të njëjtit miq na thonë ‘po këtë mos e zbatoni’. Kushtetuta, ose është e shenjtë, dhe duhet të zbatohet, ose pastaj bëjmë cherry picking [përzgjedhjen më të favorshme]. Nëse duhet të bëjmë cherry picking, po e bëjmë ne. Nëse duhet të zbatohet, atëherë insistoni që të zbatohet në të gjitha rastet”, ka thënë ai.
Sipas zëvendëskryeministrit, çdo deklarim i tij për sistemin e drejtësisë është certifikim i mosndërhyrjes në drejtësi. Ndërsa ka drejtuar një pyetje retorike nëse janë gjykatat e pavarura në Kosovë.
“I kam dy mundësi: ose flas me gjykatësit nëpër mekanizma paralel dhe ndikoj në vendimin e tyre, atëherë nuk kam nevojë të deklarohem publikisht se kam arritur qëllimin, kam ndërhyrë në drejtësi, ose në pamundësi të ndërhyrjes në drejtësi, deklaroj publikisht për brengat që kam. Çdo deklarim publik i imi për problemet me sistem të drejtësisë janë certifikim i mosndërhyrjes në drejtësi. Sepse tregojnë që kam pakënaqësi, dhe nuk kam zgjedhur rrugën e ndërhyrjes. Jo çdo brengë e dikujt që thotë mos ndërhyni në drejtësi, është rezultat i mosndërhyrjes. Pyetjet që duhet ta bëni: sa janë të pavarura gjykatat tona? Është e qartë që gjykatat janë të pavarura nga Qeveria, por a janë të pavarura? Nëse jo, nga kush varen, kush i ndikon vendimet që marrin gjykatat tona? Nëse unë kritikoj një vendim, sepse bash ai vendim nuk është i pavarur. Sepse do të doja që gjykatësi të vendosë në bazë të elementeve pa ndërhyrje nga jashtë, qoftë brenda apo jashtë Kosovës”, ka deklaruar Bislimi.
Ditë më parë, Banka Qendrore e Kosovës, e ka miratuar një rregullore për operacionet me para të gatshme që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e transaksioneve. Kjo rregullore parashihet të hyjë në fuqi më 1 shkurt.
Rruga Press