Bota

SHBA, Japonia dhe Koreja e Jugut i përgjigjen kërcënimeve të Koresë së Veriut

Presidenti amerikan Joe Biden, do të takohet me udhëheqësit e Koresë së Jugut dhe Japonisë të premten, për të diskutuar një përgjigje “të bashkërenduar” ndaj vendosjes së mijëra trupave të Koresë së Veriut për të ndihmuar luftën e Moskës kundër Ukrainës dhe për kërcënimin bërthamor të Phenianit.

Takimi pritet të mbahet përgjatë punimeve të Forumit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në Lima të Perusë.

Vendosja e trupave të Phenianit (në Rusi) është një “zhvillim i rëndësishëm”, u tha gazetarëve këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, rrugës për në Lima.

“Ne do ta trajtojmë atë me seriozitetin me të cilin meriton të trajtohet”, tha ai.

Zoti Sullivan tha se takimi trepalësh do t’u mundësojë udhëheqësve të përgatiten për çdo lëvizje të mundshme “provokuese” nga Pheniani, përfshirë provat bërthamore dhe lëshimin e raketave balistike, ndërsa Shtetet e Bashkuara përgatiten për një ndryshim të administratës kur Donald Trump të marrë detyrën në janar.

“Periudhat kalimtare kanë qenë historikisht periudha kohore kur DPRK ka ndërmarrë veprime provokuese”, tha Sullivan, duke përdorur shkurtesën për emrin zyrtar të Koresë së Veriut, Republika Popullore Demokratike e Koresë.

Shtetet e Bashkuara kanë një politikë “parandaluese të gjerë” që synon të parandalojë kundërshtarët që të sulmojnë aleatët, duke përfshirë Korenë e Jugut dhe Japoninë. Politika thotë se Uashingtoni do t’u vijë në ndihmë nëse ata sulmohen, duke përfshirë potencialisht përdorimin e kapaciteteve bërthamore amerikane.

Lexo më shumë  Kina do të duhet të përballojë “kosto më të larta” për mbështetjen e Rusisë në Ukrainë, thotë shefja e ardhshme e politikës së jashtme të BE-së

Udhëheqësit do të shpallin krijimin e një sekretariati si pjesë e përpjekjeve të tyre për të “institucionalizuar” bashkëpunimin trepalësh, që filloi si një seri dialogësh të udhëheqësve mbi sigurinë ekonomike, shkëmbimin e të dhënave të zbulimit dhe bashkërendimin e politikave të mbrojtjes. Diskutimet trepalëshe të udhëheqësve filluan në maj të vitit 2023 përgjatë takimit të G7-tës në Hiroshima të Japonisë dhe më pas në Camp David, në muajin gusht të atij viti.

Përpjekja trepalëshe është një nga nismat e Presidentit Biden për sigurinë rajonale në përpjekje për të nxitur Seulin dhe Tokion të tejkalojnë vitet e armiqësive dhe të punojnë së bashku për të penguar kundërshtarët e përbashkët, Korenë e Veriut dhe Kinën.

Forcat ushtarake amerikane, japoneze dhe koreano-jugore, nisën të enjten stërvitjet e përbashkëta në ujërat në jug të gadishullit Korean dhe në perëndim të Japonisë, stërvitjet e fundit nën administratën e Presidentit Biden.

Gjatë mandatit të tij të parë, ish Presidenti Trump mbrojti lidhje më miqësore me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un dhe u bëri trysni Tokios dhe Seulit për të marrë përsipër një pjesë më të madhe të barrës së mbrojtjes nga SHBA-ja.

Lexo më shumë  Blinken thotë se Biden do të dërgojë “sa më shumë ndihmë të jetë e mundur” në Ukrainë në muajt e fundit të tij në pushtet

Një ditë para rizgjedhjes së zotit Trump, Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut përmbyllën një marrëveshje të re që Seuli të paguajë 1.19 miliardë dollarë në vitin 2026 për të mbështetur trupat amerikane, një rritje prej 8.3 pë qind në krahasim me vitin e kaluar.

Koreja e Veriut kryen prova me dronë shpërthyes – Kim bën thirrje për prodhim masiv

Koreja e Veriut kreu prova me dronë shpërthyes të krijuar për t’u përplasur mbi objektivat dhe udhëheqësi Kim Jong Un bëri thirrje për përshpejtimin e prodhimit masiv të armëve, tha media shtetërore të premten.

Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve e Koresë së Veriut, publikoi foto të udhëheqësit Kim duke biseduar me zyrtarë pranë të paktën dy llojeve të ndryshme të mjeteve fluturuese pa pilot. Ato përfshinin ato me bishta dhe krahë në formë X që duken të ngjashme me ato që u shpalosën në muajin gusht, kur Kimi inspektoi një tjetër demonstrim të dronëve që shpërthejnë në përplasje, shkruan VOA.

Rruga Press

YouTube player