Bota

SHBA-ja sanksionon tre zyrtarë të Republikës Sërpska

Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi se ka sanksionuar tre zyrtarë, që sipas tij, kanë kontribuar në përpjekjet e presidentit të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, për të minuar paqen dhe stabilitetin në Bosnje e Hercegovinë, duke organizuar dhe mbajtur “Ditën e Republikës Sërpska” më 9 janar.

Kjo ditë konsiderohet jokushtetuese në Bosnje e Hercegovinë. Sipas Thesarit amerikan, tre individët e sanksionuar kanë ndihmuar përpjekjet e Dodikut për të minuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara lidhur me përpjekjet e vazhdueshme për të minuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës, dy institucione kritike që kanë qenë instrumentale për paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Brian Nelson.

“Ne do të vazhdojmë të mbajmë përgjegjës të gjithë ata që synojnë të ndjellin përçarje për të arritur qëllimet e tyre politike në kurriz të popullit të Bosnje Hercegovinës”, shtoi ai.

Lexo më shumë  I nominuari i Trumpit për shef të Pentagonit sulmon NATO-n e OKB-në

Tre personat e sanksionuar janë: Branisllav Okuka, Jellena Pajiq Bastinac dhe Srebrenka Golliq.

Më 8, 9 dhe 10 janar të vitit 2024, Qeveria e entitetit të Republikës Sërpska organizoi festimet për “Ditën e Republikës Sërpska” në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, që e ka shpallur këtë ditë jokushtetuese sepse i jep përparësi “trashëgimisë fetare, traditës dhe zakoneve vetëm të popullit serb” dhe në këtë mënyrë shkelet obligimi kushtetues për mosdiskriminim.

Branisllav Okuka, këshilltar i Dodikut, tha për agjencinë e lajmeve Srna “se është punë e madhe të jesh në ekipin e njerëzve nga lista e zezë amerikane të udhëhequr nga presidenti Millorad Dodik”.

“Është një nder i madh për mua që të sanksionohem si një nga pjesëmarrësit në organizimin e festës së 9 janarit, ‘Ditës së Republikës}, që ishte më madhështorja dhe spektakolarja e këtij viti dhe ju premtoj se 9 janari i ardhshëm do të jetë më i mirë dhe më masiv”, tha ai.

Lexo më shumë  Le Monde: Franca dhe Britania nuk përjashtojnë drejtimin e një koalicioni në Ukrainë. Dërgimi i ushtarëve evropianë po diskutohet

Përfaqësuesi i lartë, Christian Schmidt, kishe deklaruar se shënimi i 9 janarit përfaqësonte “një dështim të qartë dhe të drejtpërdrejtë të zbatimit të vendimeve përfundimtare dhe detyruese të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës”. Sipas tij, një shkelje e tillë përbën vepër penale sipas Kodit Penal të shtetit.

Dodik personalisht kishte drejtuar një komitet organizativ për festimet për “Ditën e Republikës Sërpska” në entitetin serb të Bosnjës.

Tre personat e sanksionuar ishin anëtarë të këtij komiteti dhe kishin marrë pjesë në mbledhjen e 27 nëntorit të vitit 2023, ku publikuan aktivitetet që do të mbaheshin për shënimin e kësaj dite.

Sipas Thesarit, me lehtësimin e shënimit të kësaj feste jokushtetuese, këta tre persona me vetëdije kundërshtuan konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe të përfaqësuesit të lartë dhe “shfaqën hapur përbuzjen për Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit”.

Rruga Press

YouTube player