SHBA-ja planifikon ta “godasë” Orbanin
Kongresi amerikan po përgatit një draft të sanksioneve që synojnë figurat kryesore politike hungareze të lidhura me qeverinë e Viktor Orbanit. Ish-zyrtarët dhe mbështetësit e qeverisë, kryesisht të lidhur me partinë Fidesz të kryeministrit Viktor Orban, do të jenë nën sanksionet.
Legjislacioni ka qenë në punë që nga viti i kaluar dhe pritet të dalë përpara Kongresit muajin e ardhshëm, ku ka të ngjarë të marrë mbështetje të gjerë, sipas zyrtarëve të njohur me procesin e hartimit të projektligjit. Projektligji për sanksionet po përgatitet në mes të përkeqësimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Budapestit, shkruan The Guardian.
Orbani ka qenë aleat i ngushtë politik i Donald Trumpit dhe Fidesz mban lidhje të forta me konservatorët amerikanë të linjës së ashpër. Këtë javë, dokumentet e Pentagonit zbuluan, bazuar në inteligjencën, në të cilat Orbani e përshkroi SHBA-në si një nga tre armiqtë më të mëdhenj.
Hungaria njoftoi dje se planifikon të largohet nga Banka Ndërkombëtare e Investimeve (IIB) e kontrolluar nga Rusia, vetëm një ditë pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj institucionit me bazë në Budapest të përshkruar gjerësisht në Evropë si “kali i Trojës” i Moskës.
Duke shpallur vendimin për tërheqjen e përfaqësuesve të saj nga banka, Hungaria shprehu zhgënjimin e saj me presionin e SHBA-së.
“Ne pranojmë dhe kuptojmë që përfaqësojmë pozicione të ndryshme, por nuk e kuptojmë pse ka nevojë të ushtrohet presion ndaj vendeve të tjera për të ndryshuar qëndrimin e tyre. Hungaria është një vend, ndaj duhet trajtuar si e tillë, jo si koloni”, është thënë nga qeveria e Orbanit.
Kjo nuk është hera e parë që amerikanët vendosin sanksione ndaj individëve të afërt me Orbanin. Në vitin 2014, Uashingtoni ndaloi një numër zyrtarësh hungarezë të hynin në vend, duke përfshirë kreun e zyrës kombëtare të taksave, për shkak të dyshimit për korrupsion.
Rruga Press