Bota

SHBA-ja ndan edhe 400 milionë dollarë për Ukrainën

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar për një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën të premten, në vlerë prej 400 milionë dollarësh.

Njoftimi vjen në kohën kur Kievi zyrtar po përpiqet t’i mbajë prapa trupat ruse, të cilat të premten në mëngjes kanë sulmuar rajonin e Kharkivit, raporton AP.

Ky është kësti i tretë i ndihmës për Ukrainën që kur Kongresi e miratoi pakon në vlerë prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, në muajin prill. Rreth 61 miliardë dollarë nga kjo pako janë për Ukrainën.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar të enjten se shteti i tij po përballet “me një situatë shumë të vështirë” në lindje, mirëpo ka shtuar se me arritjen e furnizimeve me armë nga SHBA-ja, forcat ukrainase “do të arrijnë t’i ndalin” trupat ruse për të mos përparuar në brendsi të shtetit.

Lexo më shumë  Zyrtari i lartë i NATO-s u bën thirrje bizneseve të përgatiten për ‘skenarë lufte’

Paketa përfshin sisteme raketash artilerie të lëvizshmërisë së lartë dhe raketa për to, si dhe municione për sistemet e avancuara të raketave Patriot, municione artilerie, kundërajrore dhe antitank, si dhe një sërë mjetesh të blinduara, si p.sh. Bradley.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka thënë të premten se ndihma më e fundit ushtarake kishte për qëllim, pjesërisht, për të ndihmuar Ukrainën të shmangte përpjekjet në rritje ruse për të kapur Kharkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.

Lexo më shumë  Nuk munguan as goditjet – detaje dhe pamje rreth përplasjes fizike mes deputetëve në Parlamentin e Serbisë

Kirby vuri në dukje se Rusia ka nisur tashmë inkursionet fillestare në zonat përreth qyteteve Vovchansk dhe Lyptsi, pranë Kharkiv.

“Është e mundur që Rusia të bëjë përparime të mëtejshme në javët e ardhshme, por ne nuk parashikojmë ndonjë përparim të madh. Dhe me kalimin e kohës, fluksi i ndihmës së SHBA-së do t’i mundësojë Ukrainës t’i rezistojë këtyre sulmeve gjatë vitit 2024”, ka deklaruar Kirby.

SHBA-ja ka ofruar rreth 50.6 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën që nga pushtimi i Rusisë në shkurt 2022.

Rruga Press

YouTube player