SHBA-ja i kërkon Xi-së t’i bëjë presion Putinit t’i ndalë krimet në Ukrainë
SHBA-ja i ka kërkuar presidentit kinez, Xi Jinping që të bëjë presion ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, për t’i ndalur “krimet e luftës” që po kryhen nga Rusia në Ukrainë.
Jinpingu dhe Putini do të takohen sërish të martën për bisedime zyrtare gjatë vizitës së parë të Xi-së në Moskë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, raportoi BBC-ja të martën.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë i bëri thirrje Xi-së që t’i kërkojë homologut të tij rus të tërheqë trupat nga Ukraina.
John Kirby ka deklaruar se kërkimi i një armëpushimi nuk mjafton.
“Ne shpresojmë që presidenti Xi do të bëjë presion ndaj presidentit Putin që të ndalojë bombardimet e qyteteve, spitaleve dhe shkollave të Ukrainës, të ndalojë krimet e luftës dhe mizoritë, dhe të tërheqë trupat e tij”, ka thënë Kirby.
Ai ka shtuar se SHBA-ja është e shqetësuar se në vend të kësaj, Kina do të përsëris thirrjet për një armëpushim që i lë forcat ruse brenda territorit sovran të Ukrainës.
Putini ka thënë se do ta diskutojë një plan prej 12 pikash të propozuar nga Xi-ja për të “zgjidhur krizën akute në Ukrainë”.
“Ne jemi gjithmonë të hapur për një proces negociatash”, ka thënë Putini.
Rruga Press