SHBA-ja emëron zyrtarët që do të merren me “Sindromën e Havanës”
Departamenti i Shtetit në SHBA emëroi dy zyrtarë për të koordinuar një përgjigje ndaj sëmundjes të quajtur “Sindroma e Havanës” nga e cila janë prekur qindra diplomatë dhe zyrtarë amerikanë jashtë shtetit.
Sëmundja shkakton larmi simptomash, përfshirë: marramendje, të përziera, migrenë dhe humbje të kujtesës.
Sëmundja është quajtur “Sindroma e Havanës”, sepse është shfaqur për herë të parë në Ambasadën amerikane në Havanë, në vitin 2016, duke prekur dhjetëra diplomatë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha më 5 nëntor se ambasadori Jonathan Moore do të shërbejë si koordinator i grupit të punës së Departamentit të Shtetit për këtë çështje, ndërsa ambasadorja, Margaret Uyehara, do të drejtojë një ekip që do të merret me mbështetjen e punonjësve që janë prekur nga sëmundja.
Zyrtarët amerikanë nuk janë të sigurt se kush ose çfarë saktësisht fshihet pas “Sindromës së Havanës” për të cilën dyshohet se është një sulm përmes radiofrekuencave ose energjisë.
Tek disa diplomatë kjo sëmundje ka shkaktuar edhe dëmtime të trurit. Rastet janë raportuar në Kubë, Kinë, Rusi, Evropë dhe vende të tjera.
Më shumë se 200 raste janë nën hetim.
Drejtori i Agjencisë Qëndrore të Inteligjencës (CIA), William Burns tha në një seancë dëgjimore në Kongres javën e kaluar se agjencia po punon për të përcaktuar se kush dhe çfarë qëndron pas sulmeve të dyshuara.
Burns tha më parë se ekziston një “mundësi shumë e fuqishme” që sëmundja të shkaktohet qëllimisht, duke shtuar se ekziston një numër i kufizuar “të dyshuarish të mundshëm” që posedojnë aftësinë për të kryer një veprim të tillë në të gjithë globin./REL
Rruga Press