SHBA-ja e NATO të bindur se Bjellorusia do t’i bashkohet Rusisë në luftë kundër Ukrainës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO besojnë se Bjellorusia “së shpejti” mund t’i bashkohet Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës, kanë thënë zyrtarët e SHBA-së dhe NATO-s për CNN të martën. Sipas tyre Bjellorusia tashmë po merr hapa për të vepruar.
“Ka gjithnjë e më shumë gjasa që Bjellorusia të hyjë në luftë. Putini ka nevojë për mbështetje. Çdo gjë do ta ndihmonte”, ka thënë një zyrtar ushtarak i NATO-s.
Një burim i opozitës bjelloruse ka thënë për CNN se njësitë luftarake bjelloruse janë gati të shkojnë në Ukrainë në ditët e ardhshme, me mijëra forca të përgatitura për t’u vendosur brenda territorit ukrainas. Sipas këtij burimi, kjo do të kishte më pak ndikim ushtarak sesa gjeopolitik, duke pasur parasysh implikimet që një vend tjetër i bashkohet luftës.
Një zyrtar i lartë i inteligjencës së NATO-s ka thënë se aleanca vlerëson se qeveria bjelloruse “po përgatit mjedisin për të justifikuar ofensivën kundër Ukrainës”.
Rusia ka nisur sulmin e saj ndaj Ukrainës pjesërisht nga territori i Bjellorusisë dhe mijëra trupa ruse u grumbulluan në Bjellorusi përpara pushtimit të Ukrainës nga Kremlini muajin e kaluar. Sanksionet amerikane dhe evropiane në përgjigje të luftës kanë vënë në shënjestër zyrtarët rusë dhe bjellorusë, përfshirë presidentin bjellorus Alexander Lukashenko.
Zyrtari nuk shtjelloi se si Bjellorusia mund të ndërhynte në luftë, por tha se ka mundësi që Rusia të përpiqet të ndërpresë ndihmën ushtarake të NATO-s që vjen në Ukrainë nga kufiri i saj perëndimor.
Rruga Press