SHBA-ja dhe Kina dominuan tregun e armëve më 2019
Kompanitë amerikane dhe kineze dominuan tregun global të armëve në vitin 2019.
Një raport i lëshuar të hënën nga Instituti Ndërkombëtar për Kërkim të Paqes, me seli në Stokholm, tregon se këto kompani kanë përbërë mbi 75 për qind të shitjeve vitin e kaluar.
Nga 25 kompanitë më të mëdha të armëve në botë, 12 kanë qenë amerikane dhe kanë përbërë 61 për qind të shitjeve të armëve dhe shërbimeve ushtarake, ndërsa shitjet e kompanive kineze kanë qenë 15.7 për qind, thuhet në raport.
Shitjet totale nga 25 kompanitë e para janë rritur për 8.5 për qind, përkatësisht në 361 miliardë dollarë, thekson po ashtu raporti.
Lista vazhdon të udhëhiqet nga kompania amerikane e hapësirës ajrore Lockheed Martin.
Shtetet e Bashkuara kanë dominuar tregun ndërkombëtar të armëve me dekada, por shitjet e kompanive kineze janë rritur për gati 5 për qind në vitin 2019, thuhet në raport.
Raporti i Institutit Ndërkombëtar për Kërkimin e Paqes po ashtu tregon se, për herë të parë, një kompani nga Lindja e Mesme është futur në mesin e 25 kompanive më të mëdha të armëve në botë.
Bëhet fjalë për kompaninë EDGE nga Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila është formuar nga konsolidimi i rreth 25 subjekteve të mbrojtjes në vitin 2019.
I krijuar nga Parlamenti i Suedisë më 1966, Instituti Ndërkombëtar për Kërkim të Paqes gjurmon shpenzimet ushtarake dhe transferimet e armëve.