SHBA-ja dhe Britania sanksionuan NIS-in, Vuçiq: Kërkohet largimi i plotë i Rusisë nga pronësia
Departamenti Amerikan i Thesarit ka sanksionuar industrinë e naftës ruse, duke përfshirë në listë edhe kompaninë serbe “Industria e Naftës së Serbisë” (NIS). Këtyre masa kufizuese i është bashkuar edhe Britania e Madhe.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 10 janar, në një konferencë për shtyp pas publikimit të sanksioneve nga Ministria e Financave të SHBA-së, se këto janë “sanksione të rënda dhe serioze”, raporton nova.rs.
Ai theksoi se kërkohet largimi i plotë i Rusisë nga pronësia e NIS-it dhe se transformimi i pronësisë së kompanisë duhet të miratohet nga zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) brenda Departamentit të Thesarit.
“Pak ditë para ndryshimit të qeverisë, shteti më i fuqishëm në botë vendosi sanksione ndaj NIS-it. Nuk është qëllimi i Serbisë që të jetë shënjestër e amerikanëve, as vetëm NIS – është një sulm gjithëpërfshirës ndaj Rusisë, e cila nuk ka vetëm prodhimin e naftës, por edhe të gjitha kompanitë e ndërlidhura, përfshirë NIS”, tha Vuçiq.
Vuçiq theksoi se amerikanët do të kërkojnë nga ai tërheqjen e plotë të interesit rus nga NIS.
“Ata nuk lejojnë 49 për qind të kapitalit rus, por daljen e plotë të interesit rus nga NIS. Ky i fundit do të jetë në gjendje të vazhdojë të funksionojë rregullisht dhe ne do të duhet të fillojmë menjëherë me planin e transformimit të pronësisë. Dhe ai plan duhet të miratohet nga qeveria amerikane”, tha presidenti dhe shtoi se do të kemi vetëm 45 ditë kalendarike për të gjitha transformimet.
Ai gjithashtu deklaroi se transaksioni financiar mund të zgjatet deri më 12 mars, por se transaksioni duhet të miratohet edhe nga departamenti i OFAC në qeverinë amerikane.
Ndryshe, sanksionet përfshijnë gjithashtu kompanitë shtetërore ruse Gazprom Neft dhe Surgutneftegas. Sipas Departamentit të Thesarit, NIS-i u vendos nën masa kufizuese për shkak të lidhjes së saj me Gazprom-in rus, duke u konsideruar si një “rrezik sekondar”.
Këto veprime janë pjesë e angazhimit të G7-ës për të ulur të ardhurat energjetike të Rusisë, të cilat përdoren për financimin e luftës në Ukrainë.
Sipas të dhënave zyrtare të kompanisë, që nga viti 2022, Gazprom Neft zotëron 50 për qind të kapitalit aksionar të NIS-it, Republika e Serbisë mban 29.87 për qind të aksioneve, ndërsa Gazprom ka 6.15 për qind. Pjesa e mbetur është në pronësi të qytetarëve, punonjësve aktualë dhe ish-punonjësve, si dhe aksionarëve të tjerë më të vegjël.
Gazprom Neft, e cila zotëron një pjesë të madhe të NIS-it, është nën sanksionet evropiane dhe amerikane që nga viti 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia. Këto sanksione e kanë përjashtuar kompaninë nga tregjet e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së.
NIS-i operon mbi 400 pika karburanti në Serbi dhe vende të tjera të rajonit, përfshirë Bosnjë e Hercegovinën, Rumaninë dhe Bullgarinë.
Rruga Press